Katër vjet pa Abdulla Bregun

Katër vjet pa Abdulla Bregun

 

 

U mbushën katër vjet nga mungesa e mësuesit, drejtuesit të arsimit, studiuesit,historianit, publicistitit dhe qytetarit të devotshëm të këtij vendi, Abdulla Bregu.

 

 

Lindi në fshatin Vëndreshën e Parë në 15 prill 1942.

 

Gjatë gjithë jetës së tij dha një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat që përmendëm më lartë, veçanërisht në atë të mësuesisë. Ishte nga ata veteran të arsimit, që Ditën simbol  të Mësuesit, 7 Marsin e quante ditëlindjen e tij.

 

 

E quante ditëlindje këtë ditë, sepse me të lidhi dhe bëri jetën, një jetë aktive, me uljet e ngritjet e saj, gjithësesi e plotë, e bukur dhe e realizuar në të gjitha pikpamjet.

 

 

Atij i ra të punojë me disa lloj platformash pedagogjike, duke filluar nga ajo sovjetike, që vazhdoi deri në vitet ’70, më pas u bë reformimi dhe masivizimi i shkollës , që qe fushë e re e pashkelur, një revolucion i vërtetë i mendimit didaktik origjinal shqiptar dhe, së fundmi, në ndryshimet rrënjësore të teksteve dhe metodave të mësimdhënies.

 

 

Edhe këtu,  si një profesionist i aftë dhe zoti, me përvojën jetësore, maturinë dhe kujdesin që e karakterizonte në çdo gjë, ai qe ndër drejtorët dhe mësuesit avanguardist të mendimit pedagogjik. Janë me mijëra faqe me shkrimet e tij në gazetat profesionale të kohës, “Mësuesi”, Revista Pedagogjike, manualete didaktike qëndrore dhe lokale për metodat e reja në mësimdhënie.

 

Në arkivin e tij personal janë me mijëra faqe trajtesash dhe temash shkencore në veprimtari të ndryshme pedagogjike, konkluzionesh, mësimesh të hapura, eksperimente pedagogjike, të cilat kategorizohen pa frikë si krijimtari personale.

 

 

Por Abdullai nuk ishte thjesht mësues dhe misonar drite. Ai ishte krijues dhe hulumtues në disa fusha, duke lënë pas një visar botimesh, shkrimesh dhe studimesh.

 

 

Më shumë se kushdo koleg tjetër i asaj kohe, bëri dhe pati parasysh në të gjithë jetën e tij aktive intelektuale devizën latine “Verba volant, skripta manent”, që do të thotë se fjalët i merr era, humbasin, harrohen; e shkruara mbetet.

 

 

Ai vuante për fjalën dhe lozte me fjalën.

 

 

Populli thotë: I mençuri vuan dyfish, vuan të tijën, por vuan edhe të tjetrit. Dhe Abdulla Bregu ishte nga ata lloj intelektualësh, që më shumë se të tijën, vuante të tjetrit, jo fukarallëkun, por mosdijen, injorancën, varfërinë historike.

 

 

Është kjo arsyea që ai, më shumë se shumë intelektualë të kohës së tij, iu kushtua thesarit popullor dhe pasurisë historike të popullit tonë, iu kushtua letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj, duke mos i shpëtuar asgjë nga kryeveprat botërore.

 

 

Jo kushdo llafosej me Dulen, flas për njerëz të shkolluar, se ai të turpëronte me atë bagazh mendor shumëdimensional që shfaqte natyrshëm edhe në bisedat më të thjeshta dhe më të rëndomta.

 

Sepse “blinte”, dëgjonte shumë dhe “shiste” pak, pra fliste pak, se kështu veprojnë të mënçurit.

 

 

Ka bërë studime për ngjarje të zonës dhe për figura historike, të cilat i ka publikuar në organe të ndryshme të shtypit tone, siç janë Shaze Spathara, Sulejman Spathara, Syti Vëndresha etj.

 

 

Ka shkruar dhe botuar librat “Baba Fezo Therepeli – monografi”, “Riza Vala, njeriu i pamposhtur – monografi”, “Historia e Vëndreshës” me bashkëautorë Gëzim Aliajn”, “Hoqa pak pluhur, personazhe dhe profile të viteve 1614 -1944”, librin “Edhe kaq, mirë, një histori për shkollën e Vëndreshës”, romanin “Kapedani Ynë” etj.

 

 

Ka botuar shkrime monumentalë me të dhëna burimore dokumentare nga Arkivi i Shtetit për kryengritësit Rilindas, Tajar dhe Tefik Vëndreshën; shkrimin “Ganimet Vëndrësha, dallandyshja e parë e Baletit Shqiptar”, shkrimin “Ujët e thellë” për Mustafa Spatharën; “Pertef Therepeli – monografi” etj., të cilët i ka kthyer në libra në dorëshkrim, që presin dritën e botimit. Madje këtë të fundit e ka dërguar në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut për ta plotësuar me të dhëna të tjera atje.

 

 

Idhull kishte gjyshin, Daut Bregun, një njeri të ditur, me zgjuarësi natyrale dhe humor brilant, të cilit i ka mbledhr çdo falë e çdo bëmë, që përbën një libër tjetër në dorëshkrim.

 

 

Ai ishte një minierë floriri, një ajzberg, që shfaqte, si ajzbergu, vetëm 1/7 e dijeve të tij.

 

 

Kureshtar për gjithçka, lexues i rrallë, erudit, polemizues, sedërli, i traditës, i dollisë dhe i rakisë, një figurë e plotësuar në përsosmëri, që i kishte lezet edhe mënyra se si kruante kokën.

 

 

Ai siç e dhe fliste thjesht, qetë, me gurë kandari, me metafora dhe në mënyrë lakonike,  ashtu edhe shkruante me një stil të vetin, me një figuracion të pasur dhe plot kolorit nga që njihte mirë gjuhën e popullit, të cilën e përdorte shpesh në vendin dhe momentin e duhur. Natyrisht duke i shtuar edhe nota të forta humori.

 

 

I tërë opusi i tij shkencor, krijues dhe hulumtues, e bën Abdulla Bregun një figurë të ndritur, të nderuar dhe të respektuar në Skrapar në disa fusha.

 

# Zylyftar Hoxha

# Orakujt…