Ja pse Riza Kodheli la porosi të varrosej me klarinetë  

Ja pse Riza Kodheli la porosi të varrosej me klarinetë  

 

Gjithmonë në ato vizita kur vinte në Skrapar, në muhabete, Dritero Agolli tregonte për lidhjet e Skraparit me Korçën, për lidhjet patriotike dhe luftarake.

Nuk kishte rast që ai të mos këndonte këngën e Lace Backës:

 

  “Doli Laceja nga stani,

Shtiri sytë nga Mariani,

Atje te kishkë e Marianit,

Mbushur Asqer i Junanit

 Trim, o Lace, trim, o djalë

 Thojini nënës të mos qajë,

 Se Lacia e ngopi xhanë”…

 

 

Një tjetër trim i madh, kapedan, ka qenë  Riza Kodheli nga Backa , por rritur dhe plakur në Korçë. E kisha mik 0thoshte ai. Sa herë vija në Korçë, kur isha në “Zërin e Populli”, do të kthehesha te ai. E gjeja me Agush Gjergjevicën dhe Haxhi Çemerricën, se edhe Gjergjevica dhe Çemerrica janë afër me Skraparin dhe ata e quanin veten edhe skraparlli.

 

Riza Kodheli më tregonte histori, ca nga ato të Luftës i dija edhe vetë. Por edhe atë që ai nuk i kishte qejf komisarët e dija se m’i kishte treguar edhe Misto Treska, komisari i tij, që në fillim i tha jam sekretari yt e jo komisar, për ta zbutur. Më vonë mori vesh Rizai se ai ishte komisar.

 

 

Të gjitha këto unë i kam shkruar në roman. Ai që është në libër, komandanti Rrapo, është Rizai. Kur vdiq Rizai la porosi, të më vijë filani me gërnetë e t’i bjerë te arkivoli, ishte një që e qante gërnetën. Kur vdiq xha Rizai, ai gërnetës e mori vesh dhe erdhi vërtetë. Filloi t’i binte, njerëzit thoshin, ç’do ky këtu dhe deshën ta përzinin.

 

“Jo, tha ai, ma ka lënë amanet Xha Rizai”, dhe nisi një kaba me të qarë.

 

 

I tillë ishte xha Rizai. Njeri interesant. Po kështu, unë habitem edhe me ju, pak kini shkruar për Hysen Zaloshnjen, një patriot i madh, por edhe njeri i mençur. Po kështu për Pasho Hysin, Njazi Çepanin e për shumë të tjerë duhet të shkruani.