
Kamenica e Delvinës, katër shekuj pas shkatërrimit të një perle mesdhtare
Fshati mesjetar i Kamenicës ndodhet në rrethinat e Delvinës, 5 km larg qytetit, rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjerë. Ai shtrihet mbi dy kodra të ulëta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë prej lindjes në drejtim të perëndimit. Fshati në të kaluarën zinte dy lartësitë e kodrave, qafën që i bashkon ato si dhe shpatin e tyre jugor.
Kamenica, megjithëse në një pozicion të favorshëm gjeografik, ka ngelur jashtë shënimeve të udhëtarëve të huaj dhe të vetmit burime me vlerë janë regjistrat kadastralë të Perandorisë Osmane. Në regjistrin e vitit 1431-1432, fshati i Kamenicës i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte gjithsej 267 shtëpi (208 me kryefamiljarë, 37 shtëpi me vejusha dhe 22 beqarë), duke pasur si pronë të fshatit 400 rrënjë ullinj, 1 vresht dhe taksat që paguante fshati ishin 19.740 akçe. Në regjistrin e vitit 1519-1520 fshati i Kamenicës kishte tri lagje: Kakori, Gajdaç dhe Dolodos.
Në regjistrin e vitit 1582 fshati kishte 606 familje dhe katër lagje jashtë pjesës kryesore Kamenica (222 familje), Vulur (92), Vragoj (89), Makuri (119), Gandaç (84). Mjafton të përmendim se Gjirokastra, kryeqendra e sanxhakut të Shqipërisë, kishte 163 familje tregon madhështinë e Kamenicës. Problemi më i vështirë për t’u zgjidhur në mungesë të të dhënave është ai i datimit të ndërtimeve të Kamenicës dhe i kohës rreth së cilës u braktis fshati.
Kamenica, siç del nga studimet më të fundit dhe zbulimet e specializuara në terren, në Mesjetën e hershme ka qenë më e zhvilluar se Delvina 5 km më tutje. Ajo ka qenë pika strategjike që kontrollonte rrugën Bregdet–Delvinë– Janinë, nëpërmjet Qafës së Lavanit dhe Kardhiq–Delvinë– Janinë nëpërmjet Qafës së Skërficës.
Pukëvili në shënimet e tij shkruan “Nga bregu i detit, të huajt nisen për në Janinë, kalojnë nga Borshi, Piqerasi, Lukova, Shën Vasili, Nivica dhe arrijnë në Delvinë”. Kur mbërrin në Palavli, ai shkruan se nuk i ngopeshin sytë duke shikuar bukurinë e qarqeve të Delvinës. Në këto qarqe të bukura rreth Palavlisë, ku shtrihet një fushë e gjerë me toka pjellore, në veri gjenden kullota të mira për bagëti, ndërsa klima e butë favorizon rritjen e ullirit, ku bënte pjesë edhe Kamenica.
Rruga që ndërlidhte Finiqin dhe Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe më tej me atë të Drinos, kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave në jug të fshatit Kamenicë. Kjo rrugë përfundon në qendër të fshatit, i cili është sheshi më i gjerë, në masën e dendur të ndërtimeve. Kësaj qendre i përket dhe toponimi: Qafa e Pazarit.
Kamenica duhet të ketë patur një pamje madhështore. Ndërtimet kanë një dendësi të madhe, por kjo është veçanërisht e theksuar në zonën rreth qendrës së fshatit. Në gjendjen e sotme fshati i rrënuar i Kamenicës ruan deri diku mirë një numër të madh ndërtimesh, ku pjesën dërrmuese e zënë banesat, krahas tyre ruhen dhe disa kisha. Fshati Kamenicë në pikëpamje të urbanistikës është me tipare të qarta të një qyteti mesjetaro-bizantin.
“Ç’deshe ti në Kamenicë, mos t’u poqën rrusht’ a fiqtë”!…
Etno-muzikologu Fitim Caushi ka një ide, një mendim lidhur me shkatërrimin e Kamenicës. Ai e lidh këtë me një këngë popullore shumë të përhapur në jug të Shqipërisë. Është një këngë e vjetër, aq e vjetër sa dhe historia e braktisjes së Kamenicës, një këngë, të cilën shkrimtari ynë i mirënjohur, Ismail Kadare, e ka vënë jo vetëm në qendër të librit të tij “Biografia e popullit tonë në vargje”, por edhe në qendër të vëmendjes, si një monument të vogël buzë një rruge të gjatë krijimtarie për një nga perlat më të rralla të pasurisë gojore të popullit.
