Lamtumirë Kujtim Basho!
Pas disa operacionesh shendetësore, është ndarë nga jeta ushtaraku madhor, Kujtim Arshin Basho.
Kujtimi lindi më 20 qershor 1945 në Çepan. Në vitet 1959-1963 kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe dy vitet në vijim kreu studimet në shkollën e lartë të bashkuar të oficerave “Enver Hoxha”, ku u diplomua oficer në specialitetin e artilerisë tokësore me nota shumë të mira.
Në vitet 1969-1973 vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës, dega histori – filologji. Në 1982-1984 kreu studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu;të dyja këto shkolla I përfundoi me rezultate të larta.
Punoi në disa detyra ushtarake, nga më të ulëtat deri më të lartat. Në qershor 1984 zgjidhet sekretar i komitetit të Partisë së divizionit “Avdyl Frashëri” në Përmet dhe në gusht të atij viti u emërua në detyrën e komisarit të atij divizioni, detyrë që e kreu me devotshmëri e atdhetari si pakkush tjetër deri në vitin 1991. Pas shkrirjes së funksionit të komisarit në ushtrinë shqiptare , emërohet në detyra të tjera të rëndësishme.
Mbante disa dekorata, urdhra e medalje nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërsë, si Urdhri i Skënderbeut të Klasit të I-rë dhe të III-të; Urdhri i Shërbimit Ushtarak Klasi i I-rë etj.
Kujtimi ishte martuar me Liri Dyrmishin nga Muzhaka dhe lindën, rritën,shkolluan dhe edukuan tre fëmijë të mrekullueshëm, Entelën, Dritanin dhe Arshinin, të cilët ecin në gjurmët prindërve të tyre.
Gjatë gjithë karrierës së tij, ushtarako-profesionale, Kujtim Basho është karakterizuar nga përkushtimi i spikatur në kryerjen e çdo detyre, ndjenja e përgjegjësisë, figura tejet e pastër morale e politike, atdhetaria dhe korrektësia.
Kujtim Basho i përket plejadës së kuadrove që mbeten shembull dhe burim frymëzimi për brezat që vijnë.