In Memoriam / Selam Zotkaj, një jetë që ia ka vlejtur për të jetuar, por edhe për t’u kujtuar…

In Memoriam / Selam Zotkaj, një jetë që ia ka vlejtur për të jetuar, por edhe për t’u kujtuar…

Para disa ditësh është ndarë nga jeta Selam Zotkaj, një figurë publike dhe personalitet i njohur në rrethet Berat, Kuçovë, Skrapar dhe më gjerë.

 

Selami lindi në shtator të vitit 1930 në fshatin Teman të Beratit në një familje të njohur patriotike.

 

 

I ati iSelamit, Hamzai përfshihet në veprimtari patriotike që kur ishte 17 vjeç, duke dhënë kontributin e tij  në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e Qeverisë së Ismail Qemalit.

 

 

Më pas mori pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha  patriotike të mëvonshme, në Luftën e Vlorës në vitin 1920, në Revolucionin e Nolit në vitin 1924, në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935 dhe, së fundmi,  në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku u zgjodh edhe anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të zonës së Tërpanit.

 

 

Në këto gjurmë dhe me këtë edukatë atdhetarie u rrit dhe u brumosën edhe djemtë e tij, Aliu, i cili mori pjesë në njësitet territorial partizane të zonës, si dhe Selami, që edhe pse i vogël, 13-14 vjeç realizoi detyra luftarake si postier nga zona në Berat me ata që shisnin dru në qytet.

 

Ai merrte informacione dhe trakte nga komanda e Brigadës së 7 – të Sulmuese, me komandant Nikollaq Sallabandën dhe i çonte ato në destinacionet e duhura.

 

 

Pas çlirimit, për nevojat familjare u detyrua të punojë në sektorin e naftës si dhe kreu punë të rënda edhe në nujqësi e blegtori.

 

Në vitin 1956, për aftësitë dhe ndershmërinë e tij e emëruan instructor të Partisë të rrethit të Beratit.

 

Më vonë ai punoi në disa vende drejtuese si drejtor i Ndërmarrjes Artizanale, Berat; drejtor i Ndermarrjes së Furnizimit të Punëtorëve në Urën Vajgurore dhe drejtor i Grumbullit dhe i Rezervave të Shtetit, Berat – Skrapar, deri sa doli në pension.

 

 

Për punën e tij korrekte dhe aftësitë e tij drejtuese, është dekoruar me medaljen “Për kontribut të shquar shtetëror”, medaljen e LANÇ si dhe” Urdhrin e Klasit të Dytë dhe të Tretë”.