In Memoriam / Njeriu i vlerave të çmuara, Fatmiri, i miri!…

In Memoriam / Njeriu i vlerave të çmuara, Fatmiri, i miri!…

 

U bënë dy vjet që ai nuk është më, por ne, miqve, shokëve, bashkëfshatarëve, bashkëlagjësve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur, na duken si dy ditë!…

 

 

Sepse i tillë ishte Fatmiri: i qeshur, i dashur, behar në fytyrë, behar në zemër dhe më tej akoma i aftë, i zoti në çdo gjë që t’i dilte përpara, vlera njerëzore këto që e bëjnë të pavdekshëm dhe të paharrueshëm.

 

 

Fatmiri kish lindur në Nishovë të Skraparit në janar 1950 në një familje të njohur që nuk e mbylli kurrë derën për luftëtarët e lirisë, për miq dhe udhëtarë.

I ati i tij, Hakiu, ishte një burrë me cilësi të rralla si patriot, si njeri i vendit dhe i kuvendit, mikpritës, këngëtar dhe muhabetçi i thekur.

 

 

Pas shkollës së mesme dhe një shkolle dyvjeçare për mekanik në fushën e bujqësisë, Fatmiri u bë i njohur si një ndër mekanizatorët më të mirë në Skrapar. Njeri praktik e me guxim, cilësi që i shpalosi edhe pas viteve 1990, kur erdhi në në Durrës.

 

 

U mor aty me me biznes, por edhe atje, në fshatin e tij, investoi dhe ngriti një hidrocental.

 

Jetonte mes Nishovës dhe Durrësit. Ishte vëllai i madh i një dere të madhe e bujare, shtëpi kënge. Ishte vëllai i katër vëllezërve. Tre prej tyre këngëtarë nëpër festivale kombëtare. Edhe vetë këndonte.

 

Ishte babai i katër djemve dhe dy vajzave. I rriti, i shkolloi e i mësoi të punonin si ai.

 

 

Ishte miku i të gjithëve, i kudogjendur, hokatar e i muhabetit. Ishte edhe një ndër veprimtarët më të mirë të shoqatës “Tomorri” Durrës, se vendlindjen e donte si rrallëkush.

 

Ishte skraparlliu i vlerave më të mira.

 

I paharruar qofsh, Fatmir Koxhaji!

(Orakujt e Tomorrit)