Inaugurohet Qendra Rekreative në lagjen “5 Shtatori”, Çorovodë
Lajm i Bashkisë Skrapar
Është inauguruar sot në Çorovodë Qendra Rekreative në lagjen “5 Shtatori” të qytetit të Çorovodës, një vepër e realizuar falë një bashkëpunimi mes programit italian IADSA dhe Bashkisë Skrapar.
Në ceremoninë e rastit pjesë dhe prenë shiritin e inaugurimit, veç qytetarëve të shumtë, banorë të lagjes, edhe kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, bashkë-drejtori italian të zyrës Njësia e Mbështetjes Teknike (TSU) e Programit IADSA Basilio Antonio Toth të cilët prenë shiritin e inaugurimit.
Kjo qendër e pozicionuar brenda një blloku pallatesh banimi, shënon një transformim rrënjësor të një hapësire publike, të zënë me ndërtime tërësisht të degraduara apo garazhe të ndërtuara pa asnjë kriter urban.
Nga ana arkitekturore, ajo është një kombinim perfekt i hapësirave të gjelbërta dhe punimeve në gur sipas traditës të qytetit tonë.
Ndriçimi i saj e bën këtë qendër shumë tërheqëse. Përveç financimit nga IADSA, Bashkia Skrapar me fondet e saj ka bërë të mundur rehabilitimin e fasadave të pallateve rreth kësaj qëndre, duke i dhënë edhe më shumë vlerë këtij ansambli të munguar në këtë pjesë të qytetit. Ajo është shndërruar sot në një qendër të dytë të qytetit të Çorovodës.
Ndaj, Bashkia Skrapar gjen rastin të falenderojë dhe shpreh mirënjohjen e saj për IADSA dhe stafin e saj të mrekullueshëm, të cilët me financimin e tyre bënë të mundur ndërtimin e kësaj qendre, e cila është ndoshta nga investimet urbane më serioze të viteve të fundit.
Një falenderim i veçantë shkon po ashtu për “MVM Architecture” për hartimin e këtij projekti shumë funksional estetik si dhe kompaninë “IDM” për realizimin mjaft cilësor të kësaj vepre.
Ky aktivitet u sponsorizua nga “Leviz Albania”, të cilën e falenderojmë përzemërsisht për këtë akt të çmuar” – përfundon lajmi i Bashkisë Skrapar.