Kushtuar Riza Kodhelit / Në Tomorr, në Abaz Ali; rrini tok si Perëndi!
Përparim Xhixha
Abaz Aliu zbriti nga mali
Erdhi vetë në shtëpi,
Sytë me lot, sytë ia mbylli
Riza Kodhelit backalli…
Që atë ditë bashkë janë,
At’ e bir përmbi Tomorr,
Dhe të vdekur sytë hapur
Kanë mbi truall arbëror.
Për Abaz Ali betohej
Riza Kodheli backalli,
Dhe rrufetë në dorë mbante
Zjarr lëshonte mbi perandori.
Nuk e preu as kamë, as plumbi,
Bekimin tënd, Abaz Ali
Kish mburojë e kishte jetë,
Fustanellë vishte nga retë.
Asnjë kryq e asnjë çallmë,
Rrugën tënde s’e prenë dot,
Vetëtima nga sytë lëshoje
Dhe fjalën zjarr e barot.
Thuaj një shekull në lufte mbete,
Për të shtrenjtën Shqipëri,
Abaz Alinë gjithmonë me vete,
Riza Kodheli backalli…
Në cilin mal ti nuk shkele,
Me gjerdan e me dyfek?
Për Skrapar e Çamëri
Riza Kodheli backalli…
Sot mburravecët duan lule,
Le te duan dhe trëndelinë!
Ne do vijmë të të zgjojmë
Po na preku kush kufinë…
Amanetin tend të artë
Për Çamëri e për Kosovë,
Edhe malet përmbys do kthejmë,
T’i skuqim t’i bëjmë me bojë…
Koha juaj nuk mbaron kurrë,
Këtu i thonë Shqipëri!
Mbi Tomor me Abaz Alinë
Rrini tok si Perëndi!