Kali i Myzeqesë

Kali i Myzeqesë

Tradita e mbarështrimit të kuajve në fushat e Myzeqesë

 

Ilirjan Gjika

Myzeqeja, e konsideruar që nga antikiteti si Fusha Ilire apo ‘’hambari’’ i saj ka qenë gjithmonë pjesë integrale e perandorive të mëdha të kohës, si asaj romake, bizantine apo osmane. Si e tillë e lidhur me arterien kryeosre të komunikimit vijën Egnatia por edhe portin e Apolonisë në antikitet dhe skelat lumore të mesjetës si Vregu, Pirgu dhe Spinarica, ajo ka qenë një eksportuese e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

 

Që nga antikiteti e deri në shekullit e XX, një nga këta artikuj të eksportit vendas kanë qenë edhe kuajt, mbarështrimi i të cilëve në këtë trevë ka një traditë të vjetër. Në studimin e tij voluminoz prej tre vëllimësh “Kali në traditën shqiptare”, studiuesi nga Kosova, Nexhat Çoçaj, midis të tjerave shkruan: “Sipas shumë të dhënave, të periudhës antike por edhe të mëvonshme, nga trojet shqiptare e aq më shumë nga dy qëndrat e rritjes së kuajve të racës ilire: nga Rrethi i Dibrës dhe ai i Myzeqesë u furnizuan shumë shtete të Europës me kuaj të rracës ilire”.

 

Ndërsa, Dr. Hamdi Haçka, një nga mjekët e njohur veterinarë të Shqipërisë, në librin e tij, ‘’Rritja dhe mbarështrimi i një thundrakëve’’, shkruan se: “Në vendin tonë ekzistojnë dy tipe kuajsh: kali i Myzeqesë dhe kali i malësisë. Origjina e dy tipeve rrjedh nga kali i vjetër shqiptar i përmirësuar më vonë me kalin arab-oriental si rezultat i pushtimit të vendit tonë nga turqit”

 

Pikërisht në këtë trevë do të merrte tiparet e tij të plota një nga kuajt e njohur të hapësirës iliro-shqiptare, ai që do të quhej si Kali i Myzeqesë. Ndërkohë që gjurmët më të vjetra të tij i gjejmë në kryeqëndrën e dikurshme të Myzeqesë së sotme, në Apoloninë antike. Pikërisht në këtë qytet por edhe në Dyrrahun fqinjë si dy skajet e zonës ku jetonin ilirët taulantë, autorë të shumtë, na japin të dhëna interesante për kuajt dhe trajnimin e tyre. Të tilla shkrime i ndeshim në lidhje me Oktavian Augustin, i cili u dërgua jo vetëm për të kryer studimet në Apoloninë e Ilirisë por edhe për tu stërvitur në ushtrimet me kuaj. Në librin e tij “Apollonia e Ilirisë në burimet antike”, autori Bashkim Vrekaj na sjell një pasazh nga libri Apianit të Aleksandrisë: “Historia e Romës”.

Tani le të flasim për Oktavianin, i biri i së bijës së motrës së Çezarit, i cili ishte emëruar mjeshtër i kalit të Çezarit për një vit, e bërë kjo nga Çezari në këtë kohë një detyrë vjetore, duke e qarkulluar atë midis miqve të tij. Megjithëse ishte një djalosh, ai u dërgua nga Çezari në Apoloninë e Adriatikut për tu edukuar dhe trajnuar në artin e luftimit, kështu që ai do të mundte të shoqëronte Çezarin në fushatat e tij. Tufa kuajsh nga Maqedonia ju dërguan atij me radhë, me qëllim për tu stërvitur dhe disa prej oficerëve të ushtrisë e vizitonin atë si një i afërm i Çezarit që ishte” (Appianus, III, 2, 9).

 

Edhe baza ushtarake që ngritën romakët në vendin e quajtur Nymfe, 7. 4 km pranë Apolonisë, strehonte në kampin e saj me qindra kuaj të legjioneve që përhershme që u vendosën gjatë luftërave në Iliri dhe mbretërisë maqedone.

