Ja pse Riza Ziko Gradeci i “qante hallin” Ali Pashës, që, edhe pse me dy varre, një për kokën dhe tjetrin për këmbët, përsëri mbeti pa varr!…

 Ja pse Riza Ziko Gradeci i “qante hallin” Ali Pashës, që, edhe pse me dy varre, një për kokën dhe tjetrin për këmbët, përsëri mbeti pa varr!…

 

Rushan Dosti

 

Ndërsa prej kohësh jam në kërkim të rrënjëve të gjakut të fisit tim, të Dostllarëve të Koprenckës, më vjen në ndihmë miku im, skraparlliu dhe mësuesi i nderuar Pëllumb Gjoka, i cili bashkë me familjen është emigrant në SHBA.

 

Biseda me të më të më çoi tek një pinjoll i Dostllarëve që ka jetuar në Gradec.  Pra, hartës së fisit Dosti, i shtohet edhe një tjetër emër i panjohur deri më sot.

 

 

Ky ka qënë Riza Zere Ziko. Sipas mikut tim, Pëllumbit, ai fliste shpesh për Dostllarët dhe pranonte se ishte pinjoll i tyre, por fliste me siguri se origjinën e kishte nga Hormova e më vonë nga Koprëncka.

 

Rizai ka folur edhe për marrëdhëniet që ka patur me koprënckallinjtë. Sipas tij, arsyeja e largimit ka qënë plaga e vjetër e hasmërisë.

 

 

 

Po kush është Riza Ziko?!

 

 

Babai i tij quhej Zere dhe sipas gojëdhënave  është djegur në Vlorë, në një furrë gëlqereje të ndërtuar enkas nga austriakët për kundërshtarët e tyre. Pas kësaj ngjarje, Rizai dhe motra e tij mbetën jetim.

 

 

Kur vdiq i ati, Rizai ishte i vogël dhe rolin prindëror për rritjen e tij i takonte të ëmës, e cila ka qënë bijë nga Sanxhakët e fshatit Vlushë. Por nuk ndodhi kështu, pasi e ëma, për shkak të traumës së të shoqit,  u hodh nga shkëmbi e dha shpirt në greminë. Fëmijët mbetën fillikat, pa prindër.

 

 

E motra e Rizait u martua në fshatin Kuç të Tomorricës, tek fisi Alimadhi. Ajo kur shkoi nuse, përveç krushqëve, kishte dhe një shoqërues të veçantë, Rizain e vogël, të cilin e mori me vete hipur në një kalë. Pra, Rizai ishte dhe dajo te Alimëdhenjtë.

 

 

Rizai filloi shkollën fillore dhe më pas studioi në Internatin e Vërzhezhës duke qënë shokë klase dhe shokë bange më Mehmet Shehun, i cili më vonë u bë Kryeministër i Shipërisë.

 

Rizai doli me rezultate shumë të mira dhe me Mehmet Shehun e ruajti shoqërinë. Çdo kohë pushimesh vinin tek njëri – tjetri dhe kujtonin çapkënllëqet e moshës.

 

 

Pasi mbaroi shkollën, Rizai kthehet në Gradec dhe martohet me hallon e mikut tim, Pëllumb Gjoka. Çifti lindi e rriti 7 fëmijë, 3 vajza e katër djem.

 

 

Në vitet e luftës, nga shtatori 1942 deri në vitin 1948, ai kreu detyrën e sekretarit të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit.

 

 

Në vitet 1945 – 1948 punoi mësues në Gradec. Ndërkohë, Mehmet Shehu e kishte emëruar drejtor të Hotel “Dajtit” në Tiranë, por askush se njoftoi për këtë vendim dhe ai nuk shkoi në këtë detyrë.

 

Mehmeti e kishte kërkuar disa herë, por përsëri nuk e njoftuan. Nuk e njoftuan as kur në vitet 1970 Mehmet Shehu vizitoi shkollën e Vërzhezhës, që mbante emrin e tij si ish nxënës i internatit. Në festën e organizuar me këtë rast ai pyeti për Rizanë dhe kritikoi autoritete e vendit që nuk e kishin lajmëruar të vinte aty. Me këtë rast ai tregoi dhe episode të njohjes dhe shoqërisë së ngushtë që kishte pasur me këtë njeri të cilin fati e la të harruar në Gradec.

 

 

Asnjë nga fëmijët e tij nuk mori bursë, të gjithë punuan në kooperativë. Nën zë pëshpëritej se kishte “njollë në biografi”. Ai ishte nip në Kuç nga hallua e dajo nga e motra.

 

 

Në fund të viteve 1994 – 1995, ai pati një bllokim në një këmbë, të cilën mjekët ia prenë. Aty, mbyllur në dhomën e tij, thoshte shpesh me zë të lartë në mënyrë alegorike: “E, more Ali Pasha, edhe pse ke dy varre, një për kokën dhe tjetrin për këmbët, përsëri pa varr mbete”!…

 

Si duket aludonte me jetën e vetë të vështirë që kishte hequr dhe që, tani në fund, i ishte bërë edhe më e vështirë.

 

 

Më pas nipërit dhe mbesat e tij u vendosën në Sukth, ndërsa Rizai mbylli sytë në Gradec në vitin 1998.

 

 

Ai ka qënë një bejtexhi klasi. Dinte përmëndësh shumë vargje nga Omer Kajami, Naim Frashëri e Hasan Zyko Kamberi.

 

I pavdekshmi Iljaz Kapxhiu, kur vinte fjala te Rizai, thoshte: “Ky ka qënë mal me mend!”