Luftëtari Mestan Ujaniku kthehet përfundimisht në “shtëpinë e tij të mohuar”, në Çorovodë 

 Luftëtari Mestan Ujaniku kthehet përfundimisht në “shtëpinë e tij të mohuar”, në Çorovodë 

 

 Këshillit Bashkiak i Skraparit merr vendim për ngritjen në hapësirat e qendrës së qytetit të përmendoreve të dy prej figurave të shquara historike të Skraparit, Xhelal Koprënckës dhe Mestan Ujanikut

 

 

Zylyftar Hoxha

 

Këto ditë, më 26 qershor 2025, Këshilli Bashkiak i Skraparit, me iniciativën dhe kërkesën e kryetarit të Bashkisë, Adriatik Mema dhe me propozimin e shoqatës atdhetare kulturore “Tomorri”, dega Durrës, miratoi ngritjen në hapësirat e qendrës së qytetit përmendoreve të dy prej figurave më të shquara historike të Skraparit, Xhelal Koprënckës, si firmëtar, përfaqësues i Skraparit në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Mestan Ujanikut, komandantit të Çetës së Skraparit dhe më pas të Qarkorit të Beratit gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

 

Nderimi i firmëtarit Xhelal Koprëncka me rastin e 100 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë

 

 

Në shënimet e mëposhtme do të flasim vetëm për Mestan Ujanikun, jo për kalvarin e burgut, hequr prej tij, deri në eliminim fizik, pa varr, si “armik i popullit”, por për kalvarin e mëvonshëm të rivlerësimit të figurës së tij, ashtu siç ishte në të vërtetë, të një luftëtari të shquar, “legjendë e maleve të Skraparit”.

 

 

Nëse për të mundur fashizmin në Skrapar u deshën tre vjet, për të mundur veten tonë na u deshën më shumë se 30 vjet.

 

 

5 shtator 2024, “hyn” për herë të parë, me ceremoni, në Muzeun e Skraparit busti i Mestan UJanikut

 

 

Ndoshta, ky akt emancipues do të vonohej edhe më tej, nëse nuk do të kishim njerëz me kurajo intelektuale si Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili, që në ditët e para të marrjes së detyrës si President në vitet 2000, e dekoroi Mestan Ujanikun me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”,

 

…si dr. Ajli Alushani, i cili ndërmori nismën për të organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave konferencën shkencore për Luftën Antifashiste në këtë krahinë,

 

…si kryetari mendje-hapur i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, që ka mbështetur çdo ide, propozim iniciativë për të rishikuar padrejtësitë të tilla historike.

 

…si gjithë kryesia e shoqatës “Tomorri” Durrës, me Hajri Nuhun në krye, të ndihmuar dhe përkrahur nga njerëz të biznesit si Fatos Çerenishti, Hektor Bejko etj.

 

…si njerëz të medias, Naim Zoto, Zylyftar Hoxha, Tomorr Laze etj., të cilët kanë informuar vazhdimisht publikun dhe ngulur këmbë për rehabilitimin e plotë të këtyre figurave historike të errësuara dhe të injoruara marrëzisht.

 

 

Ndaj, vendimin e Këshillit Bashkiak të Skraparit për vendosjen e përmendoreve të dy figurave të shquara patriotike, Mestan Ujanikut dhe Xhelal Koprënckës, do ta quanim një vendim, jo vetëm të drejtë, por edhe historik.

 

Tani, pas vendimit, sapo kanë filluar procedurat e e realizimit konkret të këtyre dy veprave skulpturore, që vërtet i kanë munguar Çorovodës.