Kahreman Ylli, Gjyqi i Hagës dhe çështja aktuale e kufirit detar me Greqinë

Kahreman Ylli, Gjyqi i Hagës dhe çështja aktuale e kufirit detar me Greqinë

 

Me rastin e 48 – vjetorit të vdekjes së Kaheman Yllit

 

Zylyftar HOXHA

 

Edhe pse kanë kaluar vite, edhe pse janë ndërruar dhe përmbysur sisteme, ide e mentalitete politike, shoqërore e kulturore, figura e Kahreman Yllit, luftëtarit dhe mbrojtësit të madh të lirisë së shqiptarëve, nuk ka pësuar as cënimin më të vogël.

 

Përkundrazi, në përvjetorë përkujtimorë, në festa kulmore të institucioneve të larta arsimore, të Akademisë së Shkencave, Universitetit Shtetëror dhe instituteve të tjerë, të Ministrisë së Jashtme dhe diplomacisë, ndryshe nga shumë kolegë të tij të atyre kohëve, vepra e Kahremanit kujtohet me nderim e respekt të veçantë.

 

Emri i tij i “ngre të gjithë më këmbë”, të majtë e të djathtë, ata, të cilët mburren me të, por edhe ata radikalë, që nuk përputhen me idetë e tij, sepse i përulen diturisë, veprës së tij atdhetare, më shumë se sa ideve të cilave ai u përkiste.

Ky bashkim ndjenjash, kjo simbiozë dashurie dhe mirënjohjeje, e rrallë ndër shqiptarët, vjen nga vetë ai, Kahreman Ylli, që ideal pati dritën rilindase, iluminizmin e kombit shqiptar nëpërmjet dijes dhe kulturës.

 

 

 

 

Kahreman Ylli lindi më 22 prill të vitit 1917, në Leshnje të Skraparit, në një familje të njohur me histori, si e të gjitha atyre dyerve të mëdha fisnike në Skrapar që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kushtuan lirisë dhe pavarësisë, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të dukshëm patriotik në tërë zonën e Skraparit, të Korçës, Kolonjës, Oparit, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.

 

Në vitet 1940-42 bëhet frymëzues dhe organizator i ngritjes së çetave partizane në Skrapar dhe në Berat. Në vitet 1942-1944 emërohet komisar i Shtabit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Beratit.

 

 

Familja Ylli

 

Menjëherë pas çlirimit ngarkohet me detyra të rëndësishme diplomatike, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Paris, më pas përfaqësues i vendit tonë në OKB. Ai ka qenë një nga diplomatët më të shquar që ka përfaqësuar Shqipërinë e pasçlirimit në shumë organizma dhe forume ndërkombëtare. Po aq sukses saç pati në diplomaci, aq pati edhe më vonë, reformimin e në arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare, jo vetëm se ka qenë ministër Arsimi dhe rektor i Universitetit të Tiranës, por edhe pse ai është edhe themeluesi i Akademisë së Shkencave të dhe i arsimit të lartë në Shqipëri.

 

Kahremani nuk u lodh kurrë për të ngulitur në kokat e drejtuesve shtetërorë të atëhershëm dhe njerëzve të thjeshtë se e ardhmja evropiane e Shqipërisë ishte mendja, ishte dija. Kahreman Ylli vërtetohet të ketë qenë pas çdo zhvillimi të madh në arsim e shkencë.  Ato që ai bëri në atë kohë kanë jo vetëm sot vlerë, por do të kenë vlerë edhe në brezat pasardhës.

 

Duhet pranuar se gjatë periudhës së errët të komunizmit shqiptar, ka patur pak njerëz që meritojnë respekt të plotë për punën dhe kontributin e tyre. Dhe Kahremani ka qenë më i spikaturi prej tyre.

 

 

Karehman Ylli u nda shumë shpejt nga jeta, në 3 shtator të vitit 1975, kur ishte vetëm 58 vjeç, duke lënë pa bërë, ashtu siç dinte ai, edhe shumë gjëra të tjera të mira, por duke lënë pas edhe një emër që nuk do të harrohet kurrë.

 

Një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të veçanta ndërkombëtare, ku ka spikatur mendja e ndritur e Kahreman Yllit ka qenë edhe…

 

 

 

Gjyqi i Hagës i vitit 1949, “Incidenti i Korfuzit”

 

 

Më 22 tetor 1946, gjatë orëve të pasdites, në ujërat detare shqiptare, 1200 metra larg brigjeve të Sarandës, ndodhi një ngjarje e rëndë, tragjike, ku dy luftanije britanike, ndeshën në mina dhe u dëmtuan rëndë.

 

Nga kjo tragjedi humbën jetën 44 ushtarakë britanikë dhe u plagosën 42 të tjerë, dhe u shkrua në histori si Incidenti i Kanalit të Korfuzit.  Pala angleze akuzoi Shqipërinë se i kishte vendosur këto mina, kur në fakt ato ishin vendosur që gjatë Luftës dhe Shqipëria s’kishte dijeni.

