Ostrovica dhe Çuka e Frëngut, atraksione mbresëlënëse për aventura të turizmit malor
Ostrovica është mal në kufirin ndërmjet Korçës dhe Skraparit me lartësi 2353 m (Çuka e Faqekuqit). Shtrihet midis luginës së lumit të Çemericës në lindje dhe luginës së lumit të Çorovodës në perëndim.
Është një nga malet më të larta të pjesës juglindore të vendit. Ka shpate të thepisura dhe në kurriz vërehen forma të relievit akullnajor e karstik.
Rrëzë Ostrovicës dalin burime të shumta, që ushqejnë disa degë të Osumit dhe Devollit. Bimësia përbëhet kryesisht nga kullota alpine.
Në këmbët e Ostrovicës gjenden fshatrat Mazreku, Faqekuqi, Çemerica, Lekasi etj.
Ostrovica, domethënë “mprehtë”. Pra, mal me majë të mprehtë ose majë e thepisur shumë.
Teksa e sheh, Ostrovica është mal me lartësi të konsiderueshme dhe maja është shumë e thepisur.
Stratigrafia e malit duket vërtet shumë interesante.
Nga pikpamja gjeologjike, majat e thepisura e të mprehta janë tregues të moshës gjeologjike relativisht të re.
Mal me emrin Ostrovicë ka edhe në Kosovë dhe, sipas shpjegimeve atje, ka kuptimin “Maja e zezë”.