
Luman Caka: Nënëmadhe, lamtumirë!
(Në vend të elegjisë për Osojën)
Luman H. Caka
Nënë moj pa fëmijë mbete,
pleq, të rinj, vajza dhe nuse,
ikën dhe vetëm të lanë,
gjetën shesh te Mollë e Kuqe.
Mos na shaj, se s’deshëm vetë,
kohë e zezë na përzuri,
zvarrë na tërhoqën djemtë,
grackë e kohës, ra, na zuri.
Ke qenë djepja që na tundi,
Nëpër shekujt e mjerimit,
po tërë mundimi të humbi,
viktimë e kozmopolizmit.
Sa breza prite, përcolle,
Të rritur me lakra mali,
Sa here qave, kur këndove,
bobo çupa, bubu djali?
Arratisur nëpër botë,
me vulën “Osojë” në ballë,
po askush nuk mund të thotë,
se tani po bëjmë pallë.
Amanet, moj Nënëmadhe,
eshtrat që na ruan në gji,
te Shënmëria në varre,
se janë bijtë që rrite ti.
Lumë i kohës dallgëshumë,
nga gjiri tënd na përzuri,
ethet e gushtit më zunë,
shtatëqind pashë n’dhѐ më futi
Lëmsh i dheut, si ngaherë,
rreth diellit do rrotullohet,
po Osoja jonë e mjerë,
gjallë e vdekur, s’tjetërsohet.
Me flori botën t’ma shtrojnë,
Kurorë mbreti të më vënë,
nuk i këmbej me Osojë,
se e kam nënë mbi nënë.