Lamtumirë Hekuran Hysa!…

Lamtumirë Hekuran Hysa!…

Është ndarë sot nga jeta Hekuran Hysa, ekonomist, i njohur edhe si një njeri i shtypit dhe i publicistkës në Skrapar.

 

Hekurani u lind në Zogas të Skraparit më 8 mars 1941, në një familje të njohur dhe më tradita atdhetare.

Pas arsimit fillor dhe 7-vjeçar në vëndlidje, ai vazhdoi në shkollat dhe kurset ekonomike dyvjeçare që u ngritën për llogaritarë dhe ekonomistë të kooperativave bujqësore. Më pas vazhdon edhe shkollën e mesme.

 

Punoi shumë vite si kryellogaritar në Zogas, deri sa doli në pension. Por Hekuran Hysa njihet nga të gjithë edhe për një pasion tjetër, që në një farë mënyre iu bë edhe “profesion, që ishte gazetaria. Ai ishte bashkëpunëtor dhe korrespondent vullnetarë i shumë organeve të shtypit qëndror dhe atij lokal. Nuk kishte ditë që në shtyp, radio dhe televizon të mos gjeje korrespndencat dhe informacionet e tij.

Nuk u zgjatëm më lartë për familjen e Hekuranit, pasi “Orakujt e Tomorrit” kishin bërë gati për botim një shkrim mbi familjen e tij me shumë kontribute në lëvizjen kombëtare, të cilin, me qenë se erdhi ky rast, po e botojmë më poshtë.

 

 

 Hysajt e Zogasit

 

Zylyftar Hoxha

Kujt i ka takuar të kalojë në Zogas, besoj se i ka rënë në sy një gjë e veçantë që ka ky fshat, shtëpitë e vjetra karakteristike, të ndërtuara me gurë të skalitur, me vitulla fine gëlqereje dhe me një arkitekturë të çuditshme, avlli, porta, shkallare e dericka që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, por që harmonizohen aq bukur. Një punë e bërë jo nga ustallarë të huaj, por nga vetë meraklinjtë e Zogasit.

 

Sa herë që kaloja aty e hidhja sytë nga lagjja e Hysajve, më shkonte mendja te filmat tanë artistikë të asaj kohe, dhe thosha me vete: “Do të dilte shkëlqyer një film në këto ambiente”. U mundova disa herë mos u mbushja mendjen disa shokëve kur punoja si telekronist për Televizionin Shqiptar për realizimin e ndonjë skenari, por ata merreshin me kronikën e ditës dhe nuk ia kishin ngenë një gjëje të tillë. Duheshin ata të Kinostudios. Unë atje nuk njihja njeri, dhe dëshira ime nuk u plotësua dot kurrë.

 

Megjithatë, në vitin 2000, kur punoja me një kamerë VHS nëpër dasma, më ra rasti të vija në një dasmë në këto shtëpi. Kam bërë një kasetë, të cilën nuk e di a e kanë ruajtur të zotët e shtëpisë, me skena të mrekullueshme në interierët e jashtme e të brendshme të pothuaj tërë lagjes së Hysajve. Sikur t’i kisha mundësitë, edhe sot jam gati të shkoj në Zogas të realizoj ëndrrën time për një film, por, siç kanë ardhur punët, s’besoj të më jepet rasti!

 

Ja, në këto shtëpi ka lindur dhe ka ngrysur jetën Hysen Zogasi, një emër i njohur në Skrapar në periudhën e çetave kryengritëse në prag të Shpalljes së Pavarësisë. Në fillim merr pjesë në çetën e Lace Backës dhe më pas në atë të Jaçe Gjergjovës. Kur çeta e Çerçiz Topullit vjen në Skrapar pas Luftës së Mashkullorës, Hyseni i shoqëron ata në Rovicë, Zabërzan, Frashër e gjetkë. Në ato kohë ai mësoi shkrim e këndim dhe më pas ua mësoi gjithë moshatarëve të tij në Zogas.

Pas thirrjes që bëri Qeveria e Vlorës për rrezikun nga greku, Hyseni iu bashkua luftëtarëve duke zënë qafat e maleve në Ostrovicë dhe Qafën e Gjarprit.

