Lamtumirë Tristian Sherifi!

Lamtumirë Tristian Sherifi!

Nuk gjejmë dot fjalë për të shprehur dhimbjen që ndjejmë sot. Ndahet nga jeta Tristan Sherifi. Një ikje e parakohshme e një njeriu që la gjurmë në jetën e një qyteti si Durrësi.

 

Afro 20 vjet më parë na bashkoi puna në një televizion lokal të qytetit. I zoti, i qeshur, i gjallë, i bukur, një pranverë e vërtetë. Kur ia vinte në dukje njeri këto cilësi, sidomos atë të qëshurën e tij, që vetëm ai mund ta bënte ashtu, ai thoshte se kishte ardhur në jetë në ditët e “Pranverës së Pragës”.

 

Njeri e qytetar me vlera, punëtor e pasionant në gjithçka që lidhej me artin në tërësi e fotografinë e kamerën në veçanti. I edukuar, me vision dhe i komunikueshëm.

 

Ishte ai “që na njohu” me Durrësin dhe durrsakët që i donte aq shumë. Por edhe ne e njohëm me Skraparin tonë. Ishte deri në Tomorr, tek Abas Aliu për një dokumentar, ishte në Çorovodë dhe bëri miq, ishte në Vëndreshë për te regjistruar këngët e Asllan Ibros dhe Hekuran Mollës e të grupit folklorik.

 

Mësoi edhe dollinë dhe shpesh shprehej: “Mos harroni të më njoftoni në veprimtaritë e shoqatës “Tomorri”, se i dua skraparllinjtë”. Nuk e ndanim. Ai me aparat fotografik e kamer ishte aty, mes nesh.

 

Tani i donte dhe e donin të gjithë. Komunikonte si ai, pëlqente e punonte për të bukurën, rrezatonte mirësi.

 

Këto ishin vetëm pak, shumë pak fjalë për Tanin tonë të mirë.

 

Ngushëllime familjes, prindërve, djemve…

 

Ngushëllime në emër edhe të miqve e shokëve të shumtë që kishte mes komunitetit të skraparllinjve!

 

Hajri Nuhu

Zylyftar Hoxha

Elitjona Doko

Aleks Kalemasi