Maliqi, qyteti, që për gjysmë shekulli ëmbëlsoi Shqipërinë

Maliqi, qyteti, që për gjysmë shekulli ëmbëlsoi Shqipërinë

Gjergj Luca mban premtimin. Një tjetër qytezë Rozafa, këtë herë mbi rrënojat e ish-kombinatit në Maliq

 

Zylyftar Hoxha

 

Këto ditë u dha një lajm i mirëpritur për zonën e Korçës, Maliqit, Devollit dhe Pogradecit: Biznesmeni unik në vend, Gjergj Luca i shpallur edhe ”Personazhi i Vitit 2022” e mbajti premtimin e dhënë. Një tjetër qytezë Rozafa kësaj here u ngrit mbi rrënojat e ish-kombinatit në Maliq.

 

“Oligarku” i vetëm shqiptar me diplomë aktori, Gjergj Luca, rikthen punën në provincë, rikthen investimet në këtë copëz juglindje Shqipëri të braktisur.

 

Luca, një pasionant i pandreqshëm për ndryshimin e vendit; kembëngulës deri në përplasje për t’i realizuar planet e tij, këtë herë ka investuar në Maliq të Korçës.

 

Tashmë dhe në vijim dyert e Rozafës hapen jo vetëm për punë, për takime por edhe për turizëm e argëtim në Rozafën më të re.

 

 

 

Pas këtij lajmi, e pash me vend të risjell në vëmendje të lexuesve edhe një herë reportazhin e botuar në librin tim, “Udhëtime nëpër Shqipëri – guidë historike dhe turistike”, Tiranë, 2019, për të bërë një lidhje të ngjarjeve dhe kohëve të këtij qyteti

 

 

 

 

 

 

Maliqi, qyteti, që për gjysmë shekulli ëmbëlsoi Shqipërinë

 

Maliqi, qyteti i ngritur në vitet e socializmit, ka historinë më interesante dhe më komplekse krahasuar me qytetet e tjerë të vegjël industrialë që u krijuan në atë kohë.

 

Ai u ndërtua në një vend ku më parë ishte këneta mijëra hektarëshe, që u tha në pjesën më të madhe me punën e papaguar të vullnetarëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe të gati 3 000 të burgosurve, të cilët kanë bërë aty një punë sizifiane. Të paushqyer, të lodhur, të sëmurë, të shkatërruar nga lagështia, ata u kthyen në “skllevër” të kohëve moderne.

 

Por nuk mjaftonte kjo, mbi këta njerëz binte edhe shpata e luftës së klasave, e cila nuk kursente as intelektualët më në zë të kohës, si Mitrush Kutelin, At Zef Pllumin, Arshi Pipën me shokë. Kishte nga ata intelektualë që e paguan edhe me jetën e tyre.

 

Në nëntorin e 1946, në Tiranë u zhvillua gjyqi më I bujshëm i kohës, i ashtuquajtur “Grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej me altoparlant publikisht, u zhvillua në kinema “Nacional”, në atë që më pas do të merrte emrin “17 nëntori”. Pas dhjetë ditësh u dha vendimi: Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, përkatësisht 35 dhe 30 vjeç, kryeinxhinieri dhe drejtori i kantierit të kënetës së Maliqit, me varje; Andrea Mano, Zyraka Mano, Eugenio Scaturo, Mirush Përmeti u pushkatuan, tetë të tjerë u dënuan me burgime të rënda.

 

Lidhur me këtë ngjarje apo jo, në Maliq në atë kohë janë pushkatuar 63 veta. Është i vetmi qytet në Shqipëri që është ndërtuar jo vetëm me djersë, por edhe me gjak.

 

…Megjithatë, u bë një punë e jashtëzakonshme Këneta u tha dhe u krijuan fusha të pamata, ndërsa në një kënd të saj filloi të merrte jetë një qytet i ri. Ky qytet u krijua pikërisht atje ku gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një qytetërim të lashtë, periudhën e paleolitit të hershëm, i vetmi vendbanim i kësaj periudhe në Shqipëri.

