Kur Skrapari dhe Tomorrica ishin të ndara në kazá më vete
Tomorrica, kazá pa qendër – qytet
Në librin, “Fjalor i përbotshëm i historisë dhe gjeografisë, Kamus ul Alam”, i Shemsedin Sami bej – Frashëri, me gjashtë vëllime, botim i vitit 1881, shkruhet:
Tomorrica është një kaza pa qendër – qytet, që varet prej sanxhakut të Beratit të vilajetit të Janinës, e cila e ka marrë emrin prej malit që quhet Tomorr.
Kazaja përbëhet prej 43 fshatrash dhe në qëndër të saj ka një han dhe dy dugajë.
Pjesa dërmuese e popullsisë, duke qënë se toka është malore dhe nuk jep prodhim, punon në Stamboll si kalldrëmxhinj, ndërsa brënda vilajetit të tyre, Janinë merren me punë shërbimesh si xhandarë e të tjerë.
Mehmet Pashë Kyprilija i famshëm ishte prej kësaj kazaje.
Kazaja kufizohet në veri dhe perëndim me vetë Beratin, në jug me kazanë e Skraparit dhe në lindje me nahijen e Oparit të sanxhakut të Korçës.

Skrapari, me qendër dhe pa të krishterë
Në librin, “Fjalor i përbotshëm i historisë dhe gjeografisë, Kamus ul Alam”, i Shemsedin Sami bej – Frashëri, me gjashtë vëllime, botim i vitit 1888-1889, shkruhet:
Skrapari është një kaza në sanxhakun e Beratit të vilajetit të Janinës në Shqipëri, ai gjendet në krahun jugor të Beratit, që është qëndra e sanxhakut dhe përbëhet prej 63 fshatrash.
Qëndra e kësaj kazaje është vëndi që quhet Çorovodë, ku gjenden një grehinë administrative, tre hane dhe gjashtë dugajë, ku çelet pazari çdo ditë të enjte.
Kazaja shtrihet mes dy malesh dhe përbëhet prej luginës së lumit të Beratit. Pjesa më e madhe e tokës se saj është e zhveshur dhe e shkretë, ndërsa prodhimi që jep është mjaft i paktë.
Popullsia merret me pak bujqësi. Ka dy shkolla fëminore. E gjithë popullsia është myslimane.
