Intervistë me Xhoxhi Robon, kryetar i delegacionit shqiptar të vitit 1978 për marrjen e eshtrave të Abdyli Frashërit (Pjesa e dytë)

Intervistë me Xhoxhi Robon, kryetar i delegacionit shqiptar të vitit 1978 për marrjen e eshtrave të Abdyli Frashërit (Pjesa e dytë)

Në vitin 2010, ndërsa punoja për një gazetë të përditshme të Tiranës, i mora një intervistë të ndjerit Xhoxhi Robo (them “të ndjerit”, se Xhoxhi nuk rron më, u prehtë në paqe!), që në atë kohë kishte qenë kryetar i delegacionit shqiptar për të marrë eshtrat e Abdyl Frashërit për t’i rivarrosur në Shqipëri me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Më poshtë do të jap disa pjesë të kësaj interviste, ku tregohet se delegacioni është ndeshur me vështirësi dhe pengesa në misionin e tij, veçanërisht nga diaspora shqiptare në Stamboll e ndikuar nga ballistët; për vizitën që ka bërë delegacioni në shtëpinë muze të Sami Frashërit dhe se ç’përgjigje kishin në atë kohë autoritetet turke në rast të një kërkese për këtë të fundit.


Zylyftar Hoxha

 

 

Ju keni qenë kryetari i delegacionit për të marrë eshtrat e Abdyl Frashërit më 1978. Çfarë mbani mend nga ajo ngjarje?

 

Në vitin 1978 ishte 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Për këtë qeveria shqiptare e asaj kohe dhe shqiptarët, sidomos ata të Kosovës përgatiteshin ta festonin me madhështi këtë ditë të madhe historike. Një nga aksionet që do ta bënte më sinjikative këtë ditë, ishte dhe ardhja dhe prehja në atdhe e eshtrave të udhëheqësit të kësaj lidhjeje patriotike, diplomatit të madh, patrioti rilindës, frashërlliut të shquar, Avdyl Frashëri. Ato ishin në varrezat e Stambollit.

 

 

Për këtë u caktua një delegacion qeveritar shqiptar të cilin e kryesova unë. Në këtë delegacion bënin pjesë akademiku Luan Omari, shkrimtari Anastas Kondo, Duro Kapo, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Përmeti, që kishte në administrim Frashërin, vendlindjen e Abdylit. Erdhën me ne edhe ambasadori ynë në Greqi, i cili na doli në rrugë dhe ambasadori ynë në Turqi, që e gjetëm atje.

 

 

Delegacioni ynë, krahas ceremonisë së eshtarave, do të merrte pjesë edhe në veprimtari të tjera që do të organizoheshin me këtë rast në turqi nga mërgimtarët shqiptarë atje.

 

 

Eshtrat e Abdylit ishin kërkuar edhe më parë nga qeveria socialiste e Tiranës. Çfarë pretendime nxirrnin turqit?

 

Qeveria shqiptare kishte vite të tëra që interesohej për këtë problem. Ishin shkëmbyer shumë letra dhe mesazhe diplomatike me  qeverinë turke, por pa rezultat.  Nuk kishte fajin qeveria turke, pasi ajo ishte vënë nën presion të disa krerëve të Ballit Kombëtar që kishin ikur pas Luftës në Turqi, dhe veçanërisht të Tahir Kolgjinit dhe Qazim Prodanit.

 

 

Ata pretendonin se Abbyl Frashëri iu përkiste ballistëve nën pretekstin se Mit’hat Frashëri, djali i tij, kishte qenë kryetar i Ballit Kombëtar dhe se ishte person “non grata”  për Partinë dhe qeverinë shqiptare. Kështu duhet të ishte edhe Abdyli, sipas tyre. Në vitin 1977 u shfrytëzua një konukturë politike.

 

 

Në Turqi fitoi partia që kishte si kryetar Eçevitin, që u bë edhe kryeministër, dhe që ndiqte një rrugë më të butë demokratike e përparimtare. Në kontakte me Eçevitin (i cili kishte edhe prejardhje shqiptare) qeveria jonë mundi të siguronte lejën që të merrte eshtrat e Abdyl Frashërit dhe t’i kthente në atdhe.

 

 

Kur nisët udhëtimin drejt Stambollit?

 

Ka qenë data 28 mars kur u nisëm nga Tirana. Në Kapshticë u përcollëm nga autoritetet lokale dhe të Korçës dhe të Bilishtit dhe kaluam pa probleme, po kështu udhëtuam deri në Selanik, ku na priti ambasadori ynë atje, Lik Seiti.

 

 

Mbasi fjetëm një natë në Selanik, të nesërmen vazhduam rrugën gjatë bregut të Egjeut dhe në orën 3 mbasdite mbritëm në kufirin turk ku na priste ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Ylvi Lulo. Në doganën greke mbaruam shpejt punë. Aty duke komunikuar me përgjegjësin grek të doganës, i thamë se po shkojmë në Stamboll. “Jo në Stamboll, na tha me seriozitet, por në Konstandinopojë”, duke dëshmuar me këtë rast se marrëdhëniet greko- turke ishin si gjithmonë të ndera.

 

 

Kur hymë në doganënë turke, pritja qe e ngrohtë dhe e hapur. Mbas disa minutash vijnë që të na takojnë disa udhëheqës turq krahinorë turq si kajmekami i Edernesë, komandanti i xhandarmërisë dhe kryetari i Bashkisë të qytetit të Isjallës, që kishte në administrim pikën kufitare dhe doganën turke. Kajmekami, pasi përshëndeti edhe në emër të Valiut të Edernesë, thë se do të vinte vetë Valiu, por i kishte dalë një punë. Sigurisht, ky ishte një gjest miqësor i turqve, të cilin delegacioni e ndjeu gjatë gjithë kohës që ndenji në Turqi.

 

 

Surpriza ishte se kryetari i Bashkisë ishte shqipetar dhe gjatë takimit tha se nuk ka nevojë të me prezantojnë këta, unë jam shqiptar (foli shqip). Ishte me origjinë nga Brazhdani i Dibrës dhe një vëlla e kishte rrobaqepës në Tiranë. Na çuan për kafe. Unë kërkova kafe turke. “S’kemi, më thanë, na e ka hequr Mustafa Qemali, në vend të saj futi çajin, por për ju do të gjemë”.

 

Dhe vërtet ma sollën shumë shpejt. Pastaj kishin përgatitur një darkë në një restorant në rrugën për në Stamboll ku spikatnin gjellë shqiptare që ata i quanin “arnautike”.

 

(Vazhdon në pjesën e tretë)