Jovan Jano / Romët, ata që lindin ashtu si dhe vdesin, pa strehë, nën qiell të hapur

Jovan Jano / Romët, ata që lindin ashtu si dhe vdesin, pa strehë, nën qiell të hapur

Jovan Jano

Që nga vitet e fëmijërisë më ka tërhequr jeta e shpenguar, e lirë dhe disi më e veçantë nga komunitetet e tjera, ajo e një komuniteti mjaft interesant, jeta e ciganëve ose e romëve.

Ndonjëherë kur ndjehem disi melankolik apo i dëshpëruar, nuk e kuptoj pse më del imazhi gazmor i këtyre njërëzve, të cilët, lirshëm, shpërfillin aktet pranguese të civilizimit modern. E kuptoj që njeriu ka nevojë edhe për lirinë dehëse të komunitetit cigan. Ka nevojë për ajrin e pastër të pyllit, për zhurmën e lehtë të rrjedhjes së lumenjëve, për fëshfëritjen dehëse të gjetheve të pemëve, për aromën e luleve të fushës, për…

 

Në krahinën tonë, në Myzeqe, i quajnë edhe “arixhinjë”, sepse sipas banorëve të kësaj treve, ata merren me zbutjen e arinjëve. Kjo nuk qëndron. Që në fëmijëri mbaj mënd kur vinin në fshat, në shtëpinë tonë, me torbën në krahë për të “lipur” arixheshkat e fshatit fqinj, Mbrostar. Ato ishin dinjitoze sepse nuk lypnin, por vallzonin dhe këndonin duke krijuar një atmosferë mjaft të gëzueshme në fshat. Ato i njihnin festat fetare ortodokse dhe dinin ku shkonin.

 

Gjyshet tona i prisnin mjaft mirë dhe u jepnin për të ngrënë dhe sende të tjera me vete. Më kujtohet dhe e kam imazhin e Salushes, Sabriut e të Zyrasë, edhe pse mbi vete mbanin peshën e viteve, u lexoheshin tiparet fizike të bukura, gazmore e të derdhura si në bronx. Ato ishin mjaft të familjarizuara me komunitetin e fshatit tim, ishin shumë të dashura.

 

 

Lëvizjet e tyre ishin si cicërimat e dallandysheve. Ato dilnin nëpër fshatra, veçanërisht në ditët pranverore. Jetonin ata, brigjeve të lumit Seman. Teksa dita perëndonte, dielli i hidhte vellon e përflakur këtij lumi dhe brigjeve të tij me pyllishte.

 

Zhurma e tyre duke u bashkuar me gurgullimat e lumit dhe fëshfëritjen e gjetheve të drurëve të pyllit, seç krijonte një ndjesi disi të veçantë sidomos kur pranë zjarrit dremisnin të qetë në gjumin e thellë të natës këta ciganë, ndërsa qeni i tyre besnik dhe hëna ruanin errësirën dhe qetësinë. Kur këto harixheshka filluan të rrallonin vizitat tek ne, në fshat përhapej fjala që Salushja, Zyraja dhe Sabriu i Salushes “kanë vdekur”.

 

 

Xhaxhai im i madh, Marsi, që ishte infermieri më i vjetër mbase dhe i vetëm, në të gjithë krahinën, u shkonte në Mbrostar, atje në oazin e tyre, buzë lumit për t’i parë e për t’u dhënë ndonjë ndihmë mjekësore apo për t’iu dhënë ndonjë ushqim. Djali i Salushes, Haliti ishte virtuoz në ekzekutimin e këngëve me violinë. Por edhe klarinetën e lozte bukur. Për herë të parë nga ai dhe miqtë e tij kam dëgjuar këngën e famshme të arixhinjëve, “Xhixhilenë”. Kur ia merrnin kësaj kënge me violinë dhe klarinetë, festave dhe dasmave iu krijohej një mjedis shumë i këndshëm. Edhe zogjtë në pemë heshtnin dhe dëgjonin me ëndje.

 

Duke kujtuar këta njërëz të mirë dhe mjaft të dashur për ne ish fëmijët e atyre viteve, s’kam si mos të kujtoj edhe arixhinjtë e fshatit Gramsh të Myzeqesë, si të famshmin klarinetist, Shefito Harixhiu (Vërlaci) me të vëllanë, Vathin, që e shoqëronte me violinë dhe djemtë, Pëllumbin, Fejziun, Feritin deri tek Qamilua, me llautka, që kur këndonin nëpër dasma, ngrihej fshati në këmbë. Madje mbaj mënd që edhe në raste vdekjeje, veçanërisht kur largohej nga jeta ndonjë djalë i ri apo nuse e re, thirreshin edhe sazet e tyre, ku ekzekutohej ndonjë avaz trishtues, i dhimbshëm dhe funebër.

 

Ata nuk njihnin nota muzikore, as solfezh nuk kishin bërë, por me virtuozitetin e vet ata bënin që të ngashëreheshin të pranishmit dhe të dridheshin nga mallëngjimi jo vetëm njërëzit por dhe natyra përreth. Këtë e krijonte shpirti delikat e i lirë i ciganit, ndjenjat e tij të holla e të brishta. Ata, për të kënaqur të pranishmit në këto mjedise festive, lodheshin shumë, duke i rënë veglave muzikore. Lodhja, djersitja dhe pagjumësia e  vazhdueshme, mbase ka ndikuar edhe në largimin e tyre të parakohshëm nga jeta dhe shoqëria.

 

 

Si një drejtues i kulturës dhe artit në Lushnje, të tillë kam njohur shumë, pa harruar të talentuarit klarinetist dhe violinist, Sami e Nazmi (Sula) nga sektori Pluk i Lushnjes, familja e Kurt Sulës, në fshatin Zham, familje e arsimuar në të gjitha drejtimet dhe mjaft e kulturuar, të cilëve u kam bërë vizita miqësore edhe nëpër shtëpi, u pata falur tela violine, kallama klarinete apo ndonjë instrument muzikor nga fondi i kulturës, kur punoja në ato vite të shkuara në Lushnje.

 

 

Gjithënjë i kam kaluar në mënd këta njërëz të mrekullueshëm, që s’ua prishnin qejfin kurrkujt. I përfytyroj tani mbas shumë e shumë vitesh, ashtu të qeshur të thjeshtë dhe të sjellshëm duke akorduar telat e violinës e llautkës me tonet e klarinetës dhe dajres.

 

Më kujtohen se sa me sinqeritet ndanin paret mes njeri- tjetrit. Dhe ashtu pa bujë, por të raskapitur nga netët e lodhshme e të gëzuara të dasmave, largoheshin, duke lënë një atmosferë të trishtuar pas dasme. Që në moshën e rinisë shumë kisha dëgjuar për jetën e tyre të lirë dhe të hareshme, por kur lexova për herë të parë poetin madhështor rus, Aleksandër Pushkinin dhe shkrimtarin francez, Prospjer Merime, shpirti m’u mbush me dashuri për këtë komunitet interesant njërëzish.

 

E them këtë sepse tek këta njërëz unë përfytyroja jetën e lirë, atë që të bën romantik në këtë botë, natyrën. Populli cigan apo siç i quajnë shpesh herë, arixhinjët, janë një popull i varfër, i lirë, por i çliruar nga streset, nga ankthet dhe nga problemet e një qytetërimi, gadi shkatërrues të moralit dhe ndjenjave.