Kur ke se çfarë të tregosh!…
Essѐ
Prof. asoc. dr. Hysen Binjaku
Kemi lindur në vitet ’30, ’40, ’50 (janë në prag si të tillë edhe ata të lindur në vitet ’60) të shekullit XX.
U rritëm në vitet ’40, ’50, ’60. Mbaruam shkolla (disa edhe universitete) sipas mundësive dhe filluamë punë në vitet ’50, ’60, ’70.
Jemi martur, krijuamë familje, u bëmë prindër (ndofta jo të gjithë) në vitet ’60, ’70, ’80.
Ndërruam mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit (disa edhe me trauma) në vitet ’90.
Në vitet 2000 – 2010 – 2020 filluam disi të “marrim veten”.
Shumë nga ne u bënë edhe gjyshë/gjyshe (ndonjë edhe stërgjysh).
Jetuam në dy shekuj të ndryshëm, në dy sisteme ekonomiko – shoqërore të ndryshme.
E filluamë me pishë a kandilë, vazhduam me llambë e fener me vajguri, sot, me dritë elektrike nga hidrocentralet dhe voltaikët e kthyer në “led” të butë e të ëmbël.
Filluam me thëngjill (kongjil), laps, penë prej “bisht fshese” e bojë shpëndre, tani jemi tek kompjuteri e laptopi.
E filluam hipur mbi samarin e mushkës apo kalit dhe vazhduam me biçikleta dhe sot kemi makina.
E filluaml me letra e kartolina me postë (por takoheshim shpesh herë me njëri-tjetrin), tani merremi vesh me cellularë, shumë i njohim, i kemi tanët, por shumë të tjerëve nuk ua dimë surratin, megjithatë i kemi “Miq” (Friends)!…
Jetuam dhe, ashtu siç jetuam, edhe duhet të tregojmë!…