Izet Dashi, të tillë njerëz nuk do të vijnë më kurrë në shoqërinë tonë!…

 Izet Dashi, të tillë njerëz nuk do të vijnë më kurrë në shoqërinë tonë!…

 

Doli në qarkullim monografia kushtuar Heroit të Punës Socialiste Izet Dashi

 

 

Pas një pune të kujdesëshme hulumtuese u arrit përmbyllja e plotë e monografisë për përjetësimin e kujtimit të jetës dhe veprimtarisë së Heroit të Punës Socialiste Izet  Dashi.

 

 

Libri mban titullin “Heroi i Punës Izet Dashi”, ka për autorë Ilmi Qazimin e Nazmi  Çelën, redaktor Agron Gurin dhe konsulentë  Rustem, Bashkim dhe Omer Dashin . Libri prej 276 faqesh është botuar nga Shtëpia Botuese  “Edora”, Tiranë, 2023.

 

Ky libër i kushtohet jetës dhe punës së Izet Dashit, lindur në Zabërzan të Skraparit. Aty janë përmbledhur kujtime e vlerësime të ndryshme nga familjarë, të afërm, shokë, bashkëpuntorë e kuadro, të cilet e kanë njohur Izetin në jetë e punë të përbashkët.

 

 

Grupi i punës që organizoi përgatitjen dhe botimin e tij u uron të gjithë kontribuesve mirënjohje e respekte!

 

 

Po kush ishte Izeta Dashi

 

Izeti si shtëpi e familje të tij konsideronte tërë kooperativën bujqësore dhe me madhështinë e thjeshtësisë, me virtytin e ndershmërisë dhe me djersën e ballit të vet u bë simbol i saj.

 

Izet Dashi është një nga 13 Heronjtë e Punës Socialiste të rrethit të Skraparit me veçorinë që lindi, u arsimua, punoi, jetoi, u bë hero në Zabërzan, dhe po aty u nda nga jeta  duke punuar, me gërshërët e pjergullave në dorë.

 

 

Dy Heronjtë e Punës Socialiste të Çepanit, Izet Dashi dhe Qemal Bego

 

 

Do të kujtohet e respektohet, sepse ai nuk ishte thjesht një njeri, por ishte dhe mbetet një domethënie; shembull  i  një prej kuadrove që vështirë se do t’i vijnë më shoqërisë sonë;

është një nga përfaqësuesit më të denjë të një periudhe kohore gjysmëshekullore kur në Shqipëri synohej dhe u arrit që përgjithësisht të sundonte ligji dhe ndërgjegjja përpara frikës;

kohë ku sundonte mrekullisht njerëzillëku dhe dashuria e vërtetë për punën, njeriun, familjen, atdheun;

ajo kohë kur punohej për të rritur mirëqenien e të gjithëve në mënyrë sa më të barabartë.

 

 

Nëqoftëse brezat e ardhshëm do të mund të shohin më lart e më larg, për zhvillimin përparimtar të shoqërisë njerëzore, kjo vjen sepse ata do të jenë ngjitur me siguri mbi supet e gjigandëve të së shkuarës së tyre.

 

Izet Dashi i përket asaj aradhe njerëzish madhështorë prej të cilëve gjithnjë kemi se çfarë të mësojmë dhe tek i cili kurdoherë do të na duhet të mbështetemi.