 

një sërë autorësh antikë që tregojnë për fushatat ushtarake që nisnin prej këtu. Por për traditën e mbarështrimit të kuajve dëshmojnë edhe disa objekte prej bronzi të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Apoloni. Të quajtura aplika ato ishin figurina që përdoreshin si simbole zbukurimi dhe vendoseshin me ngjitje ose rrahje mbi objekte të tjera nga hekurpunuesit.

 

Në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë janë ekspozuar disa aplika të përmasave të vogla, që paraqesin kuaj me tiparet e tyre të stilizuara. Ato i përkasin shek. VI-V pk, fakt që tregon vjetërsinë e kësaj tradite këtë trevë (M. A. A.). Ndërkohë që edhe Dyrrahu (Epidamni), qyteti tjetër që u ngrit mbi territorin e Taulantëve ishte edhe ai i shquar për mbarështrimin e kuajve. Tek vepra e tij “Përshkrimi i Greqisë”, Pausania një autor antik i shek. II, na jep të dhëna me shumë vlerë. Gjatë vizitës në qytetin e Olimpias në Peloponez, ai, ndeshi monumentin e Kleostenit nga Epidamni, i cili në vitin 516 pk gjatë olimpiadës së 66, kishte fituar me katët kuajt e tij (Foiniks, Koraks, Knakias, Samo), garën e vrapimit me karroca.

 

Ndërkohë që ekzistenca e Apolonisë dhe Dyrrahut si piknisje të rrugës Egnatia, i bënin këto qytete, qendra të grumbullimit të kuajve të ngarkesës për transportint rrugor. Por tradita e mbarështrimit dhe përdorimit të kuajve vijoi edhe gjatë periudhës së mesjetës. Krijimi i Themës së Durrësit në shek IX dhe shtrirja e saj nga Tivari në Vlorë, përfshinte edhe rajonin e Myzeqesë. Kjo njësi territoriale-administrative e Perandorisë Bizantine kishte në përbërjen e saj edhe një ushtri prej 10 000 trupash. Ajo përbëhej nga bujqit-ushtarë, stratiotët, të cilët shërbenin në kohë lufte të pajisur edhe me një kale.

 

Të dhëna të tjera për kuajt gjatë mesjetës në këtë trevë na vijnë edhe prej dokumenteve historike. Kështu, në vitin 1336 shpërtheu kryegritja antibizantine në qarkun e Beratit ku bënte pjesë edhe treva për të cilin po flasim. Në këto kushte kundër tyre u nis në vitin 1337, një ushtri që kryesohej nga Katakuzeni, i cili më pas do të bëhej edhe perandor i Bizantit. Në librin e tij ‘’Historia’’, ai midis të tjerave shkruan se, gjatë shtypjes së kryengritjes nga ky rajon u grabitën 300 000 qe, 5000 kuaj dhe 1,2 milionë dhenë.

 

Po kështu gjatë kësaj periudhe, nga skelat lumore të Myzeqesë, si ato të Vregut (Shkumbin), Pirgut (Seman) dhe Spinaricës  (Vjosë), eksportoheshin për në Venedik, Raguzë apo shtetet dhe republikat italiane përveç drithit dhe prodhimeve të tjera edhe kuaj. Edhe në periudhën e parë të pushtimit turk eksporti i kuajve nga Shqipëria vijoi për disa kohë drejt tregjeve italike. Një dokument i datës 19 nëntor vitit 1518 tregon për lehtësimet që bënte Ankona për tregtarët nga Vlora, të cilët eksportonin mallra drejt tregut saj ku përfshiheshinn edhe kafshët. Ndërsa në tregun e Ulqinit në vitin 1552, për kuajtë që eksportoheshin në Venedik paguheshin si taksa, shuma të tilla që, shkonin nga një dukat për kuajt e shalës dhe deri në 25 akçe për kuajt e ngarkesës.

