Luman Caka: Riza Cerova, faltorja jonë e trimërisë

Luman Caka: Riza Cerova, faltorja jonë e trimërisë

Me rastin e 87 – vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Riza Cerova

 

Luman Caka

 

Lumi i përjetshëm i kohës, herë i qetë e herë i rrëmbyer, plot dallgë e oshtimë, derdh në detin e harresës, pa keqardhje e mëshirë gjithë ç’mundet nga jeta njerëzore. Por burrat kapedanë si Riza Cerova, sado ujë të rrjedhë në detin e pafund të kohës, mbeten përjetë, të gjallë e të pavdekshëm në “Panteonin e rralluar” të Shqipërisë.

 

 

Përse e nderojmë Riza Cerovën

 

 

            Për këtë hero të Shqipërisë është shkruar me dashuri sa herë vjen janari i lindjes dhe gushti i rënies trimërore. Janë botuar libra e broshura, fletëpalosje, artikuj e janë kënduar e këndohen këngë zemre, këngë shpirti. Te “seli e trimërisë” në mes të Çorovodës, te qivuri pranë lapidarit, ku ka ndehur krahët për fluturim shqiponja e Paskalit, Riza Cerova në gjumë mbulohet përherë me trëndafila, menekshe, borzilokë e manushaqe.

 

 

Për të s’këndon vetëm qyteti i vogël që e ka në zemër, por ligjërojnë rrëketë që zbresin nga malet e gërxhet e Skraparit, lumenjtë aty pranë, që oshtijnë, qan e këndon shpirti i çobanëve në fyell-në maja.

 

 

 

Kjo ndodh prej tre çerekshekulli, sepse Riza Cerova ishte bir e shërbëtor i vegjëlisë, ishte tribun i saj, ishte simbol i burrërisë, trimërisë e besnikërisë-tipik skraparlli. Ai ishte iluminist i kulluar, idealist si ai e nacionalist i djegur për një Shqipëri të fukarasë, armik i pamëshirshëm i bejlurçinës, agallarëve e kolltukofagëve.

 

 

E nderojmë pa kufi, pa anë e fund, se ai qe e mbeti besnik i pa tundur i idealeve të ndritura dhe luftoi me konsekuencë, si askush tjetër, kundër Zogut dhe mjerimit zogollian, i cili shkretoi Shqipërinë dhe e bëri një Turqi të vockël evropiane, pronë të tij personale. E duam dhe e nderojmë kapedanin e Skraparit, birin e madh të Cerovës së vogël e mbarë vegjëlisë, në Myzeqe e Shqipëri,  pasi la rrugëve nënë, grua e fëmijë e për njëmbëdhjetë vjet më radhë bëri jetën e luftëtarit revolucionar, internacionalist me idealet e ëndrrat më të bukura në gji. E duam dhe përjetë e duam se katili mbret e vrau të ri, kur kishte mbushur tridhjetë e nëntë pranvera, kur ishte në kulmin e lulëzimit të energjive, kur ëndërronte e luftonte pa pushim për njerëzinë.

 

 

E duam e do të shkruajmë për të, do të këndojmë brez pas brezi, do ta mbulojmë me lule në të katra stinët e vitit, me lule të rralla malesh, me këngët që çurgojnë burime tona të kristalta, do ta mbulojmë me zemrat tona, me shpirtin tonë, se ishte burrë mbi burrë-nderi dhe krenaria jonë, faltorja jonë e trimërisë.

 

 

Çfarë ka bërë Riza Cerova për Shqipërinë

 

 

Ky luftëtar i madh, arratisur nga vetvetja për hallet e Shqipërisë, u arrestua në Selanik, Stamboll e Rusi. Edhe pse në Greqi jetoi një kohë të gjatë, luftën kundër saj e bëri me armë në dorë në krye të forcave të Skraparit. Ishin vitet 1913-14 kur andartët e palikarët grekë i vunë zjarrin Jugut të Shqipërisë dhe me thikë e bajonetë therën gra, fëmijë e pleq në fshatrat e besimit mysliman.