Por, veç shkrimtarit tonë të shquar, me këtë këngë është marrë edhe një studiues tjetër, jo fort i njohur për emrin, më shumë se sa për kujdesin dhe skrupulozitetin shkencor në ato që ka shkruar, që është autori i disa librave, muzikologogu dhe folkloristi, Fitim Caushi.
Në librin e tij “Gurët e lashtë të kështjellës së folklorit”, Fitimi, me një analizë tepër të detajuar dhe të hollësishme, argumenton se kënga “Ç’deshe ti në Kamenicë!”, e quajtur ndryshe kënga “Hanko pehlivaneja” (Hanko, mos kalo mbi varre,/ se të vdekurit i ngjalle, / të gjallët i vdiqe fare”!…), është një këngë që ka lindur shumë shekuj më parë, dhe pikërisht, në ato vite që është shuar Kamenica, në ato vite që njerëzit kanë marrë arratinë, duke lënë të shkretë këtë qendër të bukur banimi, më të bukurën e trevës së Delvinës dhe rrëzës së Malit të Gjerë, tepër të lashtë dhe me histori që shkon që nga Lufta e Trojës deri Mesjetën e hershme, me një ndërprerje drastike të jetës, tepër të çuditshme dhe misterioze.
Për këtë ndërprerje janë ngritur hipoteza nga më të ndryshmet që ende nuk kanë gjetur shpjegim, nëse ka qenë presioni për islamizimin e tij, konfliktet e ashpra me perandorinë osmane, ka qenë ndonjë luftë apo inondatë natyrore, që fshati të braktiset në atë mënyrë brenda një dite dhe njerëzit të marrin arratinë. Një hall i madh duhet të ketë qenë shkaku i këtij eksodi masiv.
Po ku shkuan? Edhe për këtë ka hipoteza të ndryshme, por ajo që është më bindëse, është se ata kanë shkuar në Kalabri, ku edhe sot ekziston një ngulim me këtë emër. Por le të lemë këtë argument dhe të hidhemi te kënga, me vargjet e të cilët titullohet edhe ky shkrim. Sipas studiuesit Caushi, kënga ka lindur pas një ose pas disa vjetësh nga braktisja e Kamenicës, kur Hankoja, bijë e këtij fshati, martuar në një zonë të largët, kthehet në Kamenicë, të cilën e gjen të shkretë.
Ndaj kënga thotë: “Ç’deshe ti në Kamenicë, mos t’u poqën rrushtë e fiqtë?”. Dmth, “këtu s’ka mbetur gjë, madje as rrush e as fiq, të cilat bëhen edhe pa njerëz, ti, ku vete”?! Megjithatë, Hankua shkon te varret e të parëve. “Hanko, mos kalo mbi varre, me fustanin zvarrë-zvarrë, se të vdekurit i ngjalle, të gjallët i vdiqe fare!…”
Kështu thotë kënga. Domosdo, dhimbja është e madhe. Aty brenda në këta varre janë të afërmit e Hankos, që s’dinëse çka ndodhur, por që “gëzojnë”, që pas kaq vitesh vjen pranë tyre një e gjallë. A nuk kanë ata të drejtë të ‘ngjallen’ në këtë rast!?…Por kënga ka edhe vargun tjetër, po aq të fortë sa edhe të parin, që thotë se ndërsa të vdekurit i ngjalle, “të gjallët i vdiqe fare”.
