Libri i Dule Kalemit,  “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit”, një libër që patjetër duhet ribotuar

Libri i Dule Kalemit,  “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit”, një libër që patjetër duhet ribotuar

 

 

Shkrimi nr. 1

 

Siç është njoftuar edhe më parë nga “Orakujt e Tomorrit”, Këshilli Bashkiak i Skraparit para disa ditësh ka miratuar ngritjen e një përmendoreje në nderim të luftëtarit të shquar Mestan Ujaniku. Si në Këshill, që kaloi me vështirësi ashtu edhe në opinionin publik, për fat të keq, ka paqartësi dhe dyshime të paarsyeshme për jetën dhe veprën e këtij luftëtari, të cilat kanë vite që diskutohen.

 

 

Ndaj në këtë kuadër, për të sqaruar opinionin publik, “Orakujt e Tomorrit” në tre – katër numra radhë do të publikojë shkrime të botuar edhe më parë lidhur me këtë figurë, që edhe pse i vdekur nga torturat, edhe pse pa varr, përgojohet dhe i hyhet akoma edhe sot “në hak e në gjynah”!

 

 

Para dis vitesh, veterani Dule Kalemi*), botoi librin “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit”, një libër i shkruar thjeshtë, natyrshëm dhe me sinqeritet.

 

 

E kishte thirrur gjaku, pasi ishte mik i familjes së Mestanit, që në moshën 90-vjeçare t’i vinte një barrë të madhe historike vetes, duke shkruar një libër të tërë për këtë figurë madhore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Skrapar dhe më gjërë, siç është figura komplekse e Mestan Ujanikut.

 

 

E, ndërsa ngutej, duke hedhur shpejt e shpejt shënimet e tij në fletorka fëmijësh në orët e vona, kur i afrohej ndonjë grip, i lutej vdekjes ta linte dhe ca ditë sa të mbaronte një punë. “Nuk të them më, i thoshte me zë vdekjes, s’jam unë nga ata të historive të tua!

 

 

E mbaj fjalën! Unë nuk mbjell pemë që ta hanë të tjerët, por mbjell pemë që ta ha vetë! E kuptove?! Dhe vdekja, a ikte a nuk kishte ardhur fare, por nuk dukej më!…Ndaj ai vazhdonte të tregonte për Mestanin, të fliste e të jetonte me heroin e tij të rinisë, si atëhere kur shkonte me të shteg më shteg e mal më mal…

 

 

Libri u botua, por, fatkeqësisht, për mundësitë e një pensionisti si Dulja, me tirazh shumë të vogël dhe vështirë ta gjesh sot në treg.

 

 

Mendoj se ky libër duhet ribotuar. Ato shoqatat që “u digjet barku” për Mestanin, të mos mblidhen për kafe morti, por të sigurojnë fonde, të ndihmojnë Bashkinë, të bëjnë përmendoren, të ribotojnë librin dhe të bëjnë veprimtari për të promovuar Mestanin, jo veten e tyre!

 

 

Siç do ta shikoni edhe më poshtë, në parathënien e librit, është një nga gjërat më me vlerë që është bërë deri më sot për sqarimin e figurës së Mestan Ujanikut nga një dëshmitar okular, bashkëkohës, siç ishte Dule Kalemi.

 

Një pikturë e Dules që zbukuron shtëpinë time

 

 

Parathënia e librit

 

…Nuk është e lehtë të shkruash për Mestan Ujanikun, për mendimin tim, për dy arsye:

E para, sepse ai i tejkalon përmasat e një njeriu dhe luftëtari të zakonshëm, pasi ishte nga të rrallët burra që jo vetëm kuptoi kohën dhe atë që kishte ndodhur me vendin e vetë, por edhe se veproi menjëherë pa pyetur njeri, por ashtu siç ia tha mendja dhe zemra për t’i sjellë këtij vendi lirinë e humbur aq pabesisht.

 

 

Pushka e tij ishte nga të parat që shkrepi në Shqipëri dhe fama dhe nami i tij u rrit me ditë e me orë, jo vetëm në vendin e tij, por më tepër në hapësirat jashtshqiptare si shembull dhe frymëzim për popujt ndërluftues.