 

 

Është ky shkaku që në Skrapar dhe në rrethet fqinje këndohet me dhimbje ajo kënga që thotë: Motra jemi me Greqinë,/ Shoqe mos u bëfshim kurrë,? Se na dogji Shqipërinë,/ Kur e gjeti të sëmurë…

 

 

            Gjithnjë me armë në dorë, në krye të djalërisë së Skraparit e rretheve, pushka e tij krisi kundër ushtrive të huaja italiane, austro-hungareze e franceze. Në Komitetin e Shpëtimit Kombëtar, që u krijua në Zaloshnje më 1919, ai ishte anëtar i tij përkrah Maliq Skraparit, Ali Koprënckës, Sinan Yllit, Hysen e Sevet Zaloshnjes etj. Mori pjesë si komandant i forcave të Skraparit në Kongresin e Lushnjës e në Luftën e Vlorës, ndonëse ishte plagosur dy herë e i vëllai, Aliu u vra në Luftën e Parë Botërore. Qe anëtar i komisionit që mori në dorëzim Vlorën. U emërua oficer e rrethkomandant i xhandarmërisë në Gjirokastër e në vitin 1923 gjendet qarkkomandant në prefekturën e Kosovës e Dibrës. Më pas po në këtë detyrë në Vlorë.

 

 

Me vrasjen e Heroit Kombëtar Avni Rustemi, i ndërpreu për jetë lidhjet me qeverinë zogolliane. Pas çarmatosjes së garnizonit të Tepelenës e Përmetit me 500 forca nga regjimenti i Përmetit 1000 vullnetarë të Skraparit dhe të Beratit më 1 qershor 1924 ngriti atje flamurin e kryengritësve. Më 10 qershor hyn triumfalisht në Tiranë ku triumfon Revolucioni i Qershorit me Nolin e madh në krye. Qeveria e emëron qarkkomandant në Berat.

 

Në dhjetor të vitit 1924 shkon në kufi të Peshkopisë ku ndeshet me forcat e Zogut që vinin nga Jugosllavia e në ditët e fundit ndeshet me to në Shkallën e Tujanit, me cilësinë e komandantit të regjiment për mbrojtjen e Qeverisë së Nolit.

 

 

Pas dështimit të qershorit, më 28 shkurt 1925, bashkë me oficerët Ali Nishica, Myrto Cerova me shokë, emigron në Greqi.

 

 

“Gjarpri që e kish zënë

Me atë palo mbretin tënë”…

 

 

Tërë energjitë djaloshare, aftësitë e talentin si revolucionar, i derdhi në emigracion, ku qëndroi 11 vjet. Me detyrat që i ngarkoi KONARE-ja apo Federata Ballkanike e Kominternit, me optimizmin, gëzimin e shpresën e së nesërmes, ai shkoi sa në Vjenë, në BS, sa në Berlin, në Belgjikë, Iran, Turqi, Mançuri të Kinës, Bullgari, Rumani e gjetkë si në Mekë, Medinë, etj.

 

 

Bashkëpunoi me Fan S. Nolin, Halim Xhelon, Gjergj Dimitrovin e burra të tjerë të këtij kalibri. Edhe në mërgim s’iu ndanë agjentët e dërguar enkas nga Shqipëria apo ata të kafeneve, të Evropës, të cilët i luftoi dhe i përballoi me mospërfillje e neveri. Veç të tjerash ky patriot i madh e demokrat revolucionar duhej të përballej edhe me shpifjet e ndonjë “shoku” në Komitetin e Çlirimit Nacional, që e quante Rizanë spiun të Zogut! Kush hante dhenë dhe kush pinte kafenë!

 

 

Kontribut të dukshëm dhe me vlerë të padiskutueshme përbën aktiviteti i tij si korrespondent e gazetar në shtypin përparimtar të emigracionit. Shkrimet e tij në organin e KONARE-së “Liria Kombëtare” dhe gjetkë, sidomos tek “Shqipëria e Re” për nga përmbajtja, forca argumentuese e mjeshtëria profesionale, ruajnë dhe sot vlera të spikatura.

 

 

Emigracioni për Riza Cerovën qe një universitet; ai ishte prologu i dramës së madhe të vitit 1935, perdja e së cilës ra tragjikisht më 14 gusht të atij viti të përgjakur.

