Luman Caka: Nënëmadhe, lamtumirë!…

Luman Caka: Nënëmadhe, lamtumirë!…

 

Në vend të elegjisë për Osojën –

 

Luman Caka

 

 

Humbi dielli, perëndoi,

Nënë, moj, ç’tëmbuloi nata,

I gjallë e i vdekur shkoi,

e vuri vulën mandata.

 

 

Triniteti zi si nata,

Tutje Dudovës bullgare,

korbi, qyqja, kukuvajka,

qajnë dhe nuk pushojnë fare.

 

 

Nënë, moj, pa fëmijë mbete,

pleq, të rinj, vajza dhe nuse,

ikën dhe vetëm të lanë,

zunë vend temollë e kuqe!

 

Brezat që prite përcolle,

I mbajte në këmbë me lakra,

u vure vulën “Osoja”,

pa ditur se ç’kohë vjen prapa.

 

 

Mjerimin dhe varfërinë,

Trimëreshë I përballove,

humbe me demokracinë,

në Shën Mëri u flijove.

 

 

Bijtë e tu, si unë plaku,

s’besoj se të lane përjetë,

jo, moj jo, s’je gunëflakur,

nga ne ke amanet djemtë.

 

 

Mos na nëm, s’u larguam vetë,

shpatë e kohës na përzuri,

zvarrë na tërhoqën djemtë,

grackë e kohës ra, na zuri.

 

 

Kur t’i marrë malli për nënën,

Pleqtë tënd, kështu si unë,

Pranë teje kush do t’i sjellë,

Shtrirë në kutinë me drurë?

 

 

Amanet, moj nënëmadhe,

Eshtrat që na mban në gji,

Te Shën Mëria mbi luadhe,

se janë bijtë që rrite ti!

 

Ishe djepja që na tundi,

po erdhi koha të mundi,

morëm arratinë pa pritë,

jemi bërë kozmopolitë.