Kush ishin të gjallët? Ishte vetë Hankoja që nuk mund t’i rezistojë kësaj gjëje. Ishte ndoshta shoqëruesja e saj, që natyrshëm mund t’i ketë thënë Hankos, “mos më, se na vdiqe kështu duke qarë përmbi varre”! Por mund të kenë qenë edhe të tjerë që e kanë parë Hankon atje dhe janë prekur, kanë ndjerë dhimbje, duke thënë: “na vdiq, na mbaroi kjo”! Ndaj poeti popullor këto dy raste i ka përgjithësuar me mesazhin e fuqishëm se “edhe të vdekurit ngjallen, por edhe të gjallët vdesin” në ngjarje të tilla, në histori të tilla, siç është ajo e Kamenicës…
Studiuesi Fitim Caushi mendon se kënga për Hankon që komenton Kadareja, mund të ketë ekzistuar para shekullit të 17-të, pra mund të ketë lindur dhe është kënduar përpara elegjisë që ballafaqohet këtu për Hanko korbën.
Ndërsa pas fatkeqësisë së madhe të Kamenicës, pas braktisjes së saj gjatë shekullit të 17-të, kur fshati ishte krejtësisht i braktisur në një gjendje shkretie dhe e gjithë zona përreth kishte ndjerë thellë ndjesinë e kësaj shkretie, kënga e Hankos është me një tjetër kontekst, elegjiak.
Dhe e tillë do konsideruar, thotë Caushi. Mund të ketë ndodhur edhe tjetra, me qenë se vargjet e këngës tingëllojnë fortë, ato janë “përkthyer” si një dëshirë erotike. Për një studiues të kujdesshëm, çdo gjë është e mundshme. Ndaj dhe studiuesi i mësipërm i pranon të dyja mundësitë.
Kamenica, në vëmendje të arkeologëve
Për Kamenicën është shkruar që në vitin 1970 nga Aleksandër Meksi. Në atë kohë pati një ide të vijonte projekti me zbulimet arkeologjike, por sa u evidentua ekzistenca e fshatit, projekti u ndërpre. Këtë fat harrese kanë patur edhe disa fshatra të tjerë të lashtë në luginën e lumit të Vlorës, të organizuara si qytete të vogla, siç është fshati i dokumentuar që shekullin i 9-të, Brataj apo Grehoti në Gjirokastër.
Pas 400 vjetësh kthehen në Kamenicë arkeologët, të cilët kanë hedhur dritë mbi historinë e këtij fshati-qytet. Sipas tyre, Kamenica është një nga perlat më të bukura mesjetare që ruhet deri më sot më Mesdhe.
Është një fshat që ruhet plotësisht me rrugica, me dyqane, me punishte, por për fat të keq është pak i studiuar dhe pak i vlerësuar. Ndër zbulimet më të rëndësishme që ka bërë grupi arkeologjik përmenden dy nga rezidencat kryesore të fshatit, ku njëra është ajo e kishës dhe tjetra e pronarit administrativ të fshatit.
Është dokumentuar gjithashtu në mënyrë sipërfaqësore edhe një lagje tjetër, ku duken gjurmët e banesave, ku është një kishë dhe një manastir. Është bërë tashmë edhe dokumentimi grafik, duke ruajtur materialet e para sipërfaqësore që do studiohen për të parë periudhën se kur ka filluar ky fshat dhe se kur ka përfunduar.
Në Kamenicën e sotme të rrënuar ka banesa me dy, tre, katër kate. Ka një urbanistikë të përcaktuar. Ka ndërtesa në këmbë që vetëm çatitë u mungojnë dhe ruhen me shenja të qarta të tre dhe 4 kateve nëpër muret e tyre. Janë elementë që datojnë deri në shekullin e XII dhe kanë vijuar deri në shekullin e XVI-XVII. Edhe pse janë braktisur që nga shek. I XVII, muret qëndrojnë ende në këmbë, për arsye të teknikës së përsosur të ndërtimit.
Në qoftë se sot shohim dhe mrekullohemi para Mangalemit të Beratit, arkeologët që janë marrë me zbulimin e këtij fshati, thonë se në Kamenicë është një shumëfish i lagjes së Mangalemit. Fizionomia e këtij fshati është i së njëjtës periudhe mesjetare, ku arkitektura e kësaj periudhe ka marrë edhe tipare orientale.
Mendimi i arkeologëve pas këtij zbulimi është që të hapen mjedise të vizitueshme dhe nëse ky fshat do të ruhet i tëri do të ketë interes të madh për turistët.
————–
“Zylyftar Hoxha, “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Tiranë 2019, faqe 34 – 41