Kleanth Dedi, “I fundmi i Mohikanëve”
Një bisedë mbresëlënëse me një prej figurave më të njohura të memoristikës shqiptare
Zylyftar Hoxha
Sot ai është plot 90 vjeç. Është një figurë e njohur e historisë, memoristikës dhe kulturës shqiptare, një figurë që ka investuar një punë të madhe profesionale si historian, muzeolog, studiues arti, studiues muzike dhe folklori.
Por për profesorin e asociuar Dedi puna më e bukur, që ai i ka kushtuar jetën intelektuale dhe profesionale, ka qenë realizimi i një projekti unik të madh, ngritja e muzeumeve historikë dhe etnografikë në të gjithë Shqipërinë.
Për muzet e Shqipërisë u punua në mënyrë të organizuar për shumë vjet, sipas seksioneve përkatëse, nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi dhe, i fundit, por jo nga rëndësia, siç marrim vesh nga biseda e tij, është vetë ai që kemi përpara në bisedë, Kleanthi Dedi.
Nuk ka muzeum në Shqipëri, që nga ai Kombëtar në Tiranë, i Skënderbeut në Krujë, i Armëve në Kalanë e Gjirokastrës, muzeume të rretheve, Arkivi i Shtetit dhe ai i Ministrisë së Brendëshmë etj. të mos ketë gjurmët e punës së tij të dokumentuar, të shkruar dhe skeduar, të memorizuar dhe të ekspozuar mjeshtërisht nga Kleanthi Dedi. Ai ka qenë si të thuash, “ustai i qoshes”, profesionisti, teknicieni dhe këshilltari më në zë i asaj kohe në institucionet më të larta të kulturës, të Ministrisë së Kulturës dhe nënndarjeve poshtë saj, drejtorive e instituteve kërkimore shkencore.
Ka vite që ka dalë në pension, por ashtu i heshtur, i pabujshëm, qibar dhe aristokrat klasi, që i “ka lezet vendi ku rri”, vazhdon të punojë, të bëjë projekte muzeale, të shkruajë dhe të botojë libra historiko-letrarë, monografi, studime dhe punime shkencore.
Si i “I fundit i Mohikanëve”, i studiuesve të asaj kohe, ai rrëfen punën plot pasion, përkushtim dhe skrupulozitet shkencor të kolegëve të tij, dashurinë dhe respektin për punën e njëri-tjetrit, dorën e ngrohtë të të vjetërve ndaj më të rinjve, vështirësitë e shumta për t’u shprehur hapur, përpjekjet për minimizimet ideologjike në punën e tyre dhe ankthin se si do të pritej vepra në fundin e saj.
Sipas tij, muzetë historikë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas sistemit kombëtar të arsimimit të tij. Muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore konktete të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to. Muzeumet janë ndihmës dhe konkretizimi më i mirë, më i thjeshtë dhe më përthithës i historisë. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët edhe në botën e jashtme.
Si përfaqësues i brezit të kaluar dhe si i vjetër, flet me dhimbje të thellë për humbjet e mëdha që ka pësuar kultura kombëtare shqiptare, veçanërisht shkrirjen e Instituteve të Historisë, të Kulturës Popullore, të prishjes së rrjetit të muzeumeve që ishte në çdo krahinë dhe pothuajse në çdo fshat të Shqipërisë.
Klenathi Dedi, trashgimia studimore – historike e tij
Veç vargut të artë të punës së tij krijuese, që janë shkrirë në arkiva dhe eksponate muzesh, janë edhe botimet:
“Qeveria e Përkohëshme e Vlorës 1912-1914”; “Përmbledhje të heroizmit shqiptar”; “Për ngritjen e punës në muze”; “Bibliografia e muzeumeve të Shqipërisë”; “Kënga Lunxhote”; “Zhulati me sytë e mi, lunxhotit (Vlerat e Zhulatit të artë,/ Nuk mund të hidhen në kartë…); përmbledhja e punës së Fane Veizit “Bregu i detit në këngë”; studimi “Pazari i Gjirokastrës jo thjesht si Pazar”; disa zëra për muzeumet në fjalorët Enciklopedikë Shqiptar të vitit 1985 dhe 2008; Skenari i dokumentarit “Lunxhëri plot lezete” etj etj.