Pas bonifikimit Maliqi u popullua nga banorë të krahinave përreth si dhe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Menjëherë pas bonifikimit u nis ndërtimi I Kombinatit të Sheqerit, një vepër madhore për ekonominë e Shqipërisë, një kombinat i cili ishte ndër më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin e Ballkanit. Kështu nga mesi i viteve ‘50 u vendos në punë kombinati i sheqerit që punësoi më shumë se gjysmën e popullsisë së asaj kohe.

 

Kombinati i sheqerit në Maliq ishte ndërmarrja e parë e madhe e ish-industrisë ushqimore shqiptare dhe një nga veprat e mëdha të planit të parë 5-vjeçar, që përfundoi në vitin 1951. Më 1960 u bë rikonstruksioni i parë duke rritur aftësinë prodhuese të sheqerit 30 për qind, atë të tharjes së bërsive 50 për qind dhe të TEC 50 për qind.

Njëkohësisht u ngritën fabrika e alkoolit, ajo e majasë së bukës dhe eUdhëtime nëpër Shqipëri 119 gazit karbonik ushqimor.

 

Më 1967 Kombinatit të Sheqerit iu shtua edhe fabrika e nishestesë dhe e glukozës. Më 1979 u bë përsëri një rikonstruksion i fabrikës së sheqerit, duke rritur aftësinë përpunuese ditore 3,7 herë në krahasim me atë të vitin 1951.

 

 

Maliqi i sotëm

Pas viteve 1990, kur forca të caktuara politike nxorën teorinë e “çekut të bardhë”, se gjoja do të na ndihmonte bota dhe s’ishte nevoja të prodhonim në vend, fabrikat e Maliqit u shkatërruan. Nga të gjitha këto tashmë funksionon vetëm prodhimi i niseshtesë, kurse pjesën tjetër të tij që pas viteve ‘90 e gërryen korrozioni dhe ndryshku.

Mbyllja e kombinatit, që sot duket si një vepër e pastër politike, do të thoshte që fshatarët të mos kishin më lëndën e parë, punëtorët punën dhe Shqipëria sheqerin. Fundi i kombinatit ishte fundi i Maliqit. Jeta e qytetit është e vakët, janë shkatërruar objektet social-kulturore që I jepnin gjallëri. Maliqi i sotëm është një grumbull banesash pa arkitekturë dhe i zbehur përherë e më shumë nga ajo që përfaqësonte dikur.

 

Kombinati i Sheqerit, simboli i qytetit, është kthyer në një grumbull gërmadhash dhe simbol të papunësisë së qytetit…Kronika e këtij qyteti është nga më të zbërdhylurat në këtë vend. Thua se ka ndonjë protestë, kur aty nga ora 10 e mëngjesit personazhe që sorollaten pa kuptim baresin tutje e tëhu në bulevardin e vetëm të qytetit!…

 

Ngado të hedhësh sytë sheh rrangullina, edhe pallatet e stilit të vjetër, më shumë të stilit sovjetik, janë kthyer në rrangullina, tullat janë ngrënë nga era dhe shiu. Qyteti e ka të rrënjosur shumë të shkuarën, ndërsa për të ardhmen askush nuk flet. Dhe njerëzit në Maliq kanë të drejtë që të jetojnë me të shkuarën, sepse aty janë pikat e tyre të120   referimit, ndërsa e ardhmja për ta duket se është larg, shumë larg.

 

Me pak fjalë, qyteti i Kombinatit të Sheqerit që ëmbëlsonte shqiptarët në kohën e hidhur të diktaturës, sot është thjesht një hidhësi e botës së çuditshme shqiptare. Si rezultat i kujdesit të pakët dhe mungesës së investimeve, jo vetëm qyteti, por edhe fusha është shkatërruar. Përmbytjet e para ca viteve dëshmuan se kjo zonë kërkon investime të fuqishme, ndryshe është e destinuar të kthehet në origjinë, në kënetë, siç ka qenë dikur.