Në vitin 1914 me shumë luftëtarë të tjerë iu zënë pritë forcave greke në Galinat e Qafës. Aty plagoset miku i tij i ngushtë, vëllami, siç e quante, Qazim Polena, sot dëshmor i atdheut. Pas një lufte të pabarabartë luftëtarët tërhiqen. Hyseni merr Qazimin e plagosur me gjithë të shoqen dhe një vajzë tre vjeçe dhe i çon në Zogas, në shtëpinë bosh të tij, pasi familjarët ishin fshehur në Kanionet e Osumit. Po sa hyjnë ata aty, mbërrijnë grekët. Kërkojnë t’i shikojnë plagën Qazimit. Kur e panë që ajo ishte akoma e freskët, kuptuan se atë plagë e kishte marrë në Galinat e Qafës në përpjekje me ta. Oficeri grek i tha të shoqes të largohej me gjithë vajzën, por ajo iu hodh përsipër të shoqit të saj. Atëherë ai nxjerr revolen dhe i vret të dy, ndërsa vajzën e marrin me vete. Në ikje e sipër djegin edhe shtëpitë. Kjo ngjarje e preku shumë Hysenin dhe ai nuk e harroi deri sa vdiq.

 

Duke qenë nip në Koprënckë, në vitin 1915 Hyseni lidhet me Xhelal dhe Ali Koprënckën. Madje Xhelali e mbajti pas vetes në ndjekje të forcave esadiste dhe më pas. Hyseni në emër të bashkëfshatarëve të tij firmos në dokumentin që doli nga mitingu që organizoi Xhelal Koprëncka në Çorovodë në vitin 1919, ku merrnin pjesë mbi 2000 burra nga i gjithë Skrapari, kundër Esat Pashës si përfaqësues jo legjitim në Konferencën e Paqes në Paris.

 

Bashkë edhe me të vëllanë, Dervishin, kushëririn e parë, Hasanin dhe kushërinjtë e fshatarë të tjerë si Ali Hysa, Novruz Hysa, Lake Ismaili, Rexhep Ismaili, merr pjesë në Luftën e Vlorës më 1920.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e gjeti Hysenin në moshë të shkuar, ndaj qëndroi në batalionin territorial, kurse në front dërgoidjemtë dhe nipërit, Dautin, Qamilin, Nesimin, Jaçen, Myslimin, Hakinë, dhe Kasëmin.

 

Nga ky zjarr ishte edhe Ramadan Hysa që kishte 4 djem, Aliun, Hakiun, Tahirin dhe Abedinin. Si dhe nipi i tij Hyseni, ai ka marrë pjesë në çetat për liri para Shpalljes së Pavarësisë, në luftën kundër grekëve në vitin 1913-14. Në moshën 45 vjeç u vesh dervish në teqenë e Prishtës ku qëndroi deri sa vdiq. Rrugën e tij e mori edhe i biri, Tahiri, i cili u vesh dervish që në moshën 25-vjeçare. Pasi ndërroi jetë Baba Islami i Teqesë së Kuçit, e gradojnë baba në këtë teqe. Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare ai e ktheu teqenë në bazë të Lëvizjes, ku priste e përcillte luftëtarë. Me punën e mirë religjioze ai fitoi ai e bëri të famshme Teqenë e Kuçit, ku shkonin besimtarë jo vetëm nga rrethi Skraparit, por edhe nga rrethet fqinjë, Korçë, Berat, Përmet etj. Ndërroi jetë në vitin 1956.

 

Një figurë interesante e familjes Hysa është Daut Hysa, i biri i Hysenit, për të cilin folëm më lartë. Dauti pasi kreu shërbimin ushtarak në Korçë, u vesh xhandar. Në vitin 1942 ai bashkë me Kamber Backën shërbenin në burgun e Tiranës. Një ditë ata organizojnë arratisjen nga burgu të të resë komuniste, Fiqrete Sanxhaktari (Shehu), të cilën Dauti e njihte që kur ajo kishte qenë në Çorovodë nxënëse. Me ndërhyrjen e një miku, vëllait të Dautit, Xhevitit në atë kohë oficer policie, ata shpëtuan pa u ndëshkuar. Por nuk ndenjën më gjatë në atë detyrë, erdhën në Skrapar.

 

Që ditët e para që erdhi Dauti në Skrapar u lidh me me autoritetet më në zë Lëvizjes Nacionalçlirimtare në këtë krahinë, Zylyftar Veleshnjen, Ramiz Aranitasin dhe rreshtohet në çetën partizane të krahinës së Potomit, më vonë në Batalionin Tefik Lapani dhe në fund në Brigadën e 10-të Sulmuese. Plagoset në krah në luftimet midis Vorës dhe Sukthit në vendin ku u vra Alush Grepcka dhe mbetet invalid për tërë jetën. Pas çlirimit u vesh oficer, por, nga që ishte invalid, në vitin 1947 lirohet nga ushtria. I shkon Fiqrete Shehut, të cilën e kishte ndihmuar dikur, për një punë të përshtatshme, por ajo, përveç mirënjohjes së thellë më fjalë, nuk i bëri dot gjë. Fillon punë si sekretar në gjykatën e Skraparit dhe njëkohësisht zgjidhet kryetar i këshilliët të fshatit Zogas.