 

 

Ai ishte një individ i dalë nga një popull, siç është populli i krahinës së Skraparit, që e ka mish e gjak patriotizmin dhe nacionalizmin, ai ishte produkt historik, pse të mos themi edhe natyror i maleve të Skraparit.

 

 

Ndaj dhe shkëlqimi i tij meteorik u shfrytëzua nga Partia Komuniste, e cila pak nga pak nëpërmjet strukturave të saj politike dhe organizative, përpiqej t’ia merrte “pushtetin”.

 

 

Siç tregojnë sot dokumentet, gjatë gjithë periudhës së luftës, pa e ditur asnjëherë, ai ka pasur mbi kokë “shpatën e Demokleut”, spangua e së cilës nuk u këput atëhere, por në një kohë tjetër, kur pushteti në njërin krah ishte bërë apsolut dhe i pakundërshtueshëm.

 

 

Arsyea e dytë, që nuk është e lehtë të shkruash për Mestan Ujanikun, është se drama e jetës së tij është një dramë që tejkalon çdo normë njerëzore, është një dramë shekspiriane, që nuk ka penë ta përshkruajë e ta sjellë.

 

 

Është kjo mungesë guximi që për të deri tani është shkruar pak. I pari që ka guxuar ëshë Dulja, i cili vjen me këtë libër me kujtime për Mestanin pa pretenduar se ka bërë një libër shterues. Dulja nuk ka hapur arkiva. Ai në këtë libër ka hedhur thjesht kujtimet e tij, ato që ka parë me sy e ka dëgjuar me veshët e tij në atë kohë. Madje ai nuk është dakord dhe ka rezerva për disa “fakte” dhe interpretime nga ato që janë shkruar deri tani për Mestanin. 

 

 

Si përfundim, Dulja me këtë libër nuk i pret rrugën askujt për të ezauruar më tej figurën dhe profilin interesant, trimëror dhe fisnik të Mestan Ujanikut.

 

 

I nxjerrë nga thellësia e shpirtit, libri  i Dule Kalemit për Mestanin është një tufë lulesh homazhi për mikun e  familjes, heroit, luftëtarit dhe frymëzuesit të jetës së tij, një tufë me lule që Dulja e ka mbajtur dhe selitur në shpirt një jetë të tërë, por që në të vërtetë tani e nxori së thelli. 

 

 

Në gjithë këtë merak e vramendje, kur ëndrrën ai e bëri konkrete, si një kurorë të lidhur, harroi një detaj të vogël: nuk kishte ku ta vinte këtë kurorë, pasi Mestani s’ka varr! “Atëherë, në zemër të njerëzve”, tha Dulja!

 

 

 Dhe ia nisi menjëherë shënimet teknikës, radhitjes, redaktimit, faqosjes, shtypshkronjës deri sa libri përfundoi te ti, i dashur lexues.

 

 

Kaq ishte puna, kaq ishte detyra e këtij veterani, luftëtari të vjetër.

 

 

Tani fjalën e ka lexuesi që e ka marrë në dorë këtë libër.

 

Lexim të këndshëm!

 

 

Zylyftar Hoxha

 

 


 

Kush ishte Dule Kalemi

 

 

 

 Me Dulen, mikun tim të shtrenjtë

 

 

Dule Kalemi, lindur në Mëlovë të Skraparit, ka ndërruar jetë para tre vjetësh. Ka qenë partizan që në moshë të vogël.

 

Pas çlirimit, punoi disa vjet me Rininë në rrethin e Skraparit.

 

Pastaj oficer në Ministrinë Mbrojtjes.

 

Më pas mbaroi studimet e larta për agronom dhe punoni në ndërmarrjen Komunale të Tiranës, në fidanishten e luleve dhe prej andej në ekonomitë ndihmëse të Ministrisë së Brendshme.

 

Ishte dashamirës arti: Ka shkruar disa libra dhe ka pasur një galeri të tërë me piktura.