Një dhe të pa ndarë…

Maliqi rrethohet nga shumë fshatra, që, dikur, në monizëm, përbënte një fshat të bashkuar me qendër në qytetin e Maliqit, ku bënin pjesë: Bicka, Goca, Gjyrasi, Kolaneci, Kloca, Liboniku, Pocesta, Plevisht-Bosi, Vloçishti, Vashtmia dhe Symizi me një popullsi më të madhe se Maliqi, prej 10 000 banorësh.

 

Pas tharjes së kënetës së Maliqit këtu u ngritën dy ndërmarrje bujqësore, ndërmarrja “8 Nëntori” dhe ndërmarrja e rritjes së gjedhit. Sot në këto fshatra janë ngritur ferma me të gjitha llojet e prodhimit bujqësor.

 

Banorët e këtyre fshatrave jo vetëm që janë shumë punëtorë, por janë edhe ambiciozë drejt të resë, civilizimit. Shtëpitë e tyre ndrijnë nga pastërtia. Bollëku i tyre duket jo vetëm në tavolinat e ngrënies, por edhe në oborret dhe kasollet e mbushura plot.

Turizmi në Maliq!?…

Po. Edhe Maliqi ka resurse të mrekullueshme turistike. Në radhë të parë, aty janë njerëzit shumë të dashur dhe miqësorë, që, siç thotë fjala e popullit, “s’të lënë të biesh mbërdhe”. Si kudo, edhe aty, gjen hotele dhe locale luksi me një gatim të shkëlqyer të kuzhinës tradicionale. Akcenti i të folurës së banorëve të këtij qyteti, si edhe ai Korçës, është disi përkëdhelës dhe ke qejf kur e dëgjon. Ai ngjan si muzikë, dhe kur e flasin pleqtë, të duken10 vjet më të rinj.

Gjatë qëndrimit në Maliq ju mund të vizitoni qytetin, ndërtesat e të cilit do t’u çojnë mbrapa në histori. Ato janë të gjitha të stilit të vjetër socialist, madje edhe më tej, të stilit sovjetik dhe bullgar. Pasi bashkë me fabrikën ata ndërtuan edhe qytetin. Megjithëse tregohen strikt dhe të ngurtësuar, por një vizitë në mjediset e fabrikës së sheqerit, të bërsive dhe të TEC-it, do të qe një mrekulli, që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa. Aty mes ndryshkut dhe togjeve të hekurave do të shohësh punën kolosale që është bërë në këtë fabrikë, por edhe dëmin e madh të pakthyeshëm të forcave rebele pas viteve ’90.

 

Kur të shkoni në Maliq, mos rrini pa u kthyer në një nga fshatrat rreth tij, s’ka rëndësi se të gjithë janë njësoj. Në të gjitha shtëpitë do të gjeni një mikpritje që vetëm korçarët dhe devollinjtë dinë ta bëjnë. Do të kënaqeni me mjediset e shtëpive, të avllive, çezmave dhe selishtave.

 

Banorët e këtyre anëve janë nga më punëtorët në Shqipëri. Ata ndoshta nuk e dinë konceptin “turizmi i gjelbër” (fshatar). Po shkoni dhe s’keni për të ndjerë të ngopur së sodituri fermat e tyre bujqësore dhe blegtorale të organizuara mjeshtërisht me prodhime të çdo lloji.

 

Po ushqimi? Dardha dhe Voskopoja kanë namin, por atë kuzhinë do ta gjesh dhjetëfish më të mirë edhe këtu në Libonik, Pocestë, Vloçisht, Vashtmi, Symiz, Vreshtaz etj. Dhe, me që vini deri këtu, mos harroni të pini një kafe në Vreshtas.

 

Pas kësaj kafeje çapituni edhe pak më tej, në Sheqeras, vendi që ka mbushur hartat meteorologjike të botës, si vendi më i ftohtë në Shqipëri. Në këtë fshat është regjistruar temperatura më e ulët në të gjithë Shqipërinë.

 

2019