Kolonel  Arshin Çela, një emër i përveçëm në studimet ushtarake shqiptare

Kolonel  Arshin Çela, një emër i përveçëm në studimet ushtarake shqiptare

lmi S.Qazimi

 

Prof. kolonel Arshin Çela i përket asaj plejade të intelektualëve më të lartë të ushtrisë dhe sociologjisë për periudhën 1975-2013, që punuan pa u kursyer e me ndërgjegje e përkushtim për të realizuar detyrat e ngarkuara.

 

Ai kishte figurë të pastër morale dhe rrezatonte mirësi, dashuri e humanizëm. Si pedagog, lëndët e tij më të preferuara kanë qenë Historia, Materializmi Dialektik e Historik, Historia e Institucioneve, Teoria e Shtetit, E Drejta Kushtetuese, E Drejta Ndërkombëtare Publike, E Drejta Penale Ushtarake etj.

 

Zotëronte artin e komunikimit me studentët dhe me kompetencën shkencore e profesionale ka lënë gjurmë të pashlyera tek të gjithë ata që kanë marrë leksione apo kanë zhvilluar seminare me të.

 

Ai ka qenë autor i disa zërave në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985, bashkautor në disa libra me karakter sociologjik e juridik dhe autor i librit monografik “Ushtria drejt NATO-s – viti 2010”.

 

Njeri i etur për dije, me vullnet të fortë e me këmbëngulje të zilishme, ai arriti që në të gjitha punimet e tij, referatet, diskutimet, shkrimet publicistike, trajtesat ushtarake, juridike e sociologjike, artikujt në revista ushtarake e në median shqiptare të kohës, të pasqyrojë realitetet me objektivitet shkencor, stil analitik dhe udhërrëfyes.

 

Ishte talent në punët me rininë, me aftësi të spikatura në marrëdhënie me të gjithë shtresat e komunitetit dhe tepër i thjeshtë me këdo e në çdo mjedis shoqëror. E donte pa kufi vendlindjen,njihte jo pak njerëz dhe dinte të bënte të mira për shumëkënd.

 

Ishte tepër i preokupuar për mbarëvajtjen e fëmijëve, të njerëzve të familjes e të të gjithë fisit. Kujdes të veçantë Arshini tregoi për dy prindëritt e tij, Hatemin dhe Semikon.

 

Por puna e Arshinit tonë të dashur nuk mund të kuptohet pa jetën e bashkëshortes së tij Luiza, e cila i ka qëndruar pranë dhe i ka qenë krah në tërë hapat e jetës si dhe fëmijëve.

 

Ai ruante në kujtesë dhe respektonte pa masë të gjithë banorët e qyteteve dhe fshatrave ku banoi e punoi i ati ushtarak dhe vetë ai. Posaçërisht kishte respekt për banorët e Skraparit e, sidomos krahinës së Çepanit, që pati njohur kur ishte fëmijë. Në shkollën e atij fshati, ashtu si dhe në të gjitha shkollat e tjera, ai arriti rezultate të shkëlqyera. Me rastin e 100-vjetorit të asaj shkolle Arshinit iu dha Certifikata “Nxënës i spikatur i shekullit”.

 

 

Arshin H. Çela u nda nga jeta papritur prej një sëmundjeje të rëndë, më 25 prill 2013.

 

Për të gjithë kontributin e tij, gjurmët e shkëlqyera që ka lënë kudo, Arshin Hatem Çela, njeriu, studiuesi shkencor, pedagogu, shoku dhe ushtaraku i devotshëm, figurë e mirënjohur e Skraparit dhe e shkencës ushtarake shqiptare,do të mbetet kurdoherë midis nesh.

 

 

 

CV

 

Arshin Çela lindi në Gostenckë të rrethit të Skraparit më 30.11.1946.

 

Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare i kreu në Çepan.

 

Mbasi mbaroi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”(1960–1964), Shkollën Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”(1964–1967), u titullua oficer dhe shërbeu në detyra të ndryshme në Tiranë e Pukë, deri instruktor për Rininë në Drejtorinë Politike të Ushtrisë Shqiptare.

 

Kreu me sukses studimet në shkollën e lartë të Partisë “V.I.Lenin” ku u emërua me detyrë pedagog po aty.

 Për këtë arsye e liruan nga ushtria dhe është riveshur përsëri me gradën e kolonelit.

 

Kreu detyra të ndryshme si pedagog për filozofinë e sociologjinë në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (1978–1991), redaktor në Shtëpinë Botuese të Ushtrisë (1992–1994), shef i Degës Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes (1997–1999), pedagog në Akademinë e Mbrojtjes (1999–2000), këshilltar ligjor i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të të Republikës së Shqipërisë (2000–2003).

 

Ka mbaruar Kolegjin Ushtarak pranë Akademisë se Mbrojtjes, Kursin e Lartë të Filozofisë, dhe tetë specializime në shtete të ndryshme si  në Amerikë, Itali etj.

 

Ka kryer Universitetin e Tiranës, fakulteti Juridik, dega Drejtësi, ka punuar në studio avokatie si dhe pedagog në Universitetin Ushtarak, në Tiranë.

 

Është dekoruar disa herë. Zotëronte gjuhët angleze e italiane dhe mbante titullin doktor i shkencave në sociologji dhe atë profesor i asociuar.