Libri i Luman Cakës,“Perëndimi i një kohe”, si një monument shpirtëror, kushtuar mësuesve heronj që punuan e jetuan në Skrapar

Libri i Luman Cakës,“Perëndimi i një kohe”, si një monument shpirtëror, kushtuar mësuesve heronj që punuan e jetuan në Skrapar

 

Janë vitet e para pas Çlirimit*). Arsimi mori një zhvillim të paparë. Nevoja për mësues ishte e madhe. Krahas mësuesve të dalë nga radhët e popullit, kush kishte një shkollë unike apo që dinte shkrim e këndim, në këtë kohë erdhën edhe shumë mësues nga rrethe të ndryshme të vendit.

 

 

Ata vinin jo vetëm nga Berati, Korça dhe Elbasani, por edhe nga Gjirokastra dhe Saranda, nga Kolonja, Shkodra dhe rrethe të tjerë të Shqipërisë.

 

 

Këta djem e këto vajza plot energji, të dashur të qeshur dhe optimistë, që punuan për vite me radhë nëpër fshatrat tanë të largët, më bënin përshtypje të madhe.

 

 

Jetova e punova me beratas, durrësakë, elbasanas, korçarë, përmetarë, fierakë, vlonjatë, kolonjarë e devollinj dhe më çudiste përkushtimi, ndërgjegjja dhe serioziteti i tyre.

 

 

Ata punonin sikur do të jetonin përjetë në Skrapar. Kur them punonin, nuk kam parasysh vetëm atë që bënin me nxënësit brenda shkollës. Ata i gjejekudo: me të moshuar e me rininë, në estradë e në bibliotekë, në aksione e në sport, në ekskursione e në teatër, në marshime nëpër vendet historike, nëpër kurset kundër analfabetizmit e në shkollat e natës.

 

 

Kur vinte gushti e ata ktheheshin nga pushimet verore, Çorovoda e vogël lulëzonte nga veshjet e tyre e gjallërohej. Ardhja e tyre binte në sy menjëherë.

 

 

Takoheshin, përqafoheshin e çmalleshin me miqtë e vjetër, mernin emërimin e ri dhe ngarkonin plaçkat dhe valixhet e drunjta  nëpër kafshë e u ngjiteshin maleve. Fill vetëm ose vet i dytë, djem apo vajza, shkonin hapnin shkollat, kur mungonin bangat, kur edhe vetë ndërtesat shkollore mungonin, kur pengesat dhe vështirësitë u delnin përpara në çdo hap që hidhnin.

 

 

Përfytyroni një djalë të ri nga Shkodra, që banon e punon në Qafë, i vetëm me katër klasa kolektive. Përfytyroni një natë dimri dhe imagjinoni se ç’bënte vetëm në dhomën e ndriçuar me kandil, kur nën dritare ulërisnin ujqit.

 

 

Po ai mësuesi 20 – vjeçar nga Kavaja që punonte në shkollën e Melckës, e cila ishte pranë varrezave dhe pranë pyllit, e dini si humbi dy ditë në pyllin e Lakshtit, ndërkohë që qe nisur për mbledhjen e rrethit metodik në Potom.

 

 

Po elbasansja Makbule Doraci me të motrën si e kalonte natën në shkollën mes varreve te Sheshi i Xhamisë në Vlushë?!

 

 

Sa e sa Bakbule e Rasimë, Veronika dhe Emirë, Llazarë dhe Dhespulla, Vasilë e Dhimitrulla, Tatjana dhe Zoica e shkrinë e tretën dhe e lanë rininë e bukur në Vlushë, në Qafë, në Vëndreshë, në Prishtë, Potom, Trebël e kudo në të 105 fshatrat e Skraparit.

 

 

Arsimtarët që punuan në Skrapar në vitet e para pas Çlirimit dhe më pas akoma, në vite ’70 të shekullit të kaluar, koha i vuri përpara provave të shumta e të vështira, të cilat ata i kaluan denjësisht, pavarësisht nga çmimi i lartë që paguan.

 

 

Këta arsimtarë që punuan në rrethin tonë dhe përballuan vështirësi të shumta, në shumë raste kanë vuajtur edhe për bukën e gojës. Mes tyre ka pasur edhe nga ata që janë futur në orën e mësimit pa ngrënë dhe u vinte turp të tregonin, pa le të kërkonin. Racioni prej 12 kilogram misër humbiste nëpër thasë, rrugës, nga depot, në mullinjtë a gjetkë.

 

 

Puna e tyre në fshatrat tona, entuziazmi, energjia djaloshare, pengesat që kalonn, sakrificat që bënin, të gjitha këto, bënë që t’u kushtoja një libër që e titullova “Mirënjohje”, por më pas, duke shkruar, u binda se nuk kisha se si të shkruaja vetëm për ta, pa përmendur vetë skraparllinjtë arsimdashës, patriotë, të cilët vunë gurët e themelit në ndërtesën e madhe të shkollës e të gjuhës shqipe në Skrapar. Ndaj dhe e shtova librin dhe i vura titull tjetër, “Perëndimi i një kohe”.

 

 

Si një monument shpirti, u kushtoj këtë libër të gjithë heronjve të vërtetë, të gjallë e të vdekur, të asaj kohe të vështirë, të perënduar, por që kurrë nuk duhet harruar.

 

 

Luman Caka

 

*) Nga parthënia e librit “Perëndimi i një kohe”