Koha ka mbetur në vend, apo më duket mua sikur?!
Të mos të rrejë mendja se shteti ka vdekur. Provo e mos paguaj të shohësh!
Sefedin Çela
Në mes të korrikut, ime motër, im vëlla dhe unë, të tre me të njëjtin status, – pensionistë e vejanë, me kursimet e muajit, me 213 vjet jetë e një gjel me tesha në shpinë, i u vodhëm vapës e u ndodhëm të tre bashkë, si dikur fëmijë, në një banesë me qira në Ujë të Ftohtë, Vlorë.
Krahemarrje pleqsh, gënjen mendjen se po i a hodhe vapës, s’ke arsye tjetër për hatërmbetje.
Motra mori përsipër gatimin, vëllai, blerjet dhe financat dhe unë, atë që dija të bëja më mirë, të haja i pari dhe të sistemoja pjatat, dmth, t’i laja e t’i vendosja në rafte.
Pallë ariu, me një fjalë.
Kaq kisha bërë një jetë, po dy vitet e fundit më duhej të merresha me gjithçka e të ndjeja në shpinë çdo të thotë të të mungojë gjysma jote.
Banesa kishte katër garsoniera, të gjitha si jona, të mbajtura mirë e të pastra. Uji fishkellente në rubineta, i ftohtë akull e me presion, rridhte në dy tuba të tjerë, sikur murmuriste “oi – oi” një këngë që s’mbaronte kurrë, “oi oi”.
Aty mund të freskoheshe sa vije nga plazhi ose mund të laje veturën, në çdo orë që të donte qejfi, prapa derës prej llamarine të bojatisur.
Vellai, që kishte ardhur disa herë me radhë, kur kishte grua, njihej me emër e njihte me emer pritësit, por mua dhe motrës, edhe vëllait domosdo, nuk na hynë në punë kartat e identitetit, nuk u regjistruam kund.
Mos ndoshta statusi ynë si vejanë s’kish nevojë për formalitete të tilla?
Nuk e hapëm gojën, po vendosem që pagesën t’a bëjmë në fund, pas një muaji.
E filluam ditën me kafen e mëngjesit, e mirë, pa sheqer, si e deshëm, pa faturë , – si nuk e deshëm.
Vellai gjithmone paguante. Të prishnim gjakun për një kafe që ditën e parë?
Në plazh shezlonget ishin të vendosur rrjesht, bukur, me simetri, me tarifa të ndryshme: një dyshe 400 lekë dita, sikur dhe një orë të rrije. Ai që merrte paret duhej të ishte vetë pronari, ose një i afert i besuar i tij, se, pa faturë, kush e dinte sa ndënjëse prenotoheshin?
Ne krye, në të dalë, nje rubinete uji të pijshëm, përherë hapur, të ftonte të freskoheshe, një grumbull pushuesish prisnin me durim.
U vura në pritje, duke vrarë mendjen si të afrohem pa bryla te uji i freskët,se nuk priste kush në radhë e nuk shihte kush nëse kish fëmije a të moshuar.
– Shikoni çfar bën privati, ujë akull pa pare. Këtë u thoni atyre mediave që vijne e jo t’u tregoni plehrat.
Një punëtor sezonal mirëmbajtjeje, me siguri në të zezë, e quante këtë logo pjesë të punës së tij.
Unë e humba durimin e dola nga turma.
– Xhaxha, pse po ikën, derman? Këto janë punë të Bashkisë, po i bën vetëm privati. Nuk të vjen mirë, a si?
U ndala. E pashë atë djalë. Ka faj Bashkia, thashë, se ka dhënë një licensë për këtë plazh-biznes, ka vënë edhe disa kushte, të ketë edhe disa çezma si kjo, që këto koshat e plehrave të mos i shisni si stoli, po të merresh ti e shokët e tu me pastrimin, që të mos merren ato mediat. Bashkia fle gjumin e madh, ose dikush ngjyen gishtin…Mua s’më bën mirë as dielli, me sos durimin. Po ikij…
Ne kthim për në banesë duhej të bëje dredha për të shmangur pellgjet me ujë. Tuba llastiku shkarkonin ujë gjithandej, mbi një parmak anës rrugës dikush shiste misra të pjekur në çast, nën shushurimen e një tubi që derdhej rrugëve. Te dukej vetja si në përralle, “oi oi”!
Në një tv 15 polsh të dhomës, për çudinë tonë, dëgjuam Zonjen e Ujit të Vlorës, kuptoni drejtoreshën, që kërkonte mirëkuptimin e qytetarëve për të kursyer e mirëadministruar ujin. Prej saj dëgjuam se Vlora ka kapacitete të furnizojë 24 ne 24 orë dyfishin e popullsisë ekzistuese te qytetit, po prej saj dëgjuam se, nga shpërdorimi e humbjet në rrjet, ka lagje që vuajnë për pikën e ujit. Nga të tjerë degjuam se kjo zonje ka 17 vjet që u lutet qytetarëve, ndërsa vet u është ngjitur partive, e ia ka dalë të mbetet në të njëjtin fron, si të ishte vetë Zoti!
– E di, me tha ime moter, preva flokët te zonja e banesës, ja, pesë metra më tej. E pastër, e sjellëshme. Po nuk vura re në mur asnjë certifiketë parukierieje, as dokument license. Tarifat i kishte si në Tiranë. Veç të qethte mirë.
Të gjithë të qethin nga pak. Secili për hesap të vet. Në gjysmë të gushtit ne paguam kesh, i zoti i shtepisë bëri taksistin deri te stacioni i autobusëve e u përshëndosh me ne. Refuzoi të na marrë pare…
Vapes duket ia hodhem. Pamë e dëgjuam shumë, vetem shtetin nuk e pamë gjëkundi.
Po vjen shtatori në Tirane. Duhet të vrapoj në bankë të bej deklaratën e gjallesës.Po sikur te kem shkuar në atë botë e të ngrihem e t’ia hedh këtij deli shteti e të marr pensionin sikur të jem gjallë?
Duhet të vrapoj të paguaj dritat dhe ujin më parë. Duke mos qenë fare këtë muaj, kush e di sa ka vajtur fatura!
Të mos të rrejë mendja se shteti ka vdekur. Provo e mos paguaj të shohësh!
17 gusht 2015