Zylyftar Hoxha

 

E, ndërsa flitet e shkruhet shumë për ngjarje të mëdha dhe lapidare historike për kombin tonë, në disa raste harrohen personazhet hije, me rol periferik, por që kanë role vendimtare në këto ngjarje.

 

 

Le të marrim në këtë rast Kongresin e Manastirit. Askush nuk ka shkruajtur deri më sot në detaje se ku u bë ai, kush ishin të zotët e shtëpisë dhe ata që shërbyen me ditë të tëra për të krijuar kushte normale për veprimtarinë madhore kombëtare që po zhvillohej aty.

 

 

Ndërtesa ku u akomoduan (navasën) për fjetje e ngrënie 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, si dhe organizatorët dhe rojet e sigurisë ishte pronë e Vëllezërve Gërmenji, me origjninë nga Gërmenji i Kolonjës.

 

Vëllezërit Gërmenji

 

Hoteli quhej “Liria” dhe ndodhej në në Sokakun e Gjërë të qytetit të Manastirit.

 

 

Ky hotel nuk ishte thjesht një objekt akomodimi, por një vend me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare.

 

 

Të paktën që nga viti 1900 e deri në ndarjen e kufijve në vitin 1913, aty kanë fjetur dhe vepruar shumica e rilindësve tanë, çetat kryengritëse të viteve 1905 -1912.

 

 

Veç hotelit, historike dhe emblematike ka ngelur godina ku është zhvilluar Kongresi i Manastirit, që është shtëpia e kolonjarit Fehim Zavalanit. Kjo shtëpi prej muajsh ishte bërë seli pune e shoqërisë “Bashkimi” dhe ziente nga hyrjet e daljet e aktivistëve dhe delegatëve, figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare.

 

Jo thjesht për “hatër” si të zotët e shtëpisë, por si figura të njohura rilindase si delegatë të kongresit ishin edhe dy pjesëtarë të familjes Zavalani, Feim Zavalani dhe Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës.

Feim Zavalani ishte themelues i Komitetit të Fshehtë të Manastirit (1905), kryetar i Klubit të Manastirit (1908) dhe drejtues i gazetës “Bashkimi i Kombit”, një tribunë që botoi përkundër trysnive masakrat e Turgut Pashës në Gjakovë.

 

Feim Zavalani

 

Ati Feim pati ndikim rrënjësor në formimin intelektual të të birit, Tajari Zavalanit, shqipëruesi mjeshtëror i klasikëve botërorë, që me veprën “Histori i Shqipnisë”, përcolli rrugëtimin diametral të kombit. Ai punoi shumë kohë në Radion BBS të Londrë i larguar dhe i përndjekur nga regjimi i i Enver Hoxhës.

 

 

I zoti i shtëpisë, Feim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse në Kongres.

 

 

Kemi mendimin se megjithëse kanë kaluar shumë vite që atëhere, nga studiuesit dhe njerëzit kompetentë të shkrimit të historisë, “Pas Kuintat” e Manastirit kërkojnë trajtim serioz, të thelluar dhe të përgjegjshëm, sepse bëhet fjalë për një nga gurët themeltarë të identitetit kombëtar shqiptar, siç është Kongresi i Manastirit.

 

Si ai që lëshoi shtëpinë ashtu edhe ata që lëshuan hotelin ishin kolonjarë me origjinë.

 

Ndaj nuk duhet të harrojmë se mbi 70 përqind e Rilindësave tanë të mëdhenj kanë qenë nga Kolonja ose me origjinë nga Kolonja që banonin në Korçë, Manastir, Ohër, Leskovik etj.