Madhështia që nuk e mbulon dot balta, mjaft me abuzime!…
Gjergj Qafoku
Dervish Iliazi ndërroi jetë më 1 mars (14) të vitit 1923.
Që sa ishte gjallë, ai kishte ndërtuar Tyrben — vendin ku prehen klerikët bektashinj — dhe kishte lënë amanet që, pas vdekjes, të varrosej aty.
“Më varrosni te varrezat e familjes dhe kokwn ma ktheni nga Tomorri të dëgjoj oshëtimën e Tomorrit e të më ngrohë dëbora…”
Vitet kaluan… Por as i vdekuri nuk u la i qetë.
Në pranverën e vitit 1968 u shemb Teqeja që ai kishte ngritur me mund e besim. U përdhos varri i tij dhe eshtrat iu nxorën nga duar mizore, për t’u flakur lëndinave të Kulmakut, në një nga aktet më të rënda të barbarisë ndaj kujtesës dhe trashëgimisë shpirtërore të kësaj treve.
Plaku i urtë dhe fisnik, Iliaz (Laskë) Ujaniku, që mbante edhe emrin e tij, i mblodhi ato eshtra me përkushtim e dhimbje. Në fshehtësi të plotë, natën, me një arkivol të përgatitur prej tij, i rivarrosi poshtë Ujanikut, te Gorrica e Maksutit.
Sekretin e mbajti brenda vetes gjithë jetën. Vetëm kur e ndjeu se fundi po i afrohej, thirri dy djemtë e tij, Qemalin dhe Shezaiun, dhe ua tregoi amanetin dhe të vërtetën që kishte ruajtur për dekada.
Në vitin 1991, Qemali, Shezaiu, Iliaz Qafoku, Engjëll Kapllani dhe disa të tjerë bënë rivarrimin e tretë të Dervish Iliazit, duke i rikthyer sadopak dinjitetin një figure që kishte vuajtur edhe pas vdekjes.
Por, fatkeqësisht, edhe sot ka njerëz që nuk e lënë të prehet i qetë. Edhe sot ka nga ata që luajnë me eshtrat, me kujtesën dhe me historinë e tij.
Në rrjetet sociale qarkullojnë këngë me tekste të falsifikuara, montazhe primitive e klipe qesharake, ku në vend të figurës së Dervish Iliazit vendoset fotografia e një kleriku tjetër, Baba Ali Skëndos. Kjo nuk është thjesht injorancë; kjo është përdhosje e vetëdijshme e një figure të shenjtë për këtë krahinë dhe për bektashizmin shqiptar.
Madje, në një të ashtuquajtur portal, një pseudoshkrues arrin deri aty sa të bëjë krahasime absurde e fyese, duke shkruar se “Dervish Iliazi është një hiç para Baba Hekuranit”.
Një pohim pa logjikë, pa kulturë dhe pa pikën më të vogël të respektit njerëzor. Figurave të tilla nuk u bëhen krahasime provinciale e as gara mediokre; ato nderohen për atë që kanë qenë dhe për çfarë kanë lënë pas.
Kam pasur fatin ta takoj disa herë personalisht Baba Hekuranin. Ai është bërë pjesë edhe e librit tim të parë “Dervish Iliazi”, botuar në vitin 2013. Largimi i tij i beftë nga Teqeja e Dervish Iliazit mbetet ende një enigmë, por sipas shumë gjasave, ai u largua pikërisht nga abuzimet dhe deformimet që shikonte të ndodhnin aty.
Baba Hekurani e përmendte Dervish Iliazin me veneracion të thellë dhe me respekt të jashtëzakonshëm. Ai nuk do ta pranonte kurrë këtë baltë që sot hidhet mbi emrin e tij nga njerëz që nuk njohin as historinë, as sakrificën dhe as madhështinë shpirtërore të kësaj figure.
Por injoranca nuk ndalet. Arrin deri aty, sa një “kryetar” shoqate, që nuk shkroi asnjë rresht për 150-vjetorin e lindjes së Dervish Iliazit, del në gazetë dhe na bën “zbulime” qesharake, sikur Dervish Iliazi qenka nip i Laskë Ujanikut.
Jo. Dervish Iliazi është biri i Kiles, nga fisi fisnik dhe i nderuar i Xhaferajve të Mollasit. Lidhja me Laskë Ujanikun ekziston, por është krejt tjetër: Sheqerja, nëna e Laskës dhe gjyshja e Qemalit, ishte nga dera dhe themeli i Dervish Iliazit.
Faktet historike nuk mund të deformohen sipas dëshirës së injorancës apo interesave të vogla personale.
Ndaj, ju lutem: mos abuzoni me emrin e Dervish Iliazit. Mos e përlyeni kujtimin e tij.
Dervish Iliazi është Dervish Iliazi — figurë e shenjtë, e veçantë, atdhetar dhe bamirës i madh, me vepra konkrete që i njeh populli dhe i ka vlerësuar edhe shteti shqiptar, duke i dhënë titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Njerëzit e vegjël mund të hedhin baltë, por balta nuk mbulon dot madhështinë e një figure që jeton prej më shumë se një shekulli në kujtesën dhe respektin e popullit.
Po të ishte gjallë do t’iu falte! Unë po ju mishëroj!