 

Por në vitin 1573, Perandoria Osmane, e ndaloi eksportin e kuajve drejt Europës, së bashku me atë të armëve, plumbit, barotit, drithit, dyllit, vajit dhe pambukut. Ky ndalim zgjati deri në fund të shek XVIII, kur krijimi i pashallëqeve dhe krijimi i njëfarë autonomie prej tyre, bëri që të rinisnin përsëri kontaktet tregtare me vendet fqinje.

 

Hapja e perandorisë bëri që gjatë shekullit të XIX, të dhënat rreth kuajve të Myzeqesë, ti jepnin kryesisht autorë të huaj. “Por kjo trevë që nga Durrësi deri në Vjosë nuk është vetëm një trevë bujqësore por edhe një livadh i madh pa ndërprerje, në të cilin tëdalin përpara syve kope të panumërta buajsh, dhensh dhe kuajsh…’’, thekson nënkonsulli anglez i Janinës, Uilliam Martin Lik, gjatë udhëtimit të tij nga Berati në Vlorë, në vitin 1805. Ndërsa në librin e tij “Në oborrin e Vezirit të Janinës”, të botuar në Paris në vitin 1806, zv. konsulli francez Pukevil, tregon përshtypjet e tij nga udhëtimi në Myzeqenë e Fierit. Midis të tjerave ai shkruan se: “Në këto fusha rritej edhe një rracë kuajsh që për nga pamja dhe shpejtësia rrallë mund ti gjeje në Turqinë Europiane”.

 

“Në fushën e gjerë dhe të mbushur nga bari i dendur kullosin kope me kuaj, të cilët preferohen deri në Itali”, shkruan Gustav Waigand gjatë udhëtimit të tij në Myzeqe në gusht të vitit 1889 G. Waigand, 1895: 82). Ndërsa Sami Frashëri te zëri “Berati” në veprën e tij Kamus ul-alam shkruan se në: “Në fushën e Myzeqesë rritet një lloj kali i vogël, por shumë i fortë”. Ndërkohë te zëri tjetër ‘’Sanxhaku i Beratit’’, ai midis të tjerave thekson se: “Në fushën e Myzeqesë rriten kuaj me shumicë”.

 

Por cili ishte kali i famshëm i Myzeqesë. Përshkrimin më të saktë dhe të plotë të tij e ka bërë Dr. Hamdi Haçka. Në librin e tij, ‘’Rritja dhe mbarështrimi i një thundrakëve”, botim i vitit 1962 ai shkruan se: “Kali i Myzeqesë është i përhapur në pjesën fushore, sidomos prej Vjosës deri në Shkumbin e bile deri në Drin, dhe në thellësi deri në Shkodër, Elbasan dhe Berat. Është rritur dhe shtuar në fushat pjellore të kësaj zone në formë hergjeleje, përmban shumë gjak arab, por nga, mbarështrimi i dobët dhe shfrytëzimi përpara moshës së pjekurisë, nuk i janë zhvilluar cilësitë e rralla të rracës orientale dhe eksteriori i tij paraqitet me difekte. Megjithatë ka një paraqitje elegante dhe të zhdërvjellët, është shumë rezistent dhe i përshtatshëm për shalë dhe tërheqje të lehtë dhe ngarkesë. Ecën revan dhe mban në kurriz një peshë prej 80-100 kg, ka ngjyrën dori, kullë, allç dhe më rrallë kërr a gjok”.

