
Kazaja e Skraparit në Vjetarin Statistikor Osman të vitit Hixhri 1306/1888-1889
Kujtim Nuro
Kazaja e Skraparit gjatë administrimit Osman ka qenë gjithmonë nënprefekturë e sanxhakut (prefekturës) së Beratit, vilajeti i Janinës.
Duke u mbështetur në vjetarin statistikor osman të vitit Hixhri 1306/1888-1889, kaimekam (nënprefekt) i saj ka qenë ne këtë periudhë Abdylhalim efendiu dhe si naib (gjyqtar), Jusuf Agjah efendiu.
Kazaja ka patur zyrën e financës me drejtor Iljaz Hilmi efendiun dhe detyrën e sekretarit të zyrës së sekretarisë e ka kryer Xhelaleddin beu.
Gjithashtu, kazaja drejtohej dhe nga një këshill administrativ, i cili përbëhej nga anëtarë të përhershëm dhe të zgjedhur. Anëtarë të përhershëm kanë qenë: naibi, drejtori i finances dhe sekretari i zyrës se letërkëmbimit.
Kurse anëtare të zgjedhur nga popullsia, në vitin e lartëpërmendur janë:
Dalib beu, Qazim (?) beu, Sulejman beu dhe Bektash beu.
Njëkohesisht, në çdo kaza, gjatë administrimit osman, për zgjidhjen e konflikteve është krijuar edhe gjykata e fillimit. Detyrën e kryetarit të saj e ka kryer naibi.
Në kazanë e Skraparit, përveç naibit, kjo gjykatë përbëhej dhe nga 3 anëtarë, të cilit gjatë vitit 1306/1888-1889 ishin: Maksut aga, Çavush beu dhe Xhelal efendiu.
Kurse detyrën e sekretarit e ka kryer Omer Lutfi efendiu.
Abdylhamid Shykri efendiu ka qenë ndihmes prokuror i saj.
Përveç këtyre nënpunësve, në kaza kanë kryer detyra të ndryshme edhe nëpunës të tjerë, të cilët po i shkruajme si më poshtë:
1.Zëvendësdrejtor i zyrës se financës: Danjel efendiu
2.Nëpunës i zyrës së gjendjes civile: Sali efendiu
3.Polic: Ali efendiu
4.Arkëtari: Hamid efendiu
- Toger: Osman efendiu
- Mesuesi i shkollës fillore të Skraparit:
Qazim efendiu
- Mesuesi i shkolles fillore te fshatit Backë:
Said efendiu
- Sekretari i zyrës së kadastrës: Shefik efendiu
***
Qendra e kazasë së Skraparit është Çorovoda. Distanca e kësaj qendreje nga qendra e sanxhakut, Berati, është 9 orë larg.
Qendra e kazasë, Çorovoda, përbëhej nga një godinë qeveritare, një han dhe 10 dyqane. Çdo ditë të Enjte, në këtë qendër, zhvillohej dita e pazarit, ku vinte edhe popullsia e fshatrave të tjerë për të shitur produktet e tyre.
Brenda kazasë së Skraparit, në vitin 1888-1889, ndodheshin 2831 shtëpi dhe ishin nën vartesinë e saj administrative 58 fshatra. Kishte 3 shkolla fillore, 10 xhami, 13 teqe dhe një kishë.
Popullsia e kazase arrinte numrin 11974 banorë, prej të cilëve 11602 banorë i përkisnin besimit mysliman dh 372 banorë i përkisnin besimit kristian.
Banorët e kësaj kazaje, përveç bujqësisë dhe blegtorisë nuk kishin tjetër profesion dhe për rrjedhojë, një pjesë e mirë e burrave kanë emigruar në Turqi dhe në vende të tjera të Perandorisë Osmane.
Burimi:
Vjetari Statistikor Osman, Viti Hixhri 1306/1889-1889