 

Gjatë kësaj kohe ai la gjurmë të pashlyera të një njeriu të zgjuar dhe të ndershëm. Por drejtësia dhe ndershmëria ndonjëherë nuk hyjnë në punë. Ato të bëjnë të ndeshesh. Kështu që ai diku shkeli, ndaj dhe filloi dhe e tatëpjeta, fat që e kanë pësuar edhe luftëtarë të tjerë në atë kohë. Në vitin 1951 punon në ndërmarrjen e artizanati si përgjegjës i furrave të gëlqeres me të cilat ai më pas lidhi gjithë jetën e tij edhe pasi shkoi me shtëpi në Berat në vitin 1959. Miqtë e tij më të mirë në Berat kishte Ymer Dëshnicën, Maksut Dërrasën, Lluka Mukën, të cilët në orët e litra e pinin raki e kafe me “esnafin e Skraparit”.

 

Për këtë shkak ai shikohej vëngër nga regjimi komunist, madje u përpoqën ta bënin edhe kulak. Dhe kë? Atë që kish luftuar në dhjetëra beteja dhe kishte lënë krahun në luftë! Deri sa vdiq nuk pushuan peripecitë për të. I hoqën pensionin e invaliditetit, nuk i dhanë statusin e veteranit. Por edhe ai s’e dha veten, ndoshta padrejtësitë i ngritën më shumë autoritetin në sytë e opinionit. I zhveshur nga këto, ai ngeli një burrë i lartë me një autoritet të padiskutueshëm, i nderuar dhe i respektuar nga i madh dhe i vogël në Skrapar dhe në Berat.

 

Por Hyseni ka pasur edhe një djalë tjetër më të madh se Dauti, që e quanin Xhevit. Pasi shkollës fillore në Çorovodë, ai shkoi në Tiranë, në një shkollë ushtarake. Ka qenë bashkë me Muhamet Zhabanin dhe Hysen Rogun atje. Hysen Rogu tregonte se ishte një djalë shumë i guximshëm dhe energjik. Një herë ai kishte rrahur mësuesin pse kishte lënë në klasë Hysenin. Pasi mbaroi shkollën aty, ai shkoi për punë në Francë, por si duket nuk i pëlqeu dhe kthehet e punon në portin e Durrësit. Pas disa kohësh vishet nënoficer. Kishte shoqëri shumë me Abaz Kupin.

Daut dhe Qemal Hysa

 

Në kohën kur ishte Xhelal Staravecka komandant i xhandarmërisë së Tiranës e burgosën pasi kishte të dhëna se ndihmonte komunistët. Por shumë shpejt ndërhyri Abaz Kupi dhe e nxori nga burgu, madje edhe e gradoi toger. Vritet në përpjekje me gjermanët, por jo vetëm që nuk u bë dëshmor, por mbi familjen ranë hije dyshimi pse ai ishte me Abaz Kupin. Në një dokument të Arkivit Qendror të Shtetit që mban datën 18 dhjetor 1944, vërtetohet vetëm se ai ka qenë oficer me gradën toger në Xhandarmëri.

 

Xheviti ishte martuar me një grua italiane me emri Xhina Ferrini nga Novara e Italisë. Me të kishte edhe një vajzë me emrin Rubie (Xheviti kishte ngjallur emrin e nënës së tij që e la tre vjeç). Xhina me një herë pas marrjes së pushtetit nga komunistët ka bërë takim me Enver Hoxhën, të cilit i ka kërkuar ndihmë, pasi kishte ngelur në rrugë të madhe. I kërkon atij edhe statusin dëshmor për të shoqin, pasi ai u vra nga plumbi gjerman. Enver Hoxha i kish rekomanduar që të merrte tri deklarata nga bashkëluftëtarët, por ajo grua e vetme nuk mundi ta zgjidhte dot këtë problem.

 

E detyruar iku pas Luftës në Itali bashkë me vajzën. Për shumë vite kunati i saj, Dauti mbajti lidhje me të. Por për këtë arsye kërcënuan vëllanë e vogël të Dautit se do ta përjashtonin nga partia nëse mbanin më lidhje me italianen. Kështu u shkëputën lidhjet. Me ardhjen e demokracisë, pas shumë kërkimesh, Xhina u gjet dhe lidhja me familjarët e Xhevitit filloi përsëri. Por tashmë ajo ishte mjaft e moshuar, aq më tepër për të shoqin nuk ishte bërë asgjë, kështu që s’kishte ndonjë motiv të fort për të ardhur në Shqipëri.

