In Memoriam/Natasha Hazisllari, një trimëreshë e vërtetë që nuk do të harrohet kurrë

In Memoriam/Natasha Hazisllari, një trimëreshë e vërtetë që nuk do të harrohet kurrë

U këput si një yll para 13 vjetësh. Ka punuar për një kohë të gjatë si pedagoge e gjuhës angleze dhe shefe e Departamentit të Qendrës së Gjuhëve të Huaja të Universitetit Ushtarak “Skënderbej” të Tiranës.

 

Ajo ka qenë një pedagoge e aftë dhe e përkushtuar profesionalisht, korrekte dhe kurajoze, një njeri me cilësitë më të mira njerëzore, që me vdekjen e saj shumë të parakohëshme, ka lënë një vend bosh dhe të pazëvendësueshëm jo vetëm në institucionin ku punonte, por edhe në mendjen dhe në zemrën e kolegëve dhe të studentëve të saj si edhe të gjithë qytetarëve të Çorovodës, ku ajo lindi dhe kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë së saj, që nuk do ta harrojnë kurrë.

 

“E konsideroj veten me fat, që pata në krah një bashkëshorte si Natasha, dhe në të njëjtën kohë, fatkeq, që m’u shkëput aq herët nga krahu”– shkruan në statusin e iij të FB – ut, bashkëshorti i Saj, Myfit Hazisllari, në 13-vjetorin e ndarjes nga jeta – por Natasha la një pasuri të madhe për vajzën, Ina, për fëmijët e saj që ma kanë mbushur shpirtin plot, vullnetin, korrektësinë e ndershmërinë, pasionin për punën e jetën.

Përjetësi për Natashën e dashur”!…   

 

Tasha do të mbahet mend nga të gjithë ata që patën rast të punonin apo edhe thjesht që kanë patur njohje me të, si një rast tepër i veçantë ndaj përballimit të vështirësive e dramave të jetës: dhimbjen që i krijoi vrasja në mënyrë barbare, pa asnjë shkak, të të vëllait nga bandat famëkeqe të vitit të mbrapsht 1997, që edhe sot enden të lirë; sëmundjen e saj, që e dinte se nuk kishte kthim, i dha forcë e guxim vetes dhe njerëzve pa u ankuar dhe pa rënkuar asnjë herë. Është rast i rrallë, në mos ndër të vetmit, që një grua të mund t’i bënte karshillëk sëmundjes si ajo, duke mos e ndërprerë asnjë çast punën, duke mos u ndjerë për asnjë çast e dëshpëruar  në familje dhe mes miqsh e shokësh.

 

Rasti i Tashësh ka qenë një rast vërtet unikal,për të mësuar se si njeriu mund ta përballojë jetën me të mirat dhe vështirësitë që ajo të sjell.

 

Natasha nuk ka për t’u harruar kurrë, ajo ishte dhe mbeti në kujtesën e njerëzve që trimëreshë e vërtetë. Nuk do ta harrojnë miqtë e dashamirësitë që nga Gjerbësi  i Skraparit ku la pjesën më vitale të moshës së rinisë si mësuese e zellshme e një fshati të thellë malor e deri në Berat, Kuçovë e së fundi në Tiranë, ku u dallua si një intelektuale e shquar në një nga institucionet më të larta arsimore, siç ishte Universiteti Ushtarak “Skënderbej”.

 

Natasha Hazisllari, me cilësitë e larta intelektuale dhe njerëzore që e karakterizonin dhe me gjurmët e thella e të pashlyeshme që ka lënë pas, do të mbetet një zonjë trimëreshë e rrallë dhe e pazëvendësueshme në  kujtesën e  të gjithë atyre që e kanë njohur, por edhe që kanë dëgjuar për për të.

 

Janë pikërisht këto gjurmë pune dhe jete që ndoqi “Orakulli i Tomorrit” për ta rikujtuar dhe nderuar Atë me këtë “in Memoriam” në një nga përvjetorët e ndarjes nga jeta.