…jo vetëm të mbetet në histori e kujtime

…jo vetëm të mbetet në histori e kujtime

 

Fatos Muçaj

 

 

Mali nuk përkulet.

 

Unë jam nga Osoja.

 

Nga një vend ku toka është e ashpër (jo edhe aq shumë), por fjala, besa dhe nderi kanë peshë.

 

Ku mali të mëson të qëndrosh drejt, jo të përkulesh.

 

Por sot shoh diçka që më dhemb.

 

 

Në Skrapar (dhe jo vetëm) po pakësohen shtëpitë me dritë.

Po shtohen drynat.

 

Po shtohen varret e kujtimeve.

 

Djemtë kanë ikur.

 

Vajzat kanë ikur.

 

Prindërit kanë mbetur duke parë rrugën, si dikur në kohë kur pritja kishte shpresë.

 

 

Sot pritja ka vetëm heshtje.

 

 

Na kanë thënë: Kështu është kudo.

 

Na kanë thënë: Duroni edhe pak.

 

Na kanë thënë: Po punojmë për ju.

 

Por për kë po punohet realisht?

 

 

Sepse kur një vend zbrazet, nuk është punë, nuk është fat, por është dështim.

 

Kur ai që punon ndershëm largohet dhe ai që përfiton nga sistemi bëhet më i fortë,

nuk është rastësi, është zgjedhje.

 

 

Mali nuk përkulet nga era.

 

Përkulet vetëm kur i presin rrënjët.

 

Dhe rrënjët tona po i presin ngadalë, me padrejtësi, me mungesë mundësish, me arrogancë pushteti.

 

 

Nuk është turp të kërkosh më shumë.

 

Është turp të pajtohesh me më pak.

 

 

Unë nuk dua që Osoja (dhe jo vetëm) të mbetet vetëm histori në gojët tona.

 

As që Skrapari (dhe jo vetëm) të përmendet vetëm për dollitë apo kur vjen sezoni i rakisë.

 

 

Dua që vendi im të jetojë.

 

Të ketë zë.

 

Të ketë dinjitet.

 

Sepse mali nuk përkulet.

 

Dhe as ne nuk duhet të përkulemi.