Çështja shkoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Pas një gjyqi maratonë, megjithëse anijet kishin shkelur sovranitetin e Shqipërisë, u vendos që Shqipëria duhej t’i paguante 844.000 dollarë Mbretërisë së Bashkuar, të cilat ajo nuk i pagoi, por u mbajtën nga ari i konfiskuar dhe i bllokuar në Angli.

 

 

Pas përmbysjes së socializmit, Britania dhe Shqipëria më 29 tetor 1996 ranë dakord që Tirana t’i paguajë Londrës 2 milionë dollarë dëmshpërblim për incidentin në Kanalin e Korfuzit, dhe Britania t’i japë Shqipërisë 18 milionë dollarë nga vlera e arit të bllokuar

 

 

 

Gjykata e Hagës 2024, “Kufiri detar me Greqinë”

 

 

Gati 70 vjet më vonë në një kontekst komplet tjetër gjeopolitik Greqia kërkon ndarjen dhe delimitimin e ujërave me Shqipërinë, duke pretenduar tërësisht të kundërtën e asaj që kërkonte në 1946 dhe të vendimit të Gjykatës së Hagës.

 

Në këtë rast Greqia ndoqi një dredhi, një marrëveshje delimitimi dy palëshe me Shqipërinë duke zhvlerësuar njohjen e sovranitetit territorial të Shqipërisë në 1949. Kryeministri i kohës Berisha për qëllime pramatiste politike vendosi t’i futej kësaj aventure dhe firmosi një marrëveshje shumë të dëmshme për Shqipërinë, që prekte sovranitetin territorial të vendit tonë.

Opozita socialiste e asaj kohe, e çoi çështjen e hapur në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi marrëveshjen e qeverisë Berisha. Disa vite më vonë Greqia e përsërit  historinë dhe çështja rikthehet në tryezën sërish, në kulmin e një krize ekonomike të Shqipërisë.

 

Kryeministri Rama, i ndodhur nën presion, kërkoi që çështja të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, propozim që u mor parasysh nga pala greke.

 

 

Po si do të shkojnë punët? Askush nuk e di!….

 

 

Një Hagë e Dytë, por që nuk ka më Karemanë të na mbrojë!…

 

 

Gjyqi i Hagës i vitit 1949 është një ngjarje e njohur, të cilën e kemi mësuar nga Historia e Shqipërisë, megjithatë po e sjellim përsëri në vëmendje për dy arsye: E para, sepse në këtë gjyq protagonist kryesor i palës shqiptare ka qenë Kahreman Ylli, me funksionin e Ministrit Fuqiplotë të Qeverisë Shqiptare në Francë, diplomat njohur; e dyta, sepse Gjyqi i Hagës i analeve të historisë është rikthyer përsëri në vëmendjen e shqiptarëve me shumë të përfolurën “Çështja kufirit detar me Greqinë”.

 

 

Pra, është i njëjti institucion ndërkombëtar që do të shqyrtojë problemin apo konfliktin e ri që ka lindur me kufirin detar, por edhe e njëjta vendngjarje, Kanali i Korfuzit, ose ajo pjesë e detit, deri dje e padiskutueshme, ndërsa sot s’dihet se si dhe pse iu rikthye një diskutimi dhe debati absurd dhe të rrezikshëm për integritetin territorial të vendit tonë.

 

 

Megjithë përpjekjet e mëdha të diplomacisë shqiptare dhe personalisht të Kahreman Yllit, si përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë gjyq, me një mbrojte të shkëlyer, ne e humbëm atë.

 

 

E humbëm, pasi edhe rrethanat historike ishin të disfavorshme për një vend të vogël të sapodalë nga Lufta, por edhe pse, siç shprehet edhe vetë Kahremani, me atë frëngjishten e tij perfekte në fund të procesit: “Zotërinj, ne jemi para jush.

 

 

Ne kemi ardhur këtu vullnetarisht. Ne jemi një vend i vogël, por ne dimë që para juridiksionit tuaj të lartë, as madhësia dhe as fuqia nuk janë argumente me peshë. Ne e dimë që këtu një komb i vogël ka të njëjtat të drejta si një perandori e madhe  dhe që dobësia dhe varfëria jonë nuk na rrezikojnë të na vënë në një gjendje inferioriteti”…

 

 

Tani vërtet rrethanat janë më të favorshme, se jemi një shtet i konsolidiar dhe i njohur ndërkombëtarisht, por, fatkeqësisht, nuk ka më Kahremanë. Njerëzit janë bërë shumë të thyeshëm dhe shteti konsiderohet si pronë e atij që është në krye.

 

 

Se, po të mos ishte kështu, nuk do të hapej kjo “xhërre” kaq e madhe dhe s’kishte pse të uleshim po në ato banka të akuzuarish si 76 vjet më parë, pothuajse për të njëjtën gjë të stisur dhe të trukuar.