Kanionet e Gradecit: “Terra incognita” për turistët e aventurës

Kanionet e Gradecit: “Terra incognita” për turistët e aventurës

Zylyftar Hoxha

 

Po kaq madhështorë sa Kanionet e Osumit, por disi më enigmatikë e të kreshpëruar paraqiten kanionet e Gradecit, që përshkohen nga lumi që vjen nga Ostrovica e Qafa e Beçit.

 

Këta kanione janë 3 km të gjatë dhe fillojnë te ura e Osojës me një portal të ngushtë 3-4 m, tërë dredha, që dëshmon se lumi, ndoshta në periudha milionavjeçare, e ka patur shumë të mundimshme për ta çarë, por edhe për të skalitur e latuar një kompleks skulpturor fantastik.

 

Muret vertikalë të këtyre kanioneve kanë lartësi më të madhe se ata të Osumit, që shkojnë deri në 100-200 m të lartë. Mbi këto lartësi, në buzë të shkëmbit janë ngritur shtëpitë e fshatrave Osojë, Gradec, Vëseshtë dhe Pirogosh, që i japin jetë tablosë, e cila të del përpara si një pikturë akuareli.

Në krahasim me kanionet e Osumit, kanionet e Gradecit, për shkak të lartësisë së madhe të shpateve të thikta dhe shtratit të lumit mbushur me shkëmbinj të mëdhenj, pragje vertikalë dhe katarakte, janë të vështirë për t’u përshkuar, por jo të pamundur.

Vendet, ku, siç thonë, as dreqi nuk ka guxuar të afrohet, janë idealë për ngjitje alpinistike me vështirësi maksimale.

 

Kanionet marrin kthesë për nga perëndimi me një grykë të ngushtë 2-3 m, pikërisht atje ku dhe ndodhet një tjetër mrekulli e natyrës, për të cilën do të flasim më poshtë, shpella e Pirogoshit.

 

Ata përfundojnë te ura mesjetare e Kasabashit, ku nuk mund të mos bësh një foto me kompozim harkun e urës legjendare dhe sfond të çarën më të madhe të kanioneve midis Gradecit dhe Vëseshtës.

E, ndërsa vëmendja e turistëve është përqendruar në kanionet e degës më të madhe të Osumit, kanionet e Gradecit njihen pak ose aspak. Kjo vjen për shkak të vështirësive të terrenit, pasi ata të papërshkueshëm, por edhe se në krye të tyre mungon rruga dhe elementë të tjerë infrastrukturorë.

Kanionet e Gradecit janë shumë herë më panoramikë se ata të Osumit, por janë edhe shumë herë më të përshtatshëm për aventura dhe sporte ekstreme.

 

Duhet që qeverisja vendore të bëjë më shumë për promovimin e tyre, pasi është një linjë aventurore shumë e bukur dhe e pashkëputur: Guhak, Ura e Kasabashit, Tunelet e famshëm të Pirogoshit, Shpella e Pirogoshit, Kanionet e Gradecit deri në portat hyrëse të tyre në fund të Osojës.