Kujtim Mulita, bir i Vërzhezhës, “dhaskal” i minoritetit dhe emisar i Skraparit në Sarandë
Në Sarandë, në shenjë respekti, e njohin si “Profesor”; në minoritet si “Dhaskal”; në Skrapar si “Emisar” i Skraparit në Sarandë
Luftar Hasanllari
Vërzhezha është një nga fshatrat me historinë më të pasur në Skrapar. Këtu, 108 vjet më parë, duke iu bindur vendimeve të para të qeverisë së Ismail Qemalit, në vitin 1913 do të hapej shkolla e parë shqipe.
Në vitin 1924 Vërzhezha pati privilegjin e madh, pasi aty u ngrit Internati, shkolla unike me konvikt, ku erdhën nxënës nga shumë fshatra të Skraparit, madje edhe nga rrethe të tjerë të vendit, një ndër të cilët ishte edhe Mehmet Shehu.
Disa nga figurat lokale që kanë studiuar në këtë shkollë ishin Kareman Ylli, Tajar Grepcka, Neshat Hysi, Alush Grepcka, Njazi Çepani, Hysen Rogu etj. Mësues të kësaj shkolle të njohur si Internati ishte ndër të tjerë edhe Isuf Puka, Ali Myftiu etj.
Ky fshat me tradita arsimore ka breza të tërë me kudro dhe specialistë të arsimuar, një ndër të cilët është edhe Kujtim Mulita, i biri i Hysenit edhe Kajames, i lindur në 1 korrik të vitit 1946. Në Vërzhezhë ai bëri shkollën fillore dhe 7-vjeçare, ndërsa të mesmen, gjimnazin e Çorovodës e bëri duke ecur tri orë çdo ditë poshtë e lartë në këmbë. “Nuk e ndjeja lodhjen – thotë Kujtimi – kishim uri për dije dhe shkonim me dëshirë për të vazhduar studimet”.
Mbasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e Çorovodës me nota të mira, në 1961 i akordohet një burs në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, Agronomi. Pas përfundimit të studimeve, Kujtimi emërohet agronom për pak kohë në Skrapar dhe më pas në Sarandë. Ishte koha e masivizimit të shkollave të mesme, sidomos të shkollave bujqëore në fshatra dhe ndjehej nevoja e për mësues të pofilizuar për bujqësi e blegtori në këto shkolla. Kjo bëri që Kujtimi të devijojë nga profesioni i agranomit, duke iu përkushtuar profesionit fisnik të mësuesisë.
Për vite me radhë dha mësim në disa shkolla të mesme të Sarandës, si në Livadhja, Konispol, Aliko, duke kaluar nën kujdesin e mësimdhënies së tij gjenerata të tëra nxënësish.
Në Sarandë, në shenjë respekti e njohin si profesor; në minoritet si “dhaskal”; në Skrapar si emisar i Skraparit në Sarandë.
Koha dhe vitet ishin të vështira lëvizjet nga një qytet në tjetrin ishin shumë të kufizuara, për mos thënë të pamundura, por Kujtimi do t’iu bënte ballë këtyre pamundësive.
Në Sarandë në ato vite nga Skrapari më herët ishte vendosur Qani Hito dhe Kujtimi ishte i dyti. “Ishte e vështirë të jepje mësim në shkolla apo fshatra me një popullsi heterogjene siç ishte rrethi i Sarandës, në Livadhjaj, psh, mbizotronte minoriteti grek; në Konispol çamët, gjë që nuk ishte aspak e lehtë për një të ri si unë që vija nga një rreth tjetër me tradita dhe zakone të tjera – sjell ndërmend vitet e para të punës Kujtimi. Por këto vështirësi kaluan shumë shpejt.
Sot, mbas kaq vitesh, kur ulesh për një kafe me Kujtimin, edhe pse mosha bën të vetën, bie në sy kënaqesia kur tregon për ato vite, për atë që të gjithë i thërrasin me plot respekt “profesor”.
Kujtimi lidhi jetën familjare me Tatjanën nga Saranda duke i ndërthurur më mirë kulturat familjare midis asaj të Skraparit dhe të Sarandës. Tatjana ka qenë një ekonomiste e zonja, që ka punuar gati 20 vjet deri sa doli në pension, në bashki. Ajo gëzon respekt të veçantë nga të gjithë qytetarët e Sarandës.
Frut të jetës së tyre bashkëshortore janë dy fëmijët djali, Aveniri mbaroi studimet për mjekësi dhe sot jeton prej disa vitesh me familjen e vetë në SHBA, ndërsa vajza, Rakela ka mbaruar studimet për mësuesi.
Miq të vjetër
Edhe pse 76 vjeç dhe reth 56 vjetë që jeton në Sarandë, kur e pyet sot Kujtimin se kush është qyteti më i bukur, Saranda apo Çorovoda dhe Skrapari, ai të përgjigjet me atë urtësinë që e karakterizon: Për hir të së vertetës, Saranda është perla e Shqipërisë, por edhe Skrapari nuk mbetet prapa.
I dua njëlloj të dy. Edhe pse larg, nuk mund të rri pa vajtur dy herë në vit në Skrapar.