Ndërkohë që të njohura ishin edhe kolonitë e kuajve të egër që jetonin përgjatë bregdetit të Adriatikut, si në Pyllin Mbret, në Povelçë dhe Seman të Fierit dhe ata në Pyllin e Divjakës dhe Karavastasë në Lushnje, të cilat gjatë shekujve kishin lënë gjurmë edhe në memorjen dhe psikologjinë e popullsisë vendase. Kështu era e ngrohtë dhe e lagësht e Shirokut që frynte në fund të dimrit dhe pranverë në Myzeqe, quhet edhe sot nga vendasit si ‘’Era e Pelave”. Po kështu një sërë studimesh etnografike mbi traditat dhe zakonet e banorëve të kësaj treve, na kujtojnë edhe vendosjen e patkoit të kalit në porta, jo vetëm për të sjellë fat e mbarësi por edhe për të larguar ‘’syrin e keq”. Ndërsa freri i kalit ishte futur si ritual edhe në ceremonialin e dasmës myzeqare. I tillë ishte përdorimi i tij gjatë sitjes së miellit te ‘’Darka e Jançes’’.

 

Ndërkohë që nga dhënat del se një nga qëndrat e kryqëzimit të kuajve në fund të shek. XIX në Myzeqe ishte edhe Libofsha. Të dhëna rreth saj na i jep Mehdi Frashëri në librin e tij ‘’Probleme Shqiptare. Pikërisht aty ai thekson se direktori i çifligjeve të sulltanit në Myzeqe, Nedin bej Leskoviku, krahas masave që mori për përpirësimin e bujqësisë vendase “solli kuaj të racës për pelat e Myzeqesë”. Ndërkohë që tadita e mbarështrimit të kuajve do të vijonte në këtë krahinë edhe në gjysmën e parë të shek. XX.

 

Për të ilustruar interesin e të huajve për ta, Ministria e Jashtme, i dërgon në vitin 1928 një raport legatës italiane në Tiranë. I titulluar ‘’Mbi racat e kuajve të Myzeqesë dhe mbi karakteristikat e tyne’’, në të përshkruhen me hollësi karakteristikat themelore të këtyre kuajve si: lartësia mesatare, ngjyra e trupit, profili trupor, qëndrushmëria, etj.

 

“Kuajt e Myzeqesë eksportoheshin në Italinë Jugore, Malin e Zi dhe Greqi”, shkruan në librin e saj “Prefektura e Beratit në vitet 1920-1939”, studiuesja Marela Guga. Ndërkohë tek i njëjti botim ajo jep të dhëna të hollësishme për traditën dhe risitë e mbarështrimit të tyre në periudhën e pavarësisë. Prej tyre mësojmë se gjatë viteve 30’ u ngritën një sërë qëndrash për mbarështrimin dhe kryqëzimin e kuajve në Fier, Lushnje, Roskovec dhe Seman (Hoxharë), ku në këtë të fundit u krijua edhe raca “Tharosi’’. Biles në Fier që ishte edhe tregu më i madh i tregtimit të kuajve u ngritën përgjatë viteve 1923-1937, 642 qëndra ndërzimi, ndërsa 288 të tjera u ngritën në Lushnje. Ndërsa për ndërtimin e stallave dhe stacioneve të ndërzimit në këto vende u financuan sipas dokumenteve zyrtare të kohës 5735 franga ari. Ky aktivitet u shoqërua edhe me konkurse blegtorale siç ishte edhe ai i organizuar në në tetor 1936, në Roskovec, ku u paraqitën për Prefekturën e Beratit, 400 ekzemplarë të vendit, të huaj dhe të kryqëzuar.

 

Ndërsa Dr. Hamdi Haçka rreth këtij problemi shkruan se kryqëzimet me kuajt e tipit, lipizan dhe sardo-arab nisën në mënyrë të drejtuar dhe të kontrolluar nga shteti prej vitit 1928. Ndërsa në vitin 1930 në Berat erdhën për këto qëllime kuaj të racës haflinger dhe sardo-arab. Për këto qëllime kuajt e përmirësuar të racës vendore do të eksportoheshin kryesisht në tregun e huaj. Kështu sipas të dhënave të Odës së Tregtisë dhe Industrisë Berat, në vitin 1926 nga tregu i Roskovecit, tregtari Ai Çepele, eksportoi për në Itali prej portit të Vlorës 200 kuaj dhe pela. Ndërkohë që ky angazhim i strukturave të ministrive të bujqësisë dhe asaj të ekonomisë kombëtare do të shoqërohej edhe me aktivitete sportive të kësaj natyre. Kështu, në vitin 1929 do të organizohej në Fier kampionati i hipizmit, me pjesëmarrjen e 150 kalorësve që vinin nga Berati, Durrësi, Shkodra, Lushnja, Mallakastra, Lezha dhe Kruja. Të tjera kampionate u zhvilluan në këtë qytet në vitet 1933 dhe 1936 në të cilat morën pjesë kalorës ushtarakë dhe civilë (F. Dokumenteve, Muzeu Historik Fier).

