
Kush falsifikon, unë apo “xha Asqeriu”?
Asqeri Diko, me banim në Turqi, dikur mësues, mik i imi dhe i shumë skraparllinjve për një natyrë të butë njerëzore, por konfuz dhe ngatërrestar i pamëshirshëm me ato që ai ka shkruar dhe shkruan kohët e fundit, duke “bërë lëmsh dynjanë” me shpifje dhe të pavërteta historike.
Shumë herë më ka zënë në gojë për gjëra pa asnjë sens dhe lidhje, për një libër që kam bërë unë për Neki Sulën, ku i kam kërkuar dhe botuar atij një prononcim, por edhe kur i kam botuar një shkrim për Arkitekt Kasëmin në gazetën “Dita”, ku unë isha redaktor, që solli një javë e ca vërdallë redaksinë dhe mua më hoqën vërejtje që merrem me njerëz të tillë.
Për sa më sipër, jam munduar të sqarohem me Asqerinë, por ai të mbyt me një kakofoni fjalësh pa lidhje, që të ha kohën dhe të gric kot nervat. Ndaj dhe unë i detyruar, kam ndërprerë çdo lidhje me të.
Tani së fundi më akuzon se kam falsifikuar me fotot e Arkitekt Kasëmit, që është e Sefqedar Elbasanit dhe që foto e Servet Zaloshnjës, i atribuohet Lace Backës.
Për këtë rast, nuk po sqaroj Asqerinë, se Aqeriun e kam sqaruar me qindra herë, por po sqaroj dhe respektoj disa miqtë e mi dhe opinionin publik që ka lexuar komentet dhe vërejtet e tij dhe janë “merakosur”.
Për foton e parë. Në Orakujt e Tomorrit kam botuar një shkrim të Asqeriut për Arkitekt Kasëmin. Shkrimi është marrë nga një blog tjetër me atë foto. Ndaj Asqeriu ta kërkojë atje ku e ka dërguar dhe jo te unë. Unë e vura siç ishte me shënimin e autorësisë në bazë të ligjit.
Ka një rregull në shtyp, që kur nuk ka foto të personazhit që flitet në shkrim, dhe për Arkitekt Kasëmin nuk ka, mund të përdoren foto ilustruese, një imazh arkitekti dhe vepra të asaj kohe. Kështu kam vepruar dhe unë. Kur nuk ka gjetur ai një foto të Arkitekt Kasëmit që është më i interesuar se unë, ku t’ia gjeja unë?!…
Për foton e Laces:
Më akuzon se fotoja që është përdorur në një shkrimin tim po te “Orakujt” për Lace Backën, fotoja nuk është e Laces, por e Servet Zaloshnjes!…
Është e kundërta:
Nuk kam falsifikuar unë, por ka falsifikuar ai. Fotoja qe ka botuar ai në disa shkrime për Servet Zaloshnjen, është e Lace Backës.
Në librin e ish-drejtoreshës së Muzeut të Skraparit, Engjëllushe Braçellarit, “Skrapari, gjurmë nën harresë”, botimi i vitit 2002, në faqen 201 shkruhet per Lace Backën, por jepet edhe fotoja e tij.
Laceja i librit të Engjëllushe Braçellarit dhe i Muzeut të Skraparit
Edhe vet unë mbaj mend këtë foto të ekspozuar në muze si të Lace Backës.
Bardhyl Ylli, ish drejtori i ndjerë i muzeut në vitet ’70 ka bërë disa shkrime për Lacen dhe është përdorur kjo foto. Kush ka nge le t’i kërkojë në gazetën “Jehona e Skraparit” dhe Gazetën “Bashkimi” se aty i gjen.
Atëhere paska falsifikuar Bardhyli i ndjerë dhe Engjëllushja, që paskan marrë foton e Asqeriut dhe ia kanë veshur Laces, kur Asqeriu i ka bërë shkrimet e tij 60 vjet më vonë Bardhylit dhe 30 vjet më vonë Engjëllushes!
Por falsifikimi i Asqeriut shkon më tej, sepse, si ngatërrestar që është, ka ngatërruar edhe botues të tjerë, si fjala vjen, kjo foto e Laces për Servet gjendet (më vjen keq për këtë) edhe në librin tepër serioz me autor Elmaz dhe Arben Gugën, “Krahina e Tomorricës”. Ka ndodhur kështu, pasi kështu “shitet” ajo në internet nga Asqeriu.
Faqe interneti me shkrimin e Asqeriut me dy portrete të Servet Zaloshnjes, një foto dhe një skicë, që është e Laces, jo e Servetit siç thotë Asqeriu
Në një botim në internet jepen dy foto të Servetit, një foto portret dhe tjetra, skicë pikturë. Kur Serveti paska patur një goxha foto, ç’duhej skica e dyshimtë!
Meqenëse fotoja në fjalë, sipas Asqeriut, qënka e Servetit, le të na gjejë foton e Laces!
“Serveti i Asqeriut” dhe “Laceja im”
Edhe një detaj të fundit:
Kjo skicë pikture e Laces është realizuar nga piktori Stefan Beruka, një minoritar i ardhur si “deklasuar” në Skrapar. Ishte një njeri shumë i mirë, por edhe piktor i mirë. Në atë kohë ai bëri pikturat e të gjithë patriotëve dhe dëshmorëve që nuk kishin foto origjinale. Merrte për model vëllezërit apo të afërmit e tyre që t’i ngjanin sadopak. Kështu ka ndodhur edhe me pikturën skicë të Laces.
Siç thashë më sipër, e bëj këtë sqarim për miqtë e mi që janë ndeshur me komente të tillë në adresën time, por e bëj edhe më tepër për nderin dhe dinjitetin tim profesional, profesion me të cilin në radhë të parë, kam lidhur jetën dhe kam ushqyer fëmijët e mi dhe, në radhë të dytë, që këtë profesion gjysmëshekullor (nga viti 1973 e deri sot) e kam kthyer gjithë jetës sime në mision, që nuk mund ta zhbëjnë dot kurrë “cingëliqet e fejsbukëve dhe fejsbuksave”.
Respekt për të gjithë ata që do të kenë durim të lexojnë këta rreshta dhe falje për kohën që u mora!
Zylyftar Hoxha
Admin. i “Orakujve të Tomorrit”