Lamtumirë, Jovan Jano!
Zylyftar Hoxha
Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari Jovan Jano.
Jovan Jano lindi në Libofshë, në një familje me kontribute të njohura në shërbim të Shqipërisë. I ati, Llaqi Jano, njihet si një nga militantët e orëve të para në Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një xhaxhai i tij, Mihal Jano, luftëtar i Grupit Partizan të Myzeqesë është sot Dëshmor i Atdheut.
Mësimet e para Jovan Jano i mori në vendlindje, në Libofshë. Më vonë vazhdon shkollën e mesme në qytetet Berat dhe Korçë, për të cilët ai shkruan: “Berati dhe Korça kanë mbetur të shtrënjta në kujtesën time, sepse ishin qytete që më flisnin me gjuhën e historisë më të hershme”.
Me mbarimin e arsimit të mesëm, studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Tiranës, në degën e gjuhës ruse dhe shqipe. “Sidoqë letërsia më dërgoi deri edhe te shkrimtarët më të njohur të Europës e të botës, megjithatë ky fakultet nuk ishte i tëri brënda dëshirës sime”, shkruan Jovani për këto vite.
Pas diplomimit emërohet në fshatrat e Pukës, ku punoi për disa vjet si mësues. Më pas rikthehet në Lushnjë, mësues dhe nëndrejtor i shkollës së mesme të Dushkut.
Puna prej intelektuali të pasionuar, ra në sy të drejtuesve të rrethit. Nisur pikërisht nga kjo, Jovani emërohet Kryeinspektor i Kulturës pranë Seksionit të Arsimit e Kulturës të rrethit.
Pas viteve 1990, si shumë të tjerë Jovan Jano mbeti pa punë. Provoi aventurën e refugjatit duke shkuar maleve në këmbë në Greqi. Por nuk kishte as moshën dhe as shëndetin për të punuar atje. Kthehet prej andej dhe bën punë të rëndomta ku të gjente, deri sa një ditë një mik i tij me pushtet, i propozoi të punonte si shefi i Burimeve Njerëzore në Dogana.
Aty botoi dy libra, “Historia e Ministrisë së Financave – 1912 – 2005”, si dhe “Albumi i Ministrave të Financave – 1912 – 2005”.
Prej vitesh Jovani ka qenë i sëmurë nga sëmundja e diabetit, por asnjëherë ai nuk u dorëzua, nuk u nda nga shoqëria, por edhe pse në këtë gjendje ai vazhdonte të punonte.
Me ndarjen nga jeta të Jovan Janos, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, miqtë dhe shokët një mik dhe shok të mirë dhe të pazëvendësueshëm, publicistika shqiptare, një zë krejt të veçantë që promovoi dhe solli në shqip në mënyrën më të mirë figurat më progresiste botërore.
Prurjet letrare interesante të Jovan Janos
I prirur për t’u marrë me histori, për të zbuluar e mbajtur lart figura të shquara botërore të idealizmës, Jovan Jano ka botuar disa libra, si
“Çe Guevara – personifikimi i politikanit të pakorruptueshën”,
“Martin Luter King”, (Monografi),
“Mahatma Gandi (Monografi)”,
“Kohëra dhe profile”,
“Fismikëri myzeqare”,
“Niko Bellojani, Njeriu me karafil”
si dhe një numër shumë i madh artikujsh në gazeta dhe revista të ndryshme.
Jovan Jano ishte një autor me prurje interesante. Prej vitesh kishte gjurmuar personalitete karizmatike, simbole lartësie dhe inspirimi shpirtëror.
Kishte publikuar punimet e tij, fillimisht për Çe Guevarën, heroin e mitologjisë revolucionare. Mes rreshtave të këtij libri, lexuesi i vëmendshëm ndjen thirrjen e pashpallur të autorit: “Unë e dua Çe Guevarën!”.
Nën pushtetin e kësaj bindjeje kishte udhëtuar edhe Jovani. Madje, hapin e tij të menduar e kishte hedhur pikërisht në këtë rrugë.
Dramat e shoqërisë njerëzore janë të njëjta. Konstatimet e Jovanit për Gandin vlejnë për gjithë kohërat. Politika pa parime, pasuria pa punë, tregtia pa moral, shkenca pa humanizëm, kënaqësi pa ndërgjegje, njohuri pa kriter apo adhurim pa sakrificë, ja pra plagët e pashëruara ende të shoqërisë.
Perënditë e luftës kanë vendosur helmeta dhe kanë zbritur në tokë. Bota vazhdon të mbytet nga gjaku njerëzor. Në vijimësi, Jovani trajtonte figurën e Lutherking, këtij njeriu karizmatik, “engjëllit të zi” të Amerikës, i frymëzuar nga teoria e mospërdorimit të dhunës, praktikuar kjo nga Gandi. Kauza e tij fitoi, ai mundi ta prekë lirinë që rrjedh nga barazia shoqërore.
Libri më për zemër që kishte shkruar Jovani, ishte libri “Shpirtra myzeqarë”. Ky libër është një nga punimet më të ndjera të tij, sepse lidhet me pjesën më të rëndësishme të jetës, fëmijërinë e tij, me vendlindjen e tij, Libofshën në zemër të Myzeqesë, një fshat me emër, por mjerisht i rrethuar me një varfëri proverbiale të para dhe pas luftës, të cilën ai e përshkruan mjeshtërisht me notat dhe ngjyrat më të gjalla dhe më të ndjera.
Me librat e vetë, Jovan Jano kontribuoi thellësisht në lartësinë e nivelit kulturor shkencor të lexuesve të të gjitha moshave, profesioneve, shijeve dhe bindjeve politike dhe ideologjike dhe njëherazi pasuroi fondin bibliografik me vepra dinjitoze.