 

Ndërkohë që L. II. Botërore solli probleme për mbarështrimin e kuajve sepse për nevoja të luftës, ushtria italiane, bëri konfiskime në masë të kuajve duke eksportuar me qindra krerë në Itali. Ndryshe u paraqit situata pas Çlirimit ku megjithë prishjen e strukturave të ekonomisë tradicionale, krijimin i ekonomisë shtetërore apo kolektivizimin e bujqësisë, kali përsëri vijoi të mbetej një fuqi pune e konsiderushme. Po kështu u bënë përpjekje nga ana e strukturave shtetërore për përmirësimin e racave të kuajve. Pas vitit 1945 u sollën për kryqëzim kuaj arabo-oriental apo pela sarde dhe anglo-arabe nga Jugosllavia.

 

Ndërsa gjatë viteve 50 erdhën kuaj të races së pastër arabe nga BS. Sipas anuarit statistikor të Republikës Popullore të Shqipërisë për vitin 1958, rrethi i Fierit numëronte 3700 kuaj dhe 1600 pela, rrethi i Lushnjes 1600 kuaj dhe 800 pela ndërsa rrethi i Beratit, në të cilin përfshihej edhe një pjesë e Myzeqesë kishte 1500 kuaj dhe 400 pela.

 

Në fillim të viteve 60, në fermat shtetërore dhe kooperativat bujqësore ndesheshin kryqëzime të racës halfinger, nonius dhe sufelk, si kuaj gjysëm të rëndë për punime bujqësore. Statistikat zyrtare për vitin 1962 jepnin shifrën se në vendin tonë mbarështroheshin 119 200 krerë njëthundrakë, baraz me 9.5 krerë për ha.

 

Ndërsa pas viteve 70, kur thellimi i reformave shtetërore, eleminimi i pronës private dhe mekanizimi i ekonomisë, përdorimi i kuajve u kufizua vetëm për disa qëllime transporti dhe punime bujqësore. Kjo situatë u pasqyrua edhe në zonën e Myzeqesë në rrethet e Fierit, Lushnjes dhe pjesërisht të Beratit, ku përdorimi i kuajve për tërheje ose ngarkesë vijoi të përdorej në disa ndërmarje shërbimesh, ferma dhe kooperativa bujqësore. Në këtë kohë u shkatërruan edhe kolonitë e kuajve të egër që jetonin përgjatë bregdetit të Adriatikut. Kjo gjendje do ta karakterizonte mbarështrimin e kësaj specie deri në vitet 1990. Më pas rënia e sistemit komunist dhe shkatërrimi i strukturave ekonomike solli edhe privatizimin e të gjithë kuajve që kishin qënë deri në atë kohë në pronësi të shtetit.

 

Pas kësaj kohe nisi mbarështrimi i tyre nga individë të ndryshëm dhe kryesisht në fshat, ku vijoi shfrytëzimi i punës së tyre. Po kështu nisën edhe inisiativat e ndryshme për organizimin e garave sportive, kryesisht nga individë të apasionuar pas kalërimit. Gjithsesi edhe këto përpjekje nuk u ngjitën në shkallën e traditës së dikurshme, mbetën përgjithësisht sporadike dhe larg kujdesit të strukturave të shtetit.

 

Shënim: Artikullit, për arësye formatimi, i janë hequr referencat.