Kanionet e Nikollarës, një mrekulli tjetër turistike e Skraparit, fatkeqësisht fare e panjohur

Kanionet e Nikollarës, një mrekulli tjetër turistike e Skraparit, fatkeqësisht fare e panjohur

Eshtë për të ardhur keq, që, edhe pse janë pjesë dhe vazhdim i Kanioneve të Osumit, Kanionet e Nikollarës, nuk trajtohen si të tillë dhe nuk ekzistojnë fare në hartën turistike të Skraparit.

 

 

Si kanionet e Skraparit merret unike pjesa nga Çorovoda në Hambull, 19 km, edhe kjo me dy ndërprerje, një te pasarela e Dervish Muhametit deri te Mullii i Babait dhe tjetra, nga Ura e Sharovës deri te Shkëmbi i Grepckës dhe harrohet ndërprerja relativisht e gjatë, nga Hambulli deri në këmbët e malit të Miçanit, ku shfaqen madhështorë, me një panoramë fantastike Kanionet e NIkollarës, të cilët, edhe natyrshëm, edhe shkencërisht, gjeografikisht, janë e njëjta njësi gjeografike; në të njëjtin lumë, me të njëjtat veçori dhe krakteristika gjeomorfologjike, me të njëjtën bukuri e madhështi, madje këta të Nikollarës, edhe me disa elementë natyrorë më të veçantë se të kanioneve të njohur si Kanionet e Skraparit.

 

Natyrisht që mungon infrastruktura rrugore për të shkuar deri atje, pasi duhet të udhëtosh dy orë nëpër vështirësitë e zallit të lumit, por kjo nuk do të thotë të mos i bësh të njohur edhe për kulturë, por edhe të vizitueshëm për ata që kanë dëshirë ta vizitojnë, turistët e aventurës.

 

 

Mendojmë se, ndërsa bëhen përpjeje për të zgjeruar hartën turistike, në këtë rast ka humbur kot shumë kohë vetëm për njohje, për promovimin e një lokacioni, e një vlereje turistike të jashtëzakonshme.

 

 

 ***

Më poshtë, për një informacion më të plotë për Kanionet e Nikollarës po japim një postim të këtyre ditëve të gazetarit dhe botuesit, bir i këtij fshati, Naim Zoto dhe disa të dhëna historike për fshatin Nikollarë:

 

 

“Ura e Hazbiut”; kështu quhet ura që hap portën e kanionit të parë të lumit Osum (lumi që, si thotë poeti Xhevahir Spahiu, më ka parë i pari cullak edhe mua, natyrisht, pas nënës time).

 

 

Këtu përfundon, ndoshta, më i larti kanion i këtij lumi (që, për fat të keq, njihet vetëm nga një grusht njerëzish vendalinj).

 

Kanioni i Nikollarës, emërtohet kështu me emrin e fshatit pranë lumit, nis në këmbët e fshatit dhe, duke çarë mespërmes një mal të tërë (Malin e Miçanit), përfundon pikërisht te Ura e Hazbiut, një urë e varur prej druri.

 

 

Është interesante të vëresh se të tre emërtimet që lidhen me kanionin; Kanioni i Nikollarës, Mali i Miçanit dhe Ura e Hazbiut, ndërlidhin dy krahinat: Dangëllinë me Skraparin.

 

Miçani është një katund qe gjendet në anën tjetër të lumit Osum dhe i takon rrethit të Përmetit, ashtu si edhe emri i urës që i atribouhet një personi që njihet se ishte po nga ky fshat.

 

 

Por emri i kanionit i takoi Nikollarës, mbase për ta kompensuar për shkak se ana lindore e malit që u nda nga uji ishte shumë më e vogël se pjesa perëndimore që i mbeti Miçanit të Përmetit.

 

 

Nikollara, që është edhe vendlindja ime, kufizohet me 3 rrethe: me Kolonjën në jug, Korçën në lindje dhe Përmetin apo Dangëllinë në perëndim.

 

 

Është një xhep ku mund të futesh përmes një rruge automobilistike, por nuk shkon dot më tej: kjo krahinë që kufizohet me 3 rrethe nuk lidhet as me Përmetin, as me Korçën dhe as me Kolonjën, veçse përmes këmbësh.

 

Kanioni i Nikollarës, i cili nuk është veçse një autostradë natyrore lumore prej disa kilometrash që kufizohet me Urën e Hazbiut në perëndim, në lindje apo në hyrje të tij shfaqet me një befasi tjetër, atje ku gjendet një mrekulli e çudi e natyrës dhe e njeriut: plantacioni me ullinj i Dervishies, më i madhi dhe i vetmi në kufijtë malorë të Kolonjës, Korçës, Skraparit dhe Përmetit.

 

Vetëm ekspertë të frutikulturës, të klimës mund të sqarojnë se si u krijua ky plantacion ullinjsh në këto skërka e shkrepa apo, thënë ndryshe, në këtë fund të botës!

 

 

Se jashtë këtij oazi mesdhetar duhet të kthehesh mbrapa me qindra kilometra për të parë ullinj e agrume.

(Flm Dashnor Dostit për disa nga fotot ilustruese)

 

 

 

Histori e shkurtër e fshatit Nikollarë

 

Në regjistrin osman të vitit 1432 të kazasë së Skraparit shkruhet se fshati Nikollarë ka katër shtëpi dhe paguan 225 akç taksë.

 

 

Në dy rreshta më poshtë po në këtë regjistër shkruhet: “Kisha e Aya Nikollit në Nikollarë nuk ka pronë”.

 

 

Ndoshta kjo kishë më pas u kthye në një vend të shenjtë muhamedan dhe u quajt Dervishie. Ishte pronë teqeje dhe u quajt e tillë sepse ato prona punoheshin dhe administroheshin nga dervishët e teqeve.

 

 

Veç historisë së vjetër, Nikollara ka hyrë në historinë e re të Shqipërisë si fshati që gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u kthye i gjithi në Spital Partizan, një nga spitalet më të mëdhenj në atë kohë në Shqipëri, ku kryheshin operacione tepër të vështira.

 

 

Megjithëse fshatarët sakrifikuan aq shumë duke u strehuar vetë ku të mundnin, në kasolle, tenda të improvizuara me dushqe dhe ngryseshin e gdhihehin mbi kokat e të plagosurve, duke lënë pas dore femijët e tyre, nuk përfituan asnjë lloj statusi, veçse pllakave përkujtimore si “Shtëpi – baza të LANÇ”.

Kjo foto mbi 100 vjeçare e Nikollarës, e bërë në vitin 1914, pas masakrave që bëri greku në jug të Shqipërisë, e publikuar nga Qetësor Gurra, është shkrepur nga krahu përmetar i Malit të Miçanit, nga ku duket krejt Nikollara.

Pikërisht këtu nis Kanioni i Nikollarës!