Kalaja fortifikuese e Vëseshtës dhe disa legjenda interesante të kishës eremite që ndodhet poshtë saj

Kalaja fortifikuese e Vëseshtës dhe disa legjenda interesante të kishës eremite që ndodhet poshtë saj

 

Vëseshta ndodhet nën shpatin e një mali të vogël shkëmbor,i cili përbëhet nga dy maja, të njohura si Çuka e Madhe dhe Çuka e Vogël. Të dy këto maja ndahen nga një qafë e vogël.

 

 

Në kodrën e Çukës së Madhe duken mbetjet arkeologjike të një kalaje fortifikuese.

Nga kjo kodër në horizont, në perëndim duket kalaja e Skraparit, në veriperëndim kalaja e Vokopolës, në verilindje Gradeci dhe në jugperëndim kalaja e Prishtës.

Në verilindje shihet kanioni i Gradecit në lindje Gora e Potomit dhe vendbanimi prehistorik i Vlushës.

 

Kodra ka përbërje shkëmbore dhe me shumë vështirësi mund të ndiqen gjurmët e mbetjeve të fortifikimit. Më qartë ruhet një trakt në pjesën verilindore në një gjatësi prej 15 m.

 

 

 

Gurët e përdorur për ndërtimin e murit janë gëlqerorë dhe pa lidhje llaçi ndërmjet tyre. Mbetje të veçanta të fortifikimit me shumë vështirësi ndiqen edhe në pjesë të tjera të rrethimit. Në sipërfaqen e kodrës janë gjetur 2 – 3 platforma banimi, brenda të cilave ka mbeturina dhe copa qeramike.

 

Në të, ndoshta si vazhdim i traditës së hershme për lutje e falje, është ndërtuar një kamare ku besimtarë apo njerëz të rastësishëm hedhin para.

 

 

Në veri të kodrës ndodhet një shpellë e cila njihet nga banorët  e fshatit me emrin “Shpella e Nuses”.  Thonë se shpella e thellë, e pa stusdiuar, ka qenë e zbukuruar me piktura shumëngjyrëshe.

Mbërritja në shpellë është e pamundur për arsye të vështirësive që ofron terreni shkëmbor i kodrës. Mund të ketë qenë një kishëz e vogël eremite e periudhës byzantine.

 

Rreth kësaj shpelle ka disa legjenda, në njërën ndër to thuhet se nusja sipas një riti nuk mund të hynte në fshat pa shkuar për t’u falur dhe lutur në këtë kishë.

 

 

Kurse në një tjetër  variant legende thuhet se nusja, kur krushqit po hanin drekë në një lëndinë aty pranë,  u iku krushqve se nuk donte të shkonte te burri, pasi në fshatin e saj donte një djalë tjetër. Ajo u ngjit në shkëmb dhe u fut në shpellën – kishë për t’u mbrojtur. Aty e mbrojtën murgjit.

Sipas rregullave kishtare të kohës, askush nuk kishte të drejtë të hynte në kishat eremite, përveç murgjëve.

 

Kështu nusja priti aty deri sa erdhi i dashuri dhe e mori.