Internati i Vërzhezhës, një luks jo vetëm për këtë fshat, por për tërë Skraparin e asaj kohe

 Internati i Vërzhezhës, një luks jo vetëm për këtë fshat, por për tërë Skraparin e asaj kohe

 

Internati (shkolla unike) e Vërzhezhës në rrethin e Skraparit u hap në vitin 1926. Personeli i Internatit atë vit ishte: Mësuesi i Popullit Isuf Puka nga Kosova, drejtor; Ali Myftiu nga Elbasani, mësues, Esat Progri nga Korça, mësues; Hatem Piluri, mësues; Pasho Hysi, financier; Petref Jaho, ekonomist, Atif Myftari, kujdestar. Më vonë u bë drejtor Ibrahim Kushta nga Dukati i Vlorës.

 

 

Shkolla unike e Vërzhezhës, internati, ishte një shkollë nga më të mirat për kohën. Ajo kishte 5 rende (klasë) me konvikt dhe me mësusesit më të mirë të kohës.

 

 

Në këtë shkollë kanë qenë nxënës Mehmet Shehu, Kahreman Ylli, Neshat Hysi, Tajar Grepcka, Neki Sula, Alush Grepcka, Hasan Met’hoxha, Bari Zaimi, Njazi Çepani, Hysen Rogu, Resmi Shahu, Shyqyri Jaho, Riza Gradeci, Sadush Myftari, Skender Zaimi, Neshat Korita, Izet Hysi, Faik Qafoku, Shyqyri Malindi, Haki Sevrani, Muhamet Shabani, Hasan Gjerbesi, Muhamet Gostencka, Enver Mëlova, Murat Kuçi, Izet Spathara e të tjerë djem skraparllinj, që u shquan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një pjesë e tyre ranë edhe dëshmorë në këtë luftë.

 

 

Neki Sula, një nga ish nxënësit e Internatit, në kujtimet e veta shkruan:

 

“Në internatin e Vërzhezhës kam shkuar me interesimin e Hysen Zaloshnjes, duke qenë një nga nxënësit më të mirë të fillores. Unë vajta në Vërzhezhë, por nuk e gjeta emrin për në konvikt si gjithë të tjerët. Domosdo që u mërzitëm shumë si unë edhe babai. Një nip i shtëpisë tonë, Shefit Kacidhja, ku unë me babain fjetëm atë natë, e mori vesh se si ishte puna, tha që ta rregullonim punën nga shkolla se për të fjetur dhe për të ngrënë do të më mbante ai.

 

 

Babai u mërzit shumë dhe nuk donte të më linte, se e dinte që njerëzit në atë kohë ishin fukarenj dhe u bije vërtet më qafë. Mezi mbanin fëmijët e tyre e jo të tjerë. Megjithatë, pas këmbënguljes së Shefitit, babai pranoi të më linte në Vërzhezhë, por duhej rregulluar nga shkolla. Atëhere Shefiti dhe babai shkuan te Pasho Hysi dhe ia thanë hallin. Pashoja nuk përtoi, shkoi bashkë me ta te drejtori i shkollës. Pasi biseduan gjatë u vendos që unë të vija në shkollë, por jo në konvikt. Kështu që unë të nesërmen shkova në shkollë.

 

 

Sipas asaj që pash unë, në Vërzhezhë kishin ardhur nxënës nga familje në gjendje të mirë ekonomike. Kishte nga i gjithë Skrapari, por kishte edhe nga rrethet e tjerë. Mësimi ishte i rregullt, ndaj nxënësit kishin etje për dije dhe vëtet mësonin shumë”.

 

 

Ndërtesa e Internatit ishte dykatëshe, në ish godinën e nënprefekturës. Fjetorja ishte dhomë përdhese, ngjitur me dyqanin. Pak me lartë ishte menca dhe kuzhinier ishte një Sabri nga Berati që punonte bashkë me të shoqen. Më lartë akoma ishin gjashtë klasa dhe dy dhoma, ndërsa në katin e sipërm kishte edhe fjetore për nxënësit dhe dhoma ku flinte drejtori dhe mësuesit. Në katuan e katit të parë në këtë kohë u shtua edhe një klasë, shufrat për ndërtimin e saj u prenë në lajthinë e Dobrushës dhe u transportuan nga vetë nxënësit dhe mësuesit.

 

 

Disiplina në shkolë ishte tepër e rreptë dhe e fortë, një disiplinë me metoda mesjetare. Mësuesit mbanin shkopinj thane dhe të godisnin edhe pa shkak.  Ai që kishte dorë më të rëndë se të gjithë ishte drejtori i shkollës, Ibrahim Kushta. Ai i mbante nxënësit me një këmbë në një kënd të klasës. I detyronte të hiqnin këpucët dhe çorapet dhe të rrinin mbi çakull guri, të cilin e linte gjithmonë aty për këtë punë.

 

 

Nxënësit ishin ndarë në grupe sipas krahinave. Alush Grepcka kishte një grup të anës së Osumit dhe ishte shumë “sherrxhi”. Edhe Neshat Hysin e kishin frikë të tërë sepse ishte trupmadh dhe i fuqishëm. Si lojë, më të preferuarën kishim lojën me “cingla” dhe “koten”, një lojë me një kokël druri që ruhej të mos hynte në një gropë të hapur kastile me anë të shkopinjve. Në këto lojëra i famshëm dhe i paarritshëm ka qenë Riza Gradeci. Në pushim ia merrnim edhe këngës vençe. Më mirë nga të gjithë këndonte Bahri Zaimi dhe Neshat Hysi”,  – shkruan në kujtimet e veta, Neki Sula.

 

Nëse do të kishte një ditë të shënuar për arsimin në Skrapar, ajo do të ishte dita kur është çelur Internati i Vërzhezhës, një “Universitet” i vërtet i kohës.