Kapinova, “Voskopoja e vogël e Skraparit”

Kapinova, “Voskopoja e vogël e Skraparit”

Zylyftar Hoxha

 

Edhe tani pas kaq vjetësh i kam para syve çdo gur, çdo pllakë të avllisë, çdo shkallë e prag të asaj shtëpie, pasi i kam shkelur me mijëra herë një dimër të tërë kur kam banuar aty kur kam qenë mësues në Kapinovë në vitet 1966-67.

 

 

Gjatë mbrëmjes rrija në kuzhinën me oxhak me të zotët e shtëpisë, Reiz dhe Lule Bakiasin, që tani nuk jetojnëm, nuk më lanë të banoja gjetkë, por më morën në shtëpinë e tyre. U jam mirënjohës dhe u jam borxhli edhe tani që ata nuk jetojnë më, por që unë i kujtoj gjithmonë me nostalgji.

 

 

Lule e Reiz Bakiasi

 

Atë vit që isha atje mësova shumë histori interesante të këtij fshat, por më pas, kur unë iu futa gazetarisë dhe publicistikëse, njohuritë e mia për këtë fshat u plotësuan më tej kur Reiz Bakiasi më dha historikun e fshatit, të hartuar nga një grup bashkëfshatarësh nën drejtimin e birit të këtij fshati, të paharruarit Hetem Bakiasi.

 

 

Kapinovë, po pse e egër!?…

 

Që në fillim të këtij historiku, bëhen përpjekje për të shpjeguar emrin Kapinovë dhe Kapinovë e Egër që mori fshati.

 

 

Kapinovë është emër sllav, që do të thotë kap – lart, sipër, krye dhe nov- i ri. Dhe vërtet dikur Kapinova ka qenë në krye, vetëm, rrëzë Çukës së Frëngut, s’ka pasur fshat tjetër, pasi Krasta dhe Faqekuqi janë vendosur më vonë me shpërnguljet nga fshat Backë.

 

 

Ndërsa për atë që e quajnë Kapinovë e Egër është e lidhur me karakterin e njerëzve, që ky karakter është më i fortë atje dhe ku vendi është më i ashpër. Ky cilësim është bërë ndoshta  edhe për ta dalluar nga Kapinova e Beratit që ishte në të njëjtën kaza.

 

 

Dokumenti i parë, që vërteton vijimësinë e banimit të këtij fshati, është ai i defterëve osmanë i viteve 1431-1432, ku thuhet se Kapinova kishte 23 ekonomi dhe paguante 1850 akçe.

 

Më pas ajo përmendet në disa ngjarje historike, ku burra të këtij fshati kanë marrë pjesë në kryengritjet antiosmane të viteve 1740-60, që pas shpërbërjes së Gramshit, kanë qenë të shpeshta në krahinën e Tomorricës dhe të Potomit.

 

 

Thuhet nga pleqtë se në këtë kohë janë shpërngulur nga Kapinova Dalipajt e Gradecit, Seitajt e Luadhit dhe Xhallarët e Treblës në zonën e Tomorricës.

 

 

 Patriotë e luftëtarë

 

 

Pas Shpalljes së Pavarësisë, me rënien e Qeverisë së Ismail Qemalit, lëvizja kombëtare merr një zhvillim të ri në përpjekje për të ndalur copëtimin e Shqipërisë. Në këtë kohë riorganizohen çetat e vjetra dhe ngrihen çeta të reja luftëtarësh, siç ishte ajo e Avni dhe Muço Kapinovës që në harmoni me çetat e tjera, sidomos me atë të Sali Butkës dhe Lace Backës, Servet Zaloshnjës vepronte në zonat e Korçës, Skraparit, Dangëllisë, Kolonjës, Gramshit etj.

 

 

Janë disa luftime që ka zhvilluar çeta e Avni dhe Muço Kapinovës që nga 1913 deri në 1920 sidomos ato me andartët grekë në vijën e frontit Qafë e Martës e deri në Koshnicë, përpjekja me francezët në Korçë etj. Nxitje për të mos e ndërprerë veprimtarinë shërbeu vrasja e komandantit legjendar Lace Backës që ishte vëllam me të atin e Muços, Kajanë.

 

 

Një kapitull më vete janë për këta dy luftëtarë, që s’e hoqën pushkën nga krahu, është pjesëmarrja në Luftën e Vlorës dhe në Revolucionin e Nolit në vitin 1924 përkrah Riza Cerovës.

 

Muço Kapinova

 

Pas kësaj Zogu e dënoi Muçon, ndaj ai u detyrua që për disa kohë të qëndronte në arrati nëpër miq e shokë në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa herë iu organizuan prita, ndaj u detyrua të shkojë në Selanik. Në vitin 1926 del amnistia dhe ai kthehet në fshat.

 

Por Zogu nuk harronte kollaj, bëri atë që bëri edhe me Riza Cerovën. Në pabesi urdhëron vrasjen e tij. Më 15 gusht të vitit 1926  xhandarët i rrethojnë shtëpinë dhe në përpjekje për të çarë rrethimin, ai bie duke luftuar.

 

 Homazh

 

Duke folur për këtë fshat dhe për historinë e tij, nuk mund të mos ngrihesh në këmbë  për të bërë homazh nderimi viktimave të Luftës, atyre 23 burrave të pafajshëm të masakrës së 12 janarit të vitit 1944 në Tyrbenë e Krushovës.

 

 

Masakra naziste e Krushovës ka qenë një nga ngjarjet më të dhimbshme, që la gjurmë të thella e të pashlyeshme te të gjithë familjaret dhe të afërmit e viktimave. Megjithëse Kapinova u godit rëndë, ajo nuk u gjunjëzua para armikut, përkundrazi pas kësaj nxori luftëtarë të rinj në formacionet partizane.

 

 

Kapinova sot

 

Është ndër fshatrat më të braktisur, me bijtë e saj të larguar që herët, në vitet kur u bë kooperativë dhe më pas, pas viteve 1990. Ata janë shpërndarë anë e kënd Shqipërisë, por më të përqendruar janë në Dushk të Lushnjes, në Tiranë dhe në Durrës.

 

 

 

Kapinova ëshë një nga fshatrat më të bukur të Skraparit, me 5 – 6 burime të bollshme uji brisk të ftohtë, me një klimë të freskët, me një gjelbërim mbresëlënës dhe panoramë fantastike.

 

Ndoshta do t’i vijë dita që aty të zhvillohet turizmi malor, me motele dhe bujtina, dhe ka për t’u bërë një “Voskopojë e vogël e Skraparit”.

 

 

Le të shpresojmë, deri sa shpresa rron më shumë nga ne!