Lamtumirë Laze Hamzollari!…

Lamtumirë Laze Hamzollari!…

E mora vonë vesh lajmin tronditës të ndarjes tënde nga kjo jetë. Dhe, e vëteta, më erdhi shumë keq për Ty, por më keq akoma, që nuk munda t’u thosha dot njerëzve të Tu të shtrenjtë, bashkëshortes dhe vajzave të Tua, fjalën që ato kishin nevojë në ato çaste.

 

Ti ke qenë një mik i vjetër imi i tipografisë, një mjeshtër i vërtetë, i urtë e i pazëshëm në profesionin Tënd, kur punonim në shtypshkronjën e Skraparit: Ti në zanatin tënd dhe unë në timin, si gazetar që doja që gazeta të diilte sa më cilësisht grafikisht.

 

Ndërsa të tjerëve u rrija mbi kokë të ma bënin punën siç doja unë, te Ti çlodhesha dhe s’thosha do asnjë fjalë, se e bëje aq bukur dhe aq përsosmërisht atë që doja unë, sa mua s’më ngelësh gjë tjetër, veçse, nga kënaqësia që ndjeja, të puthja në ballë e të ikja.

Lamtumirë Laze, miku im i kahmotshëm, i mirë sa Ti e i mirë si Ti!

Qofsh i Parajsës!

Zylyftari

 

 

Laze Hamzollari lindi 73 vjet më parë në Munushtir të Skraparit, në një familje të njohur dhe me tradita më të mira të kësaj krahine. Ka banuar në Çorovodë si një qytetar, vërtet i thjeshtë dhe punëtor, por një njeri me vlera të spikatura njerëzore  dhe gjurmë të thella, që nuk do të harrohet kollaj.

E vetmja pasuri e madhe, e shtrenjtë dhe e pallogaritshme që ka lënë pas, janë: bashkëshortja e tij, Mbaresa; vajzat, Elona, Blerina dhe Mirela, si dhe  tre nipërit dhe një “qershi mbi tortë”, siç toshte ai, një mbesë.