Kush ishte Doktor D’Alesio, heroi italian i spitaleve partizane shqiptare

Kush ishte Doktor D’Alesio, heroi italian i spitaleve partizane shqiptare

Zylyftar Hoxha

 

Doktor Gianbatista D’Alesio rridhte nga një familje nga më të famshmet fisnike të Italisë, siç ishte  dinastia D’Alesio.

 

Kishte studiuar në Romë për mjekësi të përgjithshme dhe më pas kishte marrë titullin profesor doktor në kirurgji.

 

Me pushtimin fashist të  Shqipërisë, i mobilizuar në ushtri, u gjend në frontin e luftës në vendin tonë.  Pak para kapitullimit të Italisë fashiste hidhet në radhët e partizanëve shqiptarë që vepronin në zonat Berat dhe Skrapar.

 

Veprimtarinë më të madhe e ka në Skrapar ku ishin ngritur ose kishin lëvizur nga një fshat në tjetrin për arsye sigurie nëntë spitale partizane, në Dobrushë, Zaloshnje, Strenec, Zabërzan, Visockë, Vlushë, Çepan, Mëlovë dhe më i madhi, spitali i përgjithshëm kirurgjik i Nikollarës, ku vinin të plagosur rëndë edhe nga Zona e Parë Operative e Gjirokastrës, nga Përmeti, Kolonja dhe Korça.

 

Në këtë spital janë bërë operacione të vështëira dhe të çuditshme, të egra, nga mungesa totale e mjetëve dhe e narkozave. Mjeku italian habitej me durimin e partizanëve shqiptarë dhe shprehej shpesh, se “këta njerëz fitojnë dhe meritojnë të fitojnë çdo luftë”.

 

Spitali partizan i Çepanit

 

Herë i stacionuar, herë në lëvizje nga një spital në tjetrin, ai punoi me përkushtim deri në ditë e fundit të çlirimit të vendit tonë. Formoi ekipe kirurgjikalë me kolegët mjekë shqiptarë, Petro Cani, Emil Cimbi, infermierin Oresti Duka dhe infermierë të tjerë. Ngriti kurse kualifikimi për infermierë dhe sanitarë.

 

Por ajo që ngriti famën e tij, dhe që përmendet edhe sot që kanë kaluar 80 vjet që atëhere në familjet fshatare të Skraparit, ishte gatishmëria dhe humanizmi i tij i lartë për të hyrë dhe për të shpëtuar jetë në këto familje dhe përshtatja e tij me traditat dhe zakonet shqiptare, sa ishte e vështirë ta dalloje që ai ishte i huaj.

 

Pas lufte D’Alesio iku në atdheun e tij, vërtet mes një ushtrie humbësish, por, i vlerësuar, më shumë se grada zyrtare major i Ushtrisë Nacionalçlirimtare që mori në Kongresin e Përmetit, nga një mirënjohje e pakufishme e mijëra partizanëve të plagosur që i kishte shpëtuar nga vdekja, por edhe të civilëve, burra, gra dhe fëmijë që kishte shëruar në familjet fshatare të asaj ane.

 

Megjithëse meritonte një vlerësim më të madh, si  hero, si një pjesëz e shndritshme në historinë shqiptare, sepse, fatkeqësisht, më vonë u harrua krejt, ai përsëri mbeti i kënaqur me ato kujtime e mbresa të pashlyera të një populli luftarak dhe me vlera të larta njerëzore, të cilat i mori me vete në mendje dhe në zemër.

 

Mbeti i kënaqur edhe për diçka tjetër kur iku, që në fund të çantës së shpinës mundi të merrte spaletat e majorit, për t’i  vendosur si relikte krahas objekteve dhe relikteve të parardhësve të tij, dukë, kontë dhe fisnikë të tjerë të dinastisë D’Alesio.