Jeta mes fushave të naftës në Kuçovë

Jeta mes fushave të naftës në Kuçovë

Nga Nensi Bogdani

 

I njohur si vendburim i naftës, vendi ku u shpua pusi i parë në Shqipëri në vitin 1918, Kuçova ka akoma dhe kësaj dite pamjen e një qyteti të mbetur pezull në të shkuarën.

 

 

Përpos kalimit të viteve, simboli kryesor që sheh në çdo cep të qytetit vijojnë të mbeten puset e naftës, shumica e tyre funksionalë edhe pse të ndërtuar në vitet ’30-’40 të shekullit të shkuar.

 

Puset e naftës i përngjajnë një tabloje të cilën e sheh të përsëritur kudo, duke filluar që prej rrugëvë kryesore, oborreve të shtëpive, ish-zonave industriale, apo rreth burimeve të ujit.

 

Paradokset që shoqërojnë jetën në këtë qytet nuk janë të pakëta.

 

Edhe pse prej muajsh çmimi i naftës në vendin tonë sa vjen e rritet, në një prej zonave të Kuçovës të njohur si “gropa e serës”, nafta rrjedh prej nëntokës dhe mbush pellgje të tëra të cilat krijojnë sera të mëdha të ndotura.

 

Një fushë e shtrirë pranë një ish-zone industriale, “gropa e serës” e cila ndodhet pak minuta prej qëndrës së qytetit, tashmë është kthyer në një pellg të madh hidrokarburesh, ku askush nuk ka interes të afrohet përveç banorëve të shtëpive që ndodhen  pranë, të cilët ankohen për ndotjen dhe infrastrukturën e keqe rrugës.

 

Sikur të mos mungonte era e rëndë që vjen prej pellgjeve të serës, inerte të ndryshme që depozitohen prej fadromave të qytetit ngjisin mbi naftën e shkrirë duke mbetur pezull e duke i ngjasuar një akuariumi të ndotur.

 

Bimët dhe lulet tashmë të çelura përreth nuk e përçojnë freskinë dhe ngjyrat, pasi mbeturinat dhe nafta i kanë përpirë dhe ato në pellgjet e serës.

 

Në dalje të zonës së serës ndodhet gjithashtu një pus të cilin vendasit e quajnë “pusi i gazit”, ku qytetarët e Kuçovës shkojnë për të mbushur ujë me bidona, pavarësisht se ky ujë ka shijen e një kokteji nafte.

 

Era dhe shija e naftës që mban ky ujë nuk duket se i shqetëson ata që zgjedhin të pijnë prej këtij burimi, madje disa e preferojnë në krahasim me ujin e burimit malor që rrjedh prej çezmave të tyre nga ujësjellësi i qytetit.

 

“Na pëlqen ky ujë. Të tjerët mund ta kenë problem, por ne këtu jemi mësuar me shijen. Mund të ketë pak squfur, por në përgjithësi është i shëndetshëm”, tha një burrë rreth të 40-tave, i cili po mbushte bidonat pranë “pusit të gazit”.

 

Një tjetër zonjë e cila po priste në rradhë me vajzën e vogël për të mbushut shishet e saj, gjithashtu i tregoi BIRN se ajo preferonte ujin e këtij burimi, pavarësisht shijes së tij.

 

“Ky ujë gjithashtu zien  më shpejt. Na volet më shumë”, shtoi ajo.

 

Të njëjtin ujë zgjedhin ta përdorin edhe familjet e varfëra të zonës, të cilave u mungon lidhja me ujësjellësin e qytetit.

 

Një prej këtyre familjeve jeton në një shtëpi të cilën e kanë ndërtuar vetë në zonën e “gropës së serës” që prej vitit 2003. Ata janë  në total 10 pjestarë, që jetojnë në kushte të vështira.

 

“Kemi ndotje, lagështi, mushkonja, miza. Zejtorat i hedhin plehrat këtej nga neve dhe unë i pastroj e i heq vetë. Nuk kemi as kos mbeturinash, as ndriçim, as rrugë”, i tha BIRN  kryefamiljarja, duke treguar me dorë zonën pothuajse të braktisur ku ata jetojnë.

 

“Në behar vjen gjithë avulli dhe era e naftës. Kemi fëmijë të vegjël, kemi hall se na sëmuren”, tregoi ajo.

 

Pak më tutje, një banesë në dukje e braktisur, mësohet se ka një vit pa energji elektrike.

 

Banorët e saj tregojnë se ata nuk kanë të ardhura të paguajnë, e tashmë për shkak të kamatave të mbledhura në kohë, borxhi ndaj OSHEE ka kaluar vlerën e një million lekëve të vjetra.

 

“As unë, as vajza nuk kemi arritur të gjejmë një punë të mirëqenë. Mua më kanë thënë shko tek çantat (fabrikë fasonerie), por nuk shoh mirë, nuk e bëj dot”, tha 47-vjeçarja, e cila jeton me ish-bashkëshortin e alkolizuar prej vitesh.

 

“Të paktën ujin e sigurojmë nga pusi i gazit”, i tha ajo BIRN.

 

Përtej zonës së serës, infrastruktura e qytetit në tërësi duket se pak ka ndryshuar prej vitit 1916, kur një inxhinier gjeolog austriak zbuloi se uji që rridhte nga kodrat e Kuçovës ishte i pasur me naftë.

 

Avionët e vjetër ushtarakë, bustet e naftëtarëve, karuseli në parkun e lodrave dhe çdo gjë tjetër qëndrojnë akoma prej kohës së Luftës së Dytë Botërore.

 

Vetëm së fundmi, në sheshin e qytetit, aty ky ndodhet dhe termocentrali i vjetër, ka filluar rikonstruktimi i mjedisit përreth për të krijuar një park argëtues për ata banorë që akoma nuk janë larguar nga Kuçova.