 

 

“Kush ka një pushkë, le ta rrëmbejë

Kush ka një zemër, mos ta kursejë”…

 

 

Ka gazetarë dhe gazetarë; Riza Cerova ishte gazetar tribun, i guximshëm dhe i mençur, e vinte gishtin në plagë dhe shkruante të vërtetën. Ai e ngjyente penën në bojën e mjerimit popullor migjenian. Ai bashkëpunoi me organet “Politika”, “Populli”, “Bashkimi”, “Idealisti”, “Drita”, “Kuvendi”, “Drita e Atdheut”, “Republika”, “Shqiptari i Amerikës” etj. Është tepër domethënës fakti që shumë artikuj ai i  nënshkroi me mbi shtatëmbëdhjetë pseudonime. Dhe titujt e artikujve të tij ishin aq të bukur, koncizë dhe tërheqës si: “Cilët janë orionasit”, “Bujku dhe shpëtimi i tij”, “Përse luftojmë”, “Qytetërimi serb” etj. etj.

Me Rizanë luftëtar është eklipsuar Rizai gazetar. Një ditë, kur do të dalë në dritë veprimtaria e tij si gazetar, Riza Cerova do të dalë para publikut më i plotë, më interesant dhe më i fuqishëm.

 

 

“O perëndi, më ruaj nga miqtë,

Se nga armiqtë ruhem vetë”…

 

 

 

Kryengritja antizogiste e Fierit e vitit 1935, që lëkundi si tërmet i rëndë themelet e kalbur të ngrehinës zogolliane, e njohu Rizanë si njëri nga protagonistët e saj kryesorë.

 

 

Më 30 mars të vitit 1935 ai u kthye nga mërgimi e shkeli tokën e atdheut në Kapshticë. Pas qëndrimit në Bilisht e Korçë mbahet në survejim të plotë në Elbasan, ku i puth në ballë shokët, që i erdhën nga Tirana me lajmin e gëzuar të kryengritjes që po përgatitej. Është e paimagjinueshme si është e mundur që ai të shkonte në Cerovë vetëm prej afro katër muajsh dhe pikërisht më 25 korrik, pas një emigrimi 11-vjeçar!

 

 

Hotel ”Evropa” dhe kafe “Skrapari” në Tiranë u bënë qendrat e tij më të preferuara ku takohej me kryengritësit, organizatorët e patriotët e tjerë. Puna me masat e gjera të popullit për ta ngritur në kryengritje, ishte, si të thuash, pika e tij nevralgjike-arkimediane.

 

 

Por behari nuk vjen me një lule. Në organizatën gjoja të fshehtë të kryengritjes ishin futur agjentë e spiunë të shteteve fqinjë e të qeverisë, që nga kroati Rudolf Lenders, deri te fshatari i thjeshtë nga Mollasi apo ai devolliu i largët. “Puna jonë s’qe e sosur, grurë e misër nakatosur”. Kështu do të shprehej një pjesëmarrës i njohur në kryengritje.

 

 

Vetë ia ashtuquajturi “shtab” i kryengritjes ishte një konglomerat njerëzish të rrymave e pikëpamjeve të ndryshme, anëtarët e të cilit, pa filluar mirë kryengritja, u larguan nga Tirana ose u fshehën vrimave, duke lënë fillikat Asim Vokshin. Fakti që kryengritja s’pati shtrirje më të gjerë gjeografike favorizoi Zogun ta shtypte atë me lehtësi. Rizai mbeti i tradhtuar nga bashkëpunëtorët e tij. Kryengritja dështoi.

 

 

Njëmbëdhjetë ditët e fundit

 

 

Ndërsa “Sahati i Shtrigave” në Tiranë merrte vendime për burgime, varje në litar pushkatime, heroi ynë, më 14 gusht 1935, tërheq forcat nga portat e Beratit e arrin me shpejtësi te Ujët e Zi, zemër thyer e shpirt vrarë, i ndjekur nga xhandarët, spiunët, tradhtarët dhe mercenarët, që s’i kanë munguar asnjëherë këtij vendi.

 

 

U nda me lot në sy me bashkëluftëtarët besnikë të Skraparit për të mos u takuar me ta kurrë më. Gjashtë prej tyre nga më trimat e besnikët dhe ai shtatë, natën, morën rrugën drejt malit të Tomorrit për të kaluar në malet e Oparit e të Gorës, me synimin të kalonin kufirin shtetëror me Jugosllavinë, përballë fshatit Çërravë të Pogradecit. Por Rizai i kishte këmbët gjak e plagë që te Ujët e Zi. Duke kaluar pyje, lumenj e përrenj, qafa e maja malesh, rrëzima si shkëmbi i frikshëm i  Mëzhisë, në fund të Mazërrekës, mes shokësh trima e besnikë, arrin i gjallë në Selcë të Gorës. Mbrapa Xhandarë e mercenarë e ndjekin si langoi gjahun. Arrin në Krosnisht ku spiunohet në postën e Moçanit nga gruaja me emrin Esma, të cilës i kërkuan ujë.