 

Në këtë shtëpi, veç asaj që thashë në fillim, që kam bërë një film dasme, kam vajtur edhe dy herë të tjera.

Radhën e parë duhet të ketë qenë aty nga viti 1964-65, kur Skënder Veizi, një bashkëfshatari ynë, vjen e i thotë babait tim se kishte një dasmë në Zogas dhe e kërkonte ta merrte atje, pasi në atë kohë ishte zakon që miku merrte një të afërm të tij ose nga lagjja për ta shoqëruar. Ky i fundit madje nderohej dhe respektohej më shumë pasi ishte miku i mikut. Babai i tha se kishte një mbledhje dhe s’vinte dot. “Më jep djalin, Zylyftarin, atëherë”, i thotë Skënderi. “Mirë, çap”!- më thotë mua Lalai, kështu i thërrisnim. Kështu që unë shkova në dasmë në Zogas, martohej Hekurani, djali i Hysenit.

 

Në darkë të shtunën u caktuan krushqit për të marrë nusen. Ndërmjet tyre caktuan edhe Skënderin. Por Skënderi për të më bërë nder mua dhe për ta çuar deri në fund nderin tha për mua. Atyre iu bë qejfi se nderonin mikun e mikut dhe më caktuan krushk për të hequr mushkën, se i vogël isha unë atëhere.

Nusen do ta merrnim në Polenë, te Bajram Polena, që e kishte shtëpinë në anë të rrugës dhe ne të Qafës aty kalonim sa herë që vinim në Çorovodë. Kështu që e njihja mirë xha Bajramin, ai ishte një plak shumë i zgjuar. Çdo gjë që ndodhte jo vetëm në Polenë, por edhe në fshatrat për rreth, për të shuar ndonjë konflikt a për t’i dhënë rrugëzgjidhje ndonjë problemi, thirrej xha Bajrami. E mbaj mend, që rrinte sipër në qoshk të shtëpisë dhe shikonte rrugën kush kalonte. Të gjithë ata që kalonin i flisnin dhe ai gjente rast për të bërë një copë herë muhabet, merrte informacion për tërë zonën e Potomit, por edhe u dërgonte të fala të gjithë miqve e të njohurve në atë zonë. Xha Bajrami rrojti gjatë, me dinjitet, duke iu afruar qindëshes.

Kur në një moment sollën nusen te krushqit dhe i hoqën duvakun, unë u habita dhe sa s’thirra; “U, Metua”!… Deri atëhere s’e kisha vrarë mendjen se kush ishte nusja. Kur ja, më doli Metua, shoqja ime e shkollës në filloren e Qafës!

 

Duke hequr mushkën në hijen e Zogasit i hidhja ndonjë herë sytë nga Metua dhe qeshja, ndërsa ajo rrinte shumë serioze me sytë gjysmë të mbyllur, se ashtu i kishin thënë dhe ashtu ishte në atë kohë. Unë nuk i fola fare gjatë gjithë rrugës, se kisha dëgjuar që nusja nuk duhet ngacmuar.

 

Mbaj mend se mua më morën në sofrën e burrave dhe sa herë që ngrinin gotën më thoshin: “Gëzuar, o krushk”! Mua, të them të drejtën, më vinte mirë kur më thoshin kështu dhe që isha më i privilegjuar edhe nga disa të tjerë poshtë meje që ishin burra me mustaqe.

 

Hera e dytë ka qenë kur u bëmë mik përsëri me Hekuranin. Djali i tij, Iliri u martua me Bonën, mbesën time. Unë kam shkuar si krushk i parë në darkën e Ilirit. Në Muhabet e sipër u njoha me Qamilin, djalin e Hysenit, vëlla me me Hekuranin, që rrinte në Berat. Kishte qenë oficer. Me Qamilin dola edhe një herë tjetër mik, ai kishte marrë për grua çupën e Xhevo Kalanjasit, motrën e Vekes, nuses së dajës tim, Shyqo Mehmetasi. Qamilit i pëlqeu muhabeti me mua, dhe jemi llafosur gjithë atë natë. Ndërkohë djemtë e tij, ca djem të shkathët e të zgjuar, me gratë dhe fëmijët e tyre, kërcenin e këndonin duke i dhënë një bukuri e gjallëri të jashtëzakonshme darkës.

Në vitin 2008 Qamilit të shkret i ndodh një tragjedi shumë e rëndë familjare. Në liqenin e Farkës iu mbytën pesë pjesëtarë të familjes, djali, Pëllumbi me gjithë nusen dhe djalin e tyre, dhe vajza, Thëllëza, me gjithë djalin e saj.