Mali i Miçanit, mali i jetës time, që u rrita nga mëngjesi në mbrëmje me të në sy
Dashnor Dosti
Sot lexova një shkrim shumë interesant në portalin tim të preferuar, “Orakujt e Tomorrit”, që lidhej me Malin e Miçanit.
Në fakt, nëse ma lë mua në dorë këtë punë, unë mund të shkruaj një libër të tërë për këtë mal madhështor.
I vendosur ballë për ballë me Koprënckën, e posaçërisht me shtëpinë time, që ndodhet në pjesën më lindore të fshatit, madhështia e tij duket edhe më qartë. Por unë e lidh malin edhe me diçka tjetër: prej kreshtës së tij kam shijuar lindjen e diellit në një pjesë të mirë të vitit, sidomos në dimër.

Por ky shkrim më kujtoi sot edhe diçka tjetër, për të cilën unë kurrë nuk e mësova me saktësi nëse është legjendë, një ngjarje e vërtetë apo diçka që i ka të dyja bashkë: edhe të vërtetën, edhe legjendën.
Është fare e kuptueshme që unë besoj se kjo ka qenë një ngjarje e vërtetë, mbi të cilën vitet kanë gërryer shumë gjëra, duke u ngjitur apo shtuar të tjera, ndoshta edhe të sajuara. Sidoqoftë, do të përpiqem ta përshkruaj sa më shkurt, ashtu siç ka ardhur deri tek unë.
Fillimisht duhet thënë se mbi këtë mal vetëm dy fshatra kanë pasur të drejtën e pronësisë mbi pyjet dhe kullotat e tij. Megjithatë, një kufi i qartë ndarës, sidomos për shpatin perëndimor të malit, kurrë nuk ka pasur.
Kjo është bërë shkak për keqkuptime e konflikte, derisa erdhi dita kur një bari dhensh, nuk e di se nga cili prej dy fshatrave ishte, u rrah nga rojet e fshatit tjetër, për shkak të një shkeljeje të pretenduar të kufirit. Pas kësaj, djali shkon në fshatin e vet dhe, disa orë më pas, shumë banorë të fshatit rikthehen të armatosur. Mirëpo të njëjtën gjë kishin bërë edhe banorët e fshatit rival, të cilët e kishin nuhatjen për të kuptuar se situata ishte vërtet e nderë.
Pa shumë fjalë, palët marrin pozicione luftimi dhe fillon një betejë që mbyllet vetëm në mbrëmje, për të rifilluar të nesërmen. Megjithatë, pas dy ditë luftimesh nuk pati as viktima, as të plagosur. Sepse të dyja palët kërkonin krisma, por jo viktima; dhe kurrë nuk morën shënjestër mbi luftëtarët që kishin përballë.
Ndërkohë, dy fshatrat përballë arenës së luftës, Koprëncka dhe Gjergjova, fillojnë bisedimet me secilën palë dhe, shumë shpejt, vendoset armëpushim.
Të nesërmen, nën organizimin e një pleqësie, dy fshatrat negociatorë dhe përfaqësues të shumtë nga dy fshatrat ndërluftues organizojnë një drekë të madhe, me disa bagëti të therura, në territorin kufitar të katër fshatrave, i cili në fakt i përkiste Koprënckës dhe quhej “Rripa e Shemes”.
Aty ngrihet edhe një komision me dy bashkëkryetarë, një nga Koprëncka dhe një nga Gjergjova. Komisioni cakton kufij të rinj në të gjitha pikat e diskutueshme. Pas kësaj, në zbatim të traditës, të gjithë burrat nga katër fshatrat shtrohen në një drekë madhështore, me mish e raki. Dhe thonë se të gjithë shkuan të dehur nëpër shtëpitë e tyre.
Nuk e di se sa e vërtetë, apo sa të vërteta, ka në këtë histori. Por ajo që dihet me siguri është se, në vitet që pasuan, deri kur këto katër fshatra filluan të shpopullohen, miqësia dhe marrëdhëniet midis tyre kanë qenë të shkëlqyera.
Pas kësaj historie, edhe martesat midis këtyre fshatrave u shtuan shumë. Ndoshta është kjo edhe një nga arsyet pse një mal nuk është thjesht një mal. Sidomos kur je rritur me të përballë syve.
Ai bëhet pjesë e fëmijërisë, e kujtimeve, e historive që dëgjon nga të parët dhe e jetës që ke lënë pas. Për mua, Miçani është pikërisht i tillë: një mal që nuk e kam parë vetëm me sy, por e kam rritur bashkë me veten.