 

 

Më 25 gusht 1935 çeta e vogël me 7 vetë, si Arusha e Madhe në qiell të gushtit, lë itinerarin e majave e shmanget duke u vendosur në pyllin e dendur me lisa mes Dolanecit e Marjanit, e ndjekur hap pas hapi nga të katra anët nga xhandarët, forcat vullnetare të mercenarëve dhe spiunët e baba Pagrisë, të Xhemal Malindit e Gjon Destanishtës me të tjerë bashibozukë.

 

 

Natën me hënë, pa aguar 25 gushti, ndizet lufta e qindra forcave kundër çetës së Riza Cerovës me 7 vetë. Vriten dy bashibozukë të ndjekjes e më pas plagoset Shuaip Cerova, bashkëfshatar i Rizait.

 

 

Me rënien e Riza Cerovës shokët e tij besnikë e puthën të gjashtë në ballë dhe u shpërndanë duke marrë arratinë. Katër prej tyre u dënuan me 101 vjet burg, kurse aspiranti Myrteza Cerova me Ramiz Spatharën nuk ranë të gjallë në dorë të xhandarëve. Ata u bënë erë e morën malet. Një këngë gorare thotë vetëm kaq: “Myrtezai u kthye prapë, vrau dy në Protopapë”…

 

 

Për zhdukjen e tyre misterioze ka dy variante: I dogji në kalidhet e çobanëve Ndin Jaho, tek vajtën xhandarët t’i kapnin. Varianti i dytë: Spiunët e mercenarët në emër të “vëllamit” të Riza Cerovës, i furnizuan me bukë në mes të maleve, midis Oparit e Skraparit, u bënë një gosti me mish të pjekur dhe i vranë me sëpata në gjumë. Varianti parë është më i përhapur. Kështu mbetën pa varr dy nga trimat më të mirë të Heroi tonë Kombëtar.

 

Kush e vrau Riza Cerovën

 

 

E vërteta është se Riza Cerova nuk u vra vetëm nga plumbi. Ai u vra pak nga pak para se të binte në pyll të Marianit. Riza Cerovën e vranë pseudo politikanët shqiptarë të kafeneve, pseudo patriotët e “shtabit” të kryengritjes, e vranë ata që e tradhtuan dhe e lanë vetëm, e vrau mercenarizmi dhe servilizmi i hipokritëve të kolonës së pestë, e vrau cinizmi i neveritshëm i KONARE-së që bënte sehir nga kafenetë e tymosura të Evropës, duke dashur të nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.

 

Plumbi që e rrëzoi në pyll të Marianit s’ka rëndësi nga cila pushkë doli. Atë e rivranë “veteranët” e kapeleve, sëmurë për lavdi.

 

 

Sot patriotët si Riza Cerova nuk janë më në modë. Janë në modë pseudo politikanët e rinj. Janë ata që pas 17 vjetësh e rivranë Riza Cerovën duke pritur me tam-tame ata që e kishin vrarë. Sot dekorohen bijtë e atyre që e vranë Rizanë në malet e Gorës. Lulet e dimrit janë shumë të rralla, ndaj zhduken sapo çelin.

 

 

Riza Cerova jeton në zemrën e popullit, në monument e këngë. Bëhen qesharakë ata që kërkojnë të pështyjnë malin e shenjtë të Tomorrit. Populli e thirri bir, vëlla, Xake, djalë, dhe e ka të gjallë mes të gjallëve.

 

Ja, po del Riza Cerova

Që nga varri

Rreth e rrotull i shkëlqejnë

Yje zjarri…

 

 

 

 

Çeta e fundit e Riza Cerovës

 

 

  1. Riza Vala

 

  1. Shuaip Cerova

 

  1. Myrto Cerova

 

  1. Ramiz Spathara

 

  1. Tahir Grepcka

 

  1. Arshin Liqedhi