
Komani dhe Fierza, udhëtim mbresëlënës në liqenet e Veriut të Shqipërisë
Zylyftar HOXHA
Falenderoj shoqatën e bajraqeve të Nikaj Mërtur, që kanë vlerësuar shkrimin tim dhe e kanë botuar në faqen e tyre zyrtare.
Ka qenë një ëndrra ime aventurore nga ato që e kalojnë imagjinatën për të vizituar këto vise.
Ja arrita më në fund. Si mirënjohje ndaj tyre po sjell këto shënime …
Askujt, madje as imagjinatës më ekstreme dhe më të guximshme të krijuesit legjendar të eposit të Kreshnikëve të Veriut, nuk do t’i kishte shkuar kurrë ndër mend të “ngjitej deti në mal” dhe të bëheshin bashkë Zanat e malit me Sirenat e ujit.
Por ja që sot ky është një realitet me liqenet e Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës, të cilët, me një panoramë magjepsëse, zënë të gjithë luginën e Drinit.
Të krijuar nga digat e hidrocentraleve si rregullatorë të furnizimit me ujë të këtyre hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, liqenet shërbejnë edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës,Tropojë, Has dhe Pukë, me një korridor lundrimi ujor të papërsëritshëm me traget dhe mjete të tjera ujore.
Udhëtimi me anije në liqenin e Komanit kalon përmes malesh që arrijnë 1000-1500 metra lartësi me brigje të mrekullueshëm dhe të ndërlidhur, ku me vështirësi gjen ndonjë shenjë të veprimtarisë njerëzore në brigje. Peizazhi i egër është disi i ngjashëm me fjordet norvegjeze dhe të ofron një pamje që nuk mund ta gjesh askund tjetër në vendin tonë.
Duke lundruar në këta liqene harron se funksioni dhe destinacioni i tyre kryesor është tjetër gjë, është drita elektrike që kemi në çdo shtëpi, dhe se udhëtimi në të është i fundit për nga rëndësia, është, si të thuash, një “qelepir”, që siç thotë populli, për hatër të borzilokut pi ujë edhe vazoja.
Rruga ujore ka shpëtuar krahina të tëra, por ajo është kthyer në një atraksion mbresëlënës turistik. Itinerari ujor Koman-Fierzë është një shëtitje e mrekullueshme, një përvojë unike dhe e rrallë që sjell relaks dhe kënaqësi të papërshkruar.
Në këtë segment përrallor mbetesh pa fjalë nga natyra e mrekullueshme, shpatet e veshura me gjelbërim, thyerjet dhe reflekset e dritës që krijon uji me rrezet e diellit, gjarpërimi i ujit kur futet nëpër shkëmbinjtë që dikur ishin shpate luginash.
Për t’iu ardhur në ndihmë turistëve e vendasve janë vënë në funksionim mjete lundrimi për pasagjerë, makina e mallra. Janë rreth 40 km që përshkohen për rreth 3 orë. Për vendësit ndoshta kjo është e mërzitshme dhe nuk kanë ndonjë ndjesi të veçantë, pasi e përshkojnë çdo ditë këtë rrugë, por për vizitorin apo turistin, udhëtimi nuk duhet të mbarojë kurrë.
Çdo ditë trageti Koman-Fierzë-Koman ofron udhëtime në kushte shumë të mira, që lehtësojnë lëvizjen e popullsisë së kësaj zone e të udhëtarëve që duan të shkojnë në veri të vendit. Në traget gjen edhe shërbimin e barit dhe ushqim të shpejtë.
Krahas natyrës, këtu mund të vizitohen veprat gjigante energjetike, Hidrocentralit të Fierzës dhe Komanit, duke marrë leje paraprake nga autoritetet përkatëse. Hidrocentralet janë me të vërtetë objekte madhështore që ofrojnë surpriza pa fund gjatë eksplorimit të tyre deri në 170 metra në thellësi.
Itinerari i udhëtimit
Nga Tirana në drejtim të Tropojës, zgjat afërsisht tetë orë dhe sipas itinerarit që ndiqet, përshkon rrugë që kalojnë në tokë dhe në liqen. Itinerari më i përdorur dhe më i zakonshëm, është ai i cili kalon nëpër rrugën kombëtare Tiranë-Shkodër, kthen në Bushat aty ku lexoni tabelën turistike “Koman”, dhe vazhdon në Mjedë-Vau i Dejës-Koman-Fierzë (udhëtimi me traget Koman-Fierzë), pastaj vazhdohet për në Bajram Curri. Ky itinerar interesant, përveçse ju mban të lidhur me natyrën, ju çon drejt një destinacioni me degëzime të pafund, që shkojnë në Pukë, në Kukës, në Tropojë e Valbonë, e nëse doni, edhe në krejt veriun e Shqipërisë.
Itinerari i dytë është ai që shtrihet tërësisht në rrugë tokësore. Ky itinerar njihet ndryshe si “rruga e Qafës së Malit”.
Udha vazhdon duke ndjekur drejtimin e lëvizjes së itinerarit të parë deri në Milot. Më pas rrugëtimi ndahet për të hyrë në udhën që të shpie në qytetin e Pukës, kalon aty, e me pas nga Malësia e Mirditës vazhdon në veri të vendit, pranë Kukësit dhe ndahet në drejtim të Tropojës. Mesatarisht udhëtimi në të dy linjat, zgjat tetë orë, megjithëse itinerari i Qafës së Malit me një ecje të zakonshme mesatare prej 80 kilometra në orë, mund të përfundojë shtatë orë pas nisjes në Tiranë në rast se ndalesat rrugës nuk janë të gjata.
Është për të ardhur keq, mungesa e një organizimi më të mirë e ka lënë disi nën hije shfrytëzimin turistik të kësaj zone me potenciale të fuqishme, që po të shfrytëzoheshin edhe në mënyrë të pjesshme, do të ndikonin drejtpërdrejt në të ardhurat ekonomike të të gjithë zonës.
Rreth e rrotull, në tokë dhe në ujë
Me krijimin e liqenit, u shtua sipërfaqja e uji çka ka bërë edhe një zbutje të klimës në të dy brigjet. Bimësia këtu është e dendur dhe e harlisur. Në shpatet e maleve mbi liqen gjen të gjithë llojet e drurëve, shkurreve dhe barishteve, karakteristike të Alpeve. Liqeni i Fierzës është i pasur me peshq të llojeve të ndryshme.
Pas përfundimit të digës dhe mbushjes së basenit me ujë, fauna e Liqenit të Fierzës u shtua me lloje të ndryshme peshqish, si ballëgjeri, krapi e luçiperka që u hodhën si rasatë dhe gjetën një mjedis shumë të përshtatshëm për t’u shumuar e ushqyer. Krijimi i liqenit solli dhe zhdukjen e peshqve që më parë popullonin lumin Drin si trofta, ngjala e peshq të ujërave të rrjedhshëm, por favorizoi rritjen e peshqve të liqeneve. Gjitarët ujorë që jetojnë në ujërat e Liqenit të Fierzës, janë lundërzat. Gjithashtu krijimi i liqenit bëri të mundur dhe rritjen e midhjeve të vogla të ujërave të ëmbla.
Korrik 2025