Krahët e artë të skraparllinjve të Venecias

Krahët e artë të skraparllinjve të Venecias

Hajri Nuhu

 

Venecia. Qyteti i dashurisë dhe i karnavaleve. Qyteti që jeton me tingujt e Antonio Vivaldit. Unike në botë për atë çfarë ofron! Por kur në zemrën e saj ajo të ofron shqiptarë e, për më tepër, skraparllinj e tomorricarë që “gdhendin” emrin në jetën e këtij metropoli, zemra të bëhet mal.

 

 

“Ali D’Oro”, një histori suksesi

 

Fundjavën që kaloi isha në këtë qytet. Aty, afër kryeqendrës, pranë sheshit “San Marko” gjendet edhe Tratoria Ali D’oro. Eshtë emri i njërit prej lokaleve që kanë vëllezrit Emiliano e Ermal Biraku. Dy prej tomorricarëve që kanë një emër aq të nderuar prej vitesh në turizmin e këtij qyteti.

 

 

I shqipëruar lokali mban emrin “Krahët e artë”. Simbolika në këtë emër është Aliu, babai i mirë i këtyre djemve të rrallë. Njeriu me mendje e krahë të artë. Foto e tij është në bash të restorantit. Se ai punoi aq shumë për t’i rritur dhe për më shumë për t’i edukuar me vlerat më të mira.

 

Për Emilianon kemi shkruar. Tashmë ai është një personalitet në tërë Rajonin e Venetos ku është edhe kryetari i dhomës së Tregëtisë e Industrisë. Një politikan i ri e me perspektivë që punon aq me shpirt për të mbrojtur e promovuar vlerat e një komuniteti shqiptarësh që kanë një emërues të përbashkët: dinjitozë!

 

 

 Sfidë në zemrën e turizmit italian

 

Vlerë më vete edhe Ermali. Ka mbaruar për arkitekturë në Venecia. “E kemi nisur nga hiçi, – thotë Ermali. Ishte një fillim i vështirë. Student, por duhet të bëje edhe pastruesin, kamerierin e banakierin. Punonim me orë të zgjatura dhe të nesërmen duhet të ishe në shkollë. Mbarova për arkitekturë. Jam marrë me arredimin e lokaleve.

 

 

Jemi në Venecia, në zemrën e turizmit italian. Nuk është se hoqa dorë nga profesioni, por duhet të bëhesha konkurues. Dhe të bëhesh konkurues në turizëm këtu është sfidë. Sytë i kisha nga Emiliano. Na ndihmuan shumë në fillim babi Aliu dhe mamaja, Bardha. Shembull kishim dajën tonë që erdhi këtu me profesionin e restauratorit. Punoi shumë, gjeti veten, na mbështeti jo vetëm ne, por gjithë shqiptarët që kërkuan ndihmën e tij. Sot ai ka një rrjet restorantesh dhe është një biznesmen edhe i fushës së ndërtimeve…”

 

 

Dinjitet dhe kulturë

 

 

Eshtë ditë që përkon me Pashkët Katolike dhe restoranti është tejmbushur. Një restorant me gati 15 punonjës në shërbim, ku pjesa më e madhe janë shqiptarë dhe skraparllinj. Në banak është Lina. Ajo është nga Zabërzani, mbesa e Kujtim Lames dhe motra e Lefter Lames, ish-kryebashkiaku i ndjerë i Skraparit. Ajo rrezaton me kulturën në komunikim. Kur shkon në Skrapar sjell edhe të famshmen “Raki Zabërzani”.

 

Kamerieri është Arseni, djaloshi nga Leskova. U mrekullova që takova një djalë të fshatit tim në qendër të Venecias. “Shumë vite punova në Romë, por vëllezërit Biraku, që janë edhe njerëzit e mi na bënë “thirrje” dhe ne erdhëm. Bëmë mirë. Po ja, jemi bashkë, jemi në një vend ku me njëri-tjetrin flasim edhe me shqipen tonë”. Bashkë me të punon Renato Gurra, nga Backa…ka edhe të tjerë, këtu dhe në lokalet e tjera.

 

“Një copëz Skrapar e kemi këtu, – thotë Ermali. Kjo na gëzon. Ndihmojmë njëri-tjetrin, por edhe na ndihmojnë. Kemi besim tek njerëzit tanë. Nuk bëhet përpara pa krahë…” Dhe vërtet, Emiliano e Ermali kanë krahë njëri-tjetrin. Kanë krahë edhe këta skraparllinj të mirë e punëtorë.

 

 

 

 

“Ambasadorë” të vlerave kombëtare

 

Puna e ndershme të bën dinjitoz e të respektueshëm. Shqiptarët e Venecias punojnë shumë. Jo vetëm punojnë, por shpalosin edhe kulturë. Emiliano tashmë është në studio televizionesh, shkrimet dhe intervistat e tij zënë vendet e para në gazetat e përditshme. Kulturë shpalos edhe Ermali që bën arkitektin kur arredon mjedise që mbajnë “shijen veneciane” e shpalosin shpirtin e bukur të shqiptarit. Tashmë është edhe një njohës i mirë i verërave. Ata janë “ambasadorë” të vlerave kombëtare.

 

 

Një vit më parë kishim që ngjarje madhore të kulturës shqiptare në Venecia. U organizua koncerti “Albania Pearls”. Artistë nga Shqipëria e Kosova  që punonin e jetonin në Itali u mblodhën në një koncert në kishën Santa Maria della Pieta. U bashkuan edhe artistë italianë. Instrumentistë e këngëtarë që bënë më të mirën. Një mrekulli shqiptare në qendër të Venecias. U ndjemë shumë krenarë për atë performacë të shkëlqyer të artistëve tanë. Koncerti ngjalli një kuriozitet të jashtëzakonshëm tek vendasit” – thotë Ermali.

 

Emiliano u angazhua si askush ato ditë. Mbështeti e sponsorizoi me zemër. Se siç shprehet ai kur bëhet fjala për vendin ,për njerëzit tanë ,gjithcka është ndryshe. Eshtë fjala për një imazh që mbart mirësi,vlera e atdhedashuri. Punojmë e luftojmë, jo thjesht për emrin tonë, por edhe atë të vendit nga vijmë.

 

 

Mikeshë e vëllezërve Biraku ishte edhe ambasadorja shqiptare në Romë, Anila Bitri Lani. Diskutohej rreth bashkëpunimit më Rajonin e Venetos dhe Bashkinë e Venecias. Emiliano nëpër takimet  i gëzohej një realiteti të prekshëm që italianët e pranonin me zë të lartë.

 

Shqiptarët ishin një kontribut i shtuar në rritjen ekonomike e sociale të qytetit dhe jo vetëm. Pas koncertit ndryshoi edhe këndvështrimi për ta. Shqiptarët kanë edhe kulturën e artin që duhet njohur përmes ballafaqimeve të tilla.

 

 

 

 

Shpirti poetik i Velo Metanit

 

Edhe Veledin Metani është nga Barçi Sipërm. Ka 32 vjet që e ka lënë vendin, por në vendlindje ka lënë kujtimet e rinisë, ka varret e të parëve. “Isha ndoshta ndër të parët që ika. Kuturu. Dhimbje pas, por ëndrra. Më tregon shënimet që ka mbajtur, se Veloja shkruan bukur në prozë e sidomos në poezi.

 

Shfletojmë një pasazh.

“Nuk di pse anija panameze mbante emrin “Legjendë”. Ishte 7 marsi i vitit 1991. Një ditë me shi e furtune. Plot pesëmijë vetë niseshin nga Durrësi në Itali. Ishte një anije e vjetër, e ndryshkur, e brishtë. Nuk mbante thjesht e vetëm njerëz. Mbante mbi vete shpresën, ëndrrën e tyre. Nuk e di ku ndodhet. Ndoshta nuk ekziston më…Por ajo më shfaqet përherë,mbetet në zemrën e kujtimet e mia përgjithmonë. Ishte anija që mbante një peshë më të madhe se veten…Lirinë!”

 

 

 

Veloja është rritur me vështirësi. Nuk harron asgjë. Nuk e kam njohur babain. Iku i ri nga kjo botë dhe unë mbeta jetim.Isha vetëm 6 muajsh. Dhe mes poezive që ai ka shkruar, poezinë “Për ty baba”  e ka për zemër. “Eshtë botuar në gazetën “Jehona e Skraparit” kur isha i ri, në vitin 1989. Kjo më nxiti dhe nëse jeta do të rridhte ndryshe do të shkruaja më shumë, më mirë. Po komentet për penën e talentin e tij le t’ia lëmë lexuesit. Kjo është poezia:

 

Babai me ka vdekur kur isha gjashtë  muajsh

Pyes nënën: Si ishte babai?

-I bukur!-më thotë

E s’di pse i fsheh sytë

S’di pse flokët m’i prish

Dhe gishtat një çast m’i ndal në ballë

Harrohet nëna në ballin tim

Me dy lot të vjedhur nën qepallë.

Dhe unë sa herë kam mall për babanë

S’pyes nënën

Po pres diellin në mëngjes të dalë…

 

Biseda shkon tek shkolla. Se ai e ka dashur shkollën. Një vit shkoi nga Barçi për të vazhduar shkollën  në Zhepë. Por vetëm aq se ai shfrytëzon çdo moment për të pyetur për libra, gazeta. Ndjek edhe portalin “Orakujt e Tomorrit”. “Sa dëgjoj Tomorr lëviz vendit…”

 

Biseda me të vertitet rreth poezive. Ai është vëllai i Selfo Metanit që i ka dy libra interesantë me poezi. Vëllimi i parë “Korçaret” asokohe tërhoqi edhe vëmendjen e Xhevahir Spahiut. Ai merrte pjesë edhe në Konferëncën Kombëtare të tTlenteve të Reja.

 

“E kemi si familje ndoshta ,- thotë Veloja, – poezia do shpirt, do edhe punë. Do të lexosh shumë, po puna nuk na lë…”  Dhe lexon disa vargje nga poezia “Kohë moderne”.

 

 

Në fakt ai shkon çdo vit në Shqipëri, më saktë në vendlindje, në Barç. Gjithmonë ngjitet në Tomorr. I vetëm. Edhe në dimër. Shkon, ka një dron, një aparat fotografik. Pasionant si ai. Filmimet e tij me teknologjinë më të fundit janë të rralla, fotot po ashtu. Një pjesë i kemi shfrytëzuar për dokumentarin “Tomorrica, fustanella e Tomorrit”. E falënderojmë për atë që bën. Pastaj tregon edhe foto që i ka realizuar nga Spanja deri në Tajlandë, nga Egjipti  deri në Nepal.  Ka shetitur shumë. Por vendlindja është ndryshe. Mes fotove edhe një me Davide Sasuolin, presidentin e Parlamentit Europian. “Ishte miku i Emilianos,edhe miku ynë. çfarë njeriu! Na donte ne shqiptarëve. Sa keq që iku shpejt nga kjo botë.”

Diku edhe nje foto më Edi Ramën me aktorë e këngëtarë.

Velos i pëlqen arti.

 

 

 

Një copëz Skrapar në Venecia…

 

Bisedat rrjedhin për vendlindjen. Mall. “Kam mbaruar shkollën e mesme në Potom, – thonë Ana. Jemi nga lagjia “Gurra”. Jemi rritur atje,k emi kujtime. Këtu kam tani edhe vëllain, kam bashkëshortin, punoj. E filluam në Romë e erdhëm këtu. Po mendjen e kam atje, se kam prindërit në Backë. Kam dëshirë të shkoj. Tani në Teqenë e Backës bëhet edhe një festë. Emoncionohemi kur shikojmë filmime e foto. Puna nuk të lë”.

 

Prej një jave ka ardhur në këto lokale edhe Alvaro Dervishi. “Duam ta integrojmë, – thotë Ermali. Kemi nevojë për njerëz të mirë, të njohur. Jemi rritur me të, e kemi patur shok fëmijërie në lagjen “Hasan Seitaj”.

 

 

Aty afër është edhe Shkëlqim Musabelliu. Edhe dy djemtë e tij janë mjaft të suksesshëm. Juli e Ledio kanë formuar një dyshe për t’u patur zili. Nuk u takuam me Shkëlqimin se ai ishte në Shqipëri.  “Eshtë goditur së fundi. I janë ndarë nga jeta dy motra…”  Dhe ai ka shkuar për kujtimin e tyre na thanë.

 

“Bukuria qëndron kur vjen në këtë lokal i mirënjohuri Dule Malindi. Ai nuk rri dot pa kënduar. Kap ndonjë kënd dhe me dajat e vëllezërve Biraku ia merr këngës. Tek italianët kënga jonë ngjall kuriozitet dhe habi. Mrekullohemi edhe ne” – thotë Arseni.

 

Ka qënë kënga që “ i lidhi në miqësi” familjen Malindi dhe Biraku. Eshtë një ngjarje e veçantë. Aliun, babain e tyre, vëllezërit Biraku e përjetësuan edhe në një këngë që e këndon Dulja. Se Aliu e donte këngën popullore. Tani Dulja vjen më shpesh, se aty ka vajzën, bashkëshorten e Ermalit dhe për më tepër ka edhe nipçen, Davidin e vogël.

Në “Tratoria Da Gigi” gjejmë edhe kolonjarin Orges Malushi. Në shërbim të këtyre bizneseve shumica e punëtorëve janë shqiptarë. Ka edhe emigrantë nga Bangladeshi. E kanë të vështirë të mësojnë italishten . “Arma” më e fortë e shqiptarëve që vijnë e punojnë këtu është njohja e gjuhës italiane, angleze etj. Ky fakt dhe komunikimi me kulturë i bën shqiptarët të shkëlqejnë, të integrohen.

 

Ka qindra shqiptarë në Venecia. Edhe këto dy ditë takoje vizitorë nga Shqipëria në Venecia. Dy ditë mbushur me gëzim, krenari e pozitivitet për njerëzit tanë atje.