Kapedanët rilindas Tefik e Tajar Vëndresha që bënë aq shumë për Shqipërinë, por që, fatkeqësisht, kanë mbetur në mjegullën e harresës

Kapedanët rilindas Tefik e Tajar Vëndresha që bënë aq shumë për Shqipërinë, por që, fatkeqësisht, kanë mbetur në mjegullën e harresës

 

Ata vërtet janë dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen Patriotike që herët, dhe gjëja ka ngelur deri këtu, megjithëse veprimtaria e tyre ka qenë tepër e madhe, frymëzuese dhe meritonte më shumë si në vendlindjen e tyre, në Vëndreshë, ashtu edhe në qendrën e rrethit të Skraparit, në Çorovodë, për emërtimin e ndonjë institucioni, sheshi apo rruge, por asgjë e tillë nuk është bërë dhe askush nuk kujtohet ta bëjë..

 

 

Shkrimi që po botojmë më poshtë për ta, është shkruar nga i ndjeri Abdulla Bregu, dhe është i vetmi “vlerësim” madhor dhe i merituar, që hedh dritë për jetën dhe veprimtarinë e tyre atdhetare.

 

 Fillimisht ky shkrim është botuar nga unë në gazetën “Dielli i Tomorrit” në vitin 2005 dhe më pas në gazetën “DITA”, ku unë kam punuar për disa kohë.

 

 

Po e risjell në vëmendje të lexuesve të “Orakujve të Tomorrit” me idenë se shumë nga ndjekësit dhe lexuesit nuk kanë patur mundësinë atëhere për të kontaktuar me këtë material.

 

 

Besoj se do t’ia vlejë.

 Zylyftar Hoxha

 

 

 

 

 

 

 

Avdualla Bregu

 

 

 

Fisi i Zaimllarëve është fisi i Tefikut dhe i Tajarit. Një nga të parët e fisit Zaimi mori  si shpërblim për karrierën ushtarake titullin bej, titull fermanli që u tashëgua brez pas brezi deri në ditët tona. Sipas të parëve, origjina e Zaimllarëve është nga Kudhësi i Vlorës (Himara), ardhur në Vëndreshë për hasmëri.

 

 

Janë të njohur si burra të ndjerë dhe që kanë bërë histori nga ky fis Velikua, Kasëmi, Taullau, Caushi, Sulua, Bidua, Faslliu, Bedriu, Lazja etj. Në këtë fis emër kanë lënë edhe gratë si Mania, Ruhija,  Xhemja, Bejekua, që ua kalonin edhe burrave me gramë. Më vonë u dallua Tabekua për kulturë e trimëri të veçantë. Por më i njohur u bë ky fis në gjeneratën e Tefikut dhe të Tajarit, të cilët morën për mbiemër emërin e fshatit, Vëndresha, si dhe vëllezërit e tyre, Samiu e Abazi, që edhe ata s’binin më poshtë se Tefiku e Tajari.

 

 

Zaimllarët janë marrë me bujqësi dhe blegtori, dhe ajo që ka qenë e veçantë për ta ishte kultivimi i krimbit të mëndafshit. Por ata kanë patur edhe një zanat tjetër, po ta quajmë kështu, armën krahut në të gjitha nevojat kombëtare. Edhe më pas, deri në ditët e sotme, pasardhësit e kanë ruajtur emrin e fisit dhe spikasin me veprimtarinë e tyre të dallueshme, duke zënë një vend të nderuar dhe të respektuar në shoqëri.

 

 

 

Në Frashër

 

 

E ëma e Tefikut dhe Tajarit, Ruhija ishte nga Frashëri, fis i Frashërllinjve të mëdhenj. Si nipër që ishin në Frashër, në rininë e tyre ata shkojnë dhe rrinë për një kohë të gjatë te dajot, të cilët i çuan për t’i edukuar në teqenë e Frashërit, e cila në atë kohë ishte bërë një qendër e rënësishme për veprimtarinë patriotike, por edhe përhapjen e gjuhës shqipe. Në teqe ata gjetën një ambient të ngrohtë dhe familjar, veçanërisht nga dervish Avdullai, që ishte nga Spathara. Aty ata u njohën edhe me shumë djem të tjerë nga Kolonja, Korça, Përmeti, Gjirokastra e Skrapari, të cilët më pas u shquan për veprimtari patriotike.

 

 

Për pak kohë ata jo vetëm mësuan vetë për të shkruar e lexuar gjuhën shqipe, por u bënë mësues për të tjerët. Me martinën në njërën anë dhe torbën me libra në anën tjetër ata shkonin në fshatrat e zonës së Vëndreshës dhe më vonë të Myzeqesë duke u mësuar të rinjve shkrim e këndim.

 

 

 

Me Bajon dhe Çerçizin

 

 

Takimi parë me ta është bërë në Frashër rreth vitit 1906. Dy luftëtarët e mëdhenj lanë mendt nga paraqitja fizike e dy vëllezërve nga Skrapari: të gjatë kavakë, me ato leshërat e lëshuara mbi supe, tipike kaçakçe, me kallca e fustanella, me qylaf e brez dhe me një mënyrë të bukur e të veçantë si mbanin armën.

 

 

Por atyre u bëri më shumë përshtypje zgjuarësia e djemve, të cilët ato pak fjalë që thanë në atë takim të shkurtër kishin zenë vend si guri me sërë. “Trima, ju duhet të shkoni në Vëndreshë, u tha Bajo Topulli, të ngrini popullin. Kupa është mbushur plot, nuk durohet më. Turkut i ka ardhur fundi, por ne duhet ta shpejtojmë këtë fund. Ne kemi besim se ju do t’ia dilni, ini, marshallah, si dy yje qielli…”.

 

 

 

 Formimi i çetës në Vëndreshë

 

 

Mbas këtij takimi ata erdhën në Vëndreshë dhe filluan nga puna…Tek Bregu i Ibërshimit u zhvillua një mbledhje ku morën pjesë gjithë burrat e krahinës, që nga Vala e deri në Spatharë. U formua çeta dhe njëzëri u zgjodh në këtë mbledhje komandant i saj Tefik Vëndresha. U vendos të bashkëpunohej edhe me çetat e tjera në zonë si me atë të Mehmet Pavarit, Zaim Bubësit, Riza Velçishtit etj.

 

 

Luftëtarët e parë që u rreshtuan në çetë ishin Tajar Vëndresha, Estref Zaimi, Qamil Islami, Kasëm Zaimi, Feim Xhelali, Bektash Agai (Cici), Ali Sevdari, Xhemal Bakiu, Bektash Hysi, Mestan Bakiu, Muharrem Musai, Nebi Musai, Myslim Kuçi, Qemal Lula, Myslim Zeka, Daut Bregu, Orhan Bregu, Mustafa Shehu, Ali Bano, Xhemal Zeka etj. Por çeta më pas u zgjerua edhe me luftëtarë të tjerë. Luftëtarët shkonin me radhë dhe sipas nevojës. Detyra e saj ishte të paralizohej pushteti i Turqisë, të mos paguheshin taksat dhe të shkohej drejt pavarësisë së vendit.

 

 

 

Derë e hapur

 

 

Familja e vëllezërve Vëndresha ishte derë e mik, si i thonë fjalës. Në Vinokash kishte miq derën e bejlerëve të Vilajve, që më vonë morën mbiemërin Trebeshina, tek e cila janë të njohur më vonë vëllezërit Kasëm dhe Myzafer  Trebeshina. Në Toshkëz kishte marrë gruan, por kjo miqësi më pas u prish. Në Veleshnje, tek Durkë Kadiu kishin martuar njërën nga motrat.

 

 

Në Nishovë kishin martuar një motër tjetër, që ishte e ëma e luftëtarit internacionalist, Mane Nishova. Një rastësi, por që më vonë u kthye në domosdoshmëri jetike për Tefikun e Tajarin ishte martesa e motrës tjetër në Pobrat të Beratit. Ata më pas u vendosën me banim përgjithnjë aty, madje Tefiku u martua me dy gra në dyer të pasura në Myzeqe, por  nuk i shkëputën lidhjet me vendlindjen, duke vepruar nga Myzeqeja në Tendën e Qypit. Ja si e përjetëson populli në këngë kapedan Tefikun:

 

Pa na merr dylbitë,

 na vështro nga malet,

Kapedan Tefikun

Ç’e kanë zënë hallet

Nën hijen e lisit

Po rrinin firarët,

Kapedan Tefikun

Ç’e kanë zënë hallet

Bukë edhe zemër,

 i japin çobanët,

Kapedan Tefikun

Ç’e kanë zënë hallet

Çorapet me lule

Ia sjellin lushnjaret

Kapedan Tefikun

Ç’e kanë zënë hallet

Dyshemenë me dhoga

I shtrojnë myzeqaret

Kapedan Tefikun

Ç’e kanë zënë hallet

 

 

 

Vrasja e Tefikut, makbethiane

 

 

Te dy trimat ndiqeshin nga koshallet turke, por ata ku ngryseshin nuk gdhiheshin. Turkoshakët, duke parë se s’po ua dilnin dot dhe përherë e më shumë po turpëroheshin na veprimet e dy luftëtarëve, përdorën një konflikt familjar. Kajmekamët e Përmetit dhe të Skraparit nxitën kunetrit e Tefikut që u kish lënë motrën për t’u hakmarrë. Rasti për krimin e shëmtuar nga koshallet erdhi kur Tefiku ishte caktuar selamaz në krye të krushqëve për të marrë një nuse në zonën e Përmetit.

 

 

Sipas zakonit te Çezma e Farkuar krushqve u kish dalë buka në rrugë. Pasi hëngrën, pinë dhe ia morën edhe valles, se në fund të fundit në dasëm ishin, krushqit u bënë gati të niseshin, kur u dëgjua një krismë e vetme. Dasmorët shikojnë njëri-tjetrin, por asnjë shënjë. Tefiku turfullonte i inatosur.     Plumbi e kish shpuar tej përtej, mjekoi plagën me ç’u gjet në çast, i hipi kalit, tundi këmbët në yzengji dhe vrap tutje, atje ku ishin nisur, për të marrë nusen. I porositi shokët që të mos tregonin te krushku se do të prishnin dasmën. Krushqit u pritën sipas zakonit, me këngë e me pushkë. Shaka dhe aheng, dolli dhe muhabet. Në kulm të dasmës, megjithse me plagë të fshehur në trup, Tefiku ia merr valles. Askush nuk e mori vesh se ai ishte plagosur. U kthyen në Vëndreshë me detyrë të plotësuar, duke zjellë nusen shëndoshë e mirë.

 

 

Por pas ca ditësh Tefikut i mori dallgë plaga dhe kur pa se s’ kishte më shpresë shpëtimi, thirri dy vëllezërit e tij, Samiun dhe Abazin: “Dëgjoni këtu, u tha, puna kështu erdhi, ti Sami do të marrësh nusen time të madhen, ndërsa ti Abaz të voglën”. “U çmende, i thonë të vëllezërit, nuk rrohet përmbi shpuzë”! ”Zeher është, por do ta pini, bëni kështu siç them unë”, i u thotë Tefiku. Kështu mbyllet historia e këtij trimi, një histori proverbë, makbethiane.

 

 

 

Çeta, nën komandën e Tajarit

 

 

Vdekja e parakohëshme e Tefikut u ndje shumë në të gjitha fshatrat e Vëndreshës, por edhe në zonën e Sqepurit, ku at ishin vendosur prej kohësh dhe ku vepronin. Çeta kaloi nën komandën e Tajarit për një arsye tepër të justifikueshme, pasi ai ishte krahu i djathtë i Tefikut, nuk ishte ndarë nga i vëllai për asnjë moment, dhe më mirë se ai, asnjë tjetër nuk e dinte ku do të dilte rruga që kishin nisur.

 

U desh shumë kohë që çeta të thirrej, çeta e Tajarit, pasi ajo mbante emrin dhe namin e Tefikut. Tajarit kjo i jepte forcë, i jepte zemër dhe e bënte më të zotë. Në çetën e Tajar Vëndreshës tashmë ishte rritur numëri i luftëtarëve,  11 veta kishte nga    Vëndresha e Parë,  7 nga Vëndresha e Dytë, 5 nga Vëndresha e Tretë, 10 nga Spathara, 10 nga Therepeli, 4 nga Vala dhe disa të yjerë nga fshatrat e Bubësit, Veleshnjes etj.

 

 

Por siç e kemi pëmendur edhe më lart, çeta kishte luftëtarë edhe nga zona Kutalli, Pobrat, Sqepur, Rërëz, Samaticë etj. Ndër luftëtarët më të përmendur të kësaj zone janë Gjokë Kërri, Todi Thanasi, Llambi Piti, Mitro Toli, Kole Kuqali, Jorgji Tefi, Miho Tefi, Shaqir Pobrati, Siku Kërri e shumë të tjerë.

 

 

 

Në ’12-ën e Pavarësisë

 

 

 Dhe më në fund, pas disa vitesh përpjekjesh, kaçakë mal më mal e breg më breg, me dyfek në krah, për kryengritësit shqiptarë më në fund kishte kishte ardhur dita e shumëpritur. Plaku i Vlorës që kishte ngritur flamurin e Pavarësisë dhe kish gëzuar zemrat e të gjithëve, porosiste që të mos uleshin armët deri në zhdukjen e plotë të mbeturinave turkoshake, por edhe për një rrezik tjetër që po i vinte Shqipërisë në atë kohë, sulmet e andartëve grekë në jug të vendit. Në këto kushte çeta e Tajarit nuk e ndërpreu veprimtarinë e saj, por u inkuadrua në atë pjesë së ushtrisë të shtetit të ri që po formohej.

 

 

Në dokumentet historike të kohës, në letrat dhe telegramet që vinin nga Qeveria e Vlorës ose anasjelltas del emri i Tajarit, të cilit i kërkohet ndihmë për vendosjen e administratës dhe formimin e xhandarmërisë në Skrapar.

 

 

Në telegramin që Ismail Qemali shkruhet: “…Siç na njofton Tajar beu, gjendja në kazanë e Skraparit është e mirë…”. Po kështu në një telegram tjetër që i dërgohet prefektit të Beratit thuhet që Xhelal Koprëncka marrë takim me Tajar beun, që ndodhet në Berat dhe bashkë të shkojnë në në Skrapar. Në një dokument tjetër telegrafik thuhet se…”u nisën për në Skrapar e Tomorricë për të dhënë këshillat e nevojshme dhe për të marrë masat e mbrojtjes dhe Tajar bej Vëndresha…”.

 

 

Në ato ditë të vështira, që bën fjalë edhe dokumenti, Tajari radhit pjesëtarët e çetës së tij krahas 3000 luftëtarëve që iu bënë rezistencë forcave greke, të cilat kërkonin të futeshin në Berat, nga Qafa e Martës, Ostrovica, Qafa e Gjarpërit e deri në Koshnicë. Ai, si mik personal i Ismail Qemalit dhe i shumë burrave të shquar të asaj kohe, qe deri në fund një luftëtar aktiv për forcimin e Qeverisë së brishtë të Vlorës dhe mori pjesë në veprimet ushtarake të saj në Skrapar dhe Myzeqe.

 

 

 

 

Vëllezër me krishterët

 

 

Siç është përmendur më sipër vëllezërit Vëndresha shkuan pranë së motrës në Pobrat të Beratit. Atje ngritën edhe shtëpinë e katandinë. Që andej ata e shtrinë veprimtarinë në të gjithë zonën që lidh Sqepurin me Skraparin. Kishin armiq, dihej, por kishin edhe miq të  shumtë e me besë. Në zonën e Kutallisë ata kishin miqësi me të krishterët që banonin aty, që u thoshin në atë kohë çobanë. Shumë nga ata u radhitën në çetën e Tefikut dhe të Tajarit.

 

 

Edhe sot përmendet vëllamëllëku me familjen e Gjok Kërrit nga Sqepuri, ndërsa Kostandin Todi Thanasi tregon se nga i ati ka dëgjuar shumë për vëllezërit Vëndresha, ata ishin miqtë e parë të çdo familjeje nga Samatica deri në Konisbaltë dhe më tej, në Roskovec, Fier e Lushnje. Siku Tefi, i moshuar, tregon se këngët kushtuar atyre trimave këndohen edhe sot në zonën e Kutallisë. Ja një prej tyre që këdohet në motivin Myzeqar:

Te ura e Konisbaltës

Seç u bë një gurgulè,

Si t’ia bëjmë, o Tajar be?

Kanë ardhur koshadhet

dhe na rrahin ne,

Si t’ia bëjmë,  Tajar ku je?…

 

 

 

 

Pinjojtë e bejlerëve, kundër racës së tyre

 

 

Megjithëse të njohur si derë bejlerësh, vëllezërit Vëndresha, duke u marrë me veprimtari patriotike, faktikisht kishin hequr dorë nga klasa e tyre. Në shumë raste bëmat dhe idea e tyre binte ndesh me idetë e shtresave të larta. Ndaj pikërisht për këtë ata gëzonin simpatinë e popullit, që i ndiqte pas dhe vështrimin vëngër të bejlerëve dhe agallarëve që në të shumtën e rasteve ishin lidhur me pushtetin shtypës.

 

 

Ndaj këtij rebelimi do të gjendej edhe rasti për ta mposhtur Tajarin. Në bashkëpunim me autoritet vendase në Berat i thurin intriga dhe e fusin në në vitin 1914 në burg, më tepër për ta thyer e për ta fyer. Pas ca kohësh ai doli nga burgu, por e dinte seç e priste më pas, raca e tij nuk do t’ia falte. U thurën thashetheme, u tëhorrën lloj-lloj shpifjesh nga më të ulëtat për ta futur në grackë.

 

 

Një ditë vëllamët e tij të bërë me hakikat e kërkonin te Varrezat e Goriçanit. Pa mëdyshje ai shkoi atje duke mënduar se ç’hall kishin. Si shpërblim të hakikatit ata i dhanë Tajarit një plumb të pabesë…Kështu merr fund edhe historia e kapedan Tajarit, një vdekje e ngjashme me atë të  vëllait, Tefikut, megjithëse kishin kaluar një jetë midis plumbash dhe plumbi u mori jetën, por meritonin një vdekje më dinjitoze.