Lamtumirë, doktor Agim Dyrmishi!

 Lamtumirë, doktor Agim Dyrmishi!

 

Pas një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme është ndarë nga jeta në moshën 70 – vjeçare dr. Agim Izet Dyrmishi, drejtues teknik i farmacisë “Agimi”, një nga farmacitë më me emër të Tiranës.

 

 

Agimi ishte djali i dytë i Izet Dyrmishit, një personalitet i njohur i Skraparit dhe i disa rretheve të tjerë të Shqipërisë si Berat, Kukës, Tropojë, Has, Lezhë dhe Tiranë, ku qe me detyra të rëndësishme shtetërore dhe shoqërore.

 

 

Edhe pse i detyruar me levizje të shpeshta nga një qytet në tjetrin, nga një shkollë në tjetrën, ndonjëherë edhe në mes të semestrit, kur transferohej familja, Agimi nuk u hutua dhe nuk iu tremb vështirësive, përkundrazi i kaloi ato me sukses duke qenë një nxënës shembullor kudo që vajti.

 

 

Në vitin  1968 fillon studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dega Farmaci në Universitetin Shtetëror të Tiranës, të cilin e mbaron shkëlqyeshëm në vitin 1973.

 

 

Fillon punë si farmacist në Tiranë deri në vitin 1991, kur si të gjithë të rinjtë dhe profesionistët e asaj kohe, nuk po gjenin veten në vendin e tyre, largohet familjarisht për në Greqi, ku punon për gjashtë vjet me radhë.

 

 

Kthehet në vitin 1996 dhe çel farmacinë e parë pranë hotel “Diplomat”, më vonë çel farmacinë e dytë të famshme, ku punonte vetë, farmacinë “Agimi”.

 

 

Agimi lidh jetën bashkëshortore më Bardha Kadënën, bijë e një famljeje shumë të njohur dhe të respektuar të qytetit të Vlorës.

 

 

Frut i bashkëjetesës dhe i dashurisë së tyre, janë dy fëmijët, Jona dhe Argi, që ndoqën jo vetëm profesionalisht gjurmët e të atit, por trashëgojnë nga ai edhe cilësi dhe virtyte të rralla njerëzore.

 

 

Lamtumirë Agim Dyrmishi!

 

Ti po ndahesh sot nga familja jote e shenjtë dhe e shtrenjtë, nga bashkëshortja, Bardha; nga fëmijët, Jona dhe Argi; nga nipërit dhe mbesat, nga miqtë dhe shokët e tu të shumtë, duke lënë pas kujtimin tënd të mirë dhe